“Forcim bashkëpunimi mes dy vendeve”, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

206
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e vyer, që Britania e Madhe ka dhënë në vazhdimësi për vendin tonë, si dhe për rolin e saj konstruktiv në rajon.

Meta vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe theksoi domosdoshmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe tregtare.
Duke i konsideruar një urë lidhëse midis dy vendeve tona, Kreu i Shtetit e falënderoi Ambasadorin King-Smith në emër të të gjithë shqiptarëve, që kanë ndërtuar jetën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, për mundësitë që u janë krijuar për t’u mirëintegruar.

Presidenti Meta i uroi Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar shumë suksese në misionin e tij diplomatik në vendin tonë dhe e siguroi për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë në funksion të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona.