Fluks turistësh/ Policia e Vlorës arreston tre shoferë dhe vendos 1375 gjoba në një javë

61
Sigal

Policia Rrugore ka vijuar kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore, në Vlorë dhe në Sarandë, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor.

Sipas njoftimit të policisë, në vetëm një javë janë arrestuar tre shoferë dhe janë vendosur 1375 masa administrative.

Njoftimi i policisë/ DVP Vlorë

Policia Rrugore vijon kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore, në Vlorë dhe në Sarandë, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor.

Kontrollet e shtuara kanë për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe garantimin e qarkullimit sa më normal në akset rrugore të Vlorës dhe të Sarandës, duke marrë parasysh fluksin e lartë të pushuesve që përshkojnë këto akse, me automjetet e tyre.  

Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për sezonin turistik, duke përdorur radarë, dronë, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, janë arrestuar 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Janë pezulluar 12 leje drejtimi, nga të cilat 10 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 2 për drejtimin mjeti, nën ndikimin e alkoolit.

Janë vendosur gjithsej 1375 masa administrative, nga të cilat:

– 189 masa për tejkalim shpejtësie;

– 30 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

– 47 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

– 9 masa për përdorimin e aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit;

– 161 masa për parakalime të gabuara;

– 585 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit;

– 354 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Vlorës apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e alkoolit dhe celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë.