Fondi Shqiptar i Zhvillimit fillon punën për rikonstruksionin e rrugës Vorë-Kuç

390
Sigal

Shumë shpejt 10 mijë banorë të kësaj zone dhe zonave përreth do të komunikojnë midis tyre me rrugë të asfaltuar

Shumë shpejt 10 mijë banorë të Vorës, Kuçit, Picarit, Gjokajt dhe zonave përreth do të komunikojnë midis tyre me rrugë të asfaltuar të parametrave bashkëkohore. Rruga Vorë – Kuç 7.7 km e gjatë, është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili lidh këto fshatra dhe Vorën jo vetëm me njëra-tjetrën por edhe me Autostradën Tiranë-Durrës. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare dhe donatorë të tjerë.

Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë tejet e amortizuar dhe kalohet me vështirësi nga automjetet. Në pjesën më të madhe të saj rruga është me çakull, ndërkohë në pjesën tjetër rruga e shtruara me asfalt ka degraduar dhe do të rivishet.

Rruga e re do të ketë një gjerësi asfalti që varion nga 4- 7 m dhe dy bankina nga 0.75 m. Ajo do të jetë e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha, mure mbajtës, tombino dhe vepra të tjera arti. Kohëzgjatja e punimeve për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor është parashikuar 8 muaj.

Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Z. Benet Beci, i pranishëm në fillimin e punimeve, në bashkëbisedim me gazetarët, ndër të tjera tha se:

“Segmenti rrugor Vorë- Kuç, punimet e të cilit sapo kanë filluar, do të lidhë me rrugë të asfaltuar të parametrave bashkëkohore 3 fshatra të Bashkisë Vorë me qytetin e Vorës dhe me Autostradën Tiranë-Durrës. Ky investim mjaft i rëndësishëm për 10 mijë banorët e kësaj zone, është pjesë e një sërë ndërhyrjesh që FSHZH po kryen Qarkun e Tiranës në kuadër të strategjisë së zhvillimit të këtij qarku. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor do të lehtësojë banorët këtyre fshatrave për të qarkulluar në kushte normale transporti duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore dhe tregjet”.

Infrastruktura e përmirësuar do të japë rezultate të prekshme për komunitetin e kësaj zone, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillim social-ekonomik të qëndrueshëm.

Pas rikonstruksionit të rrugës, fermerët do të kenë mundësi të transportojnë produktet e tyre në tregjet e Tiranës dhe Durrësit në një kohë më të shkurtër dhe me kosto më të ulët. Ky investim shkurton kohën e udhëtimit 3 herë krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një tjetër përfitim real për banorët e këtyre komunave.

Në funksion të një ndërhyrjeje rajonale për zhvillimin e Qarkut Tiranë, FSHZH ka investuar në prioritetet kryesore të infrastrukturës të cilat kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë zhvillimin rajonal dhe lokal. Në këto 4 vitet e fundit, në Qarkun Tiranë janë rehabilituar ose janë në rehabilitim rreth 100 km rrugë dytësore dhe lokale.