Flet Simon Miraka: Urdhri për zhdukjen e dosjeve, emërimi në krye të Parlamentit i ministrit të Alisë dhe e shkuara komuniste

472

Nga Dalip GRECA

“VATRA” kërkon ndarje me ligj nga e shkuara komuniste

220 mijë dosjet e sigurimit, urdhri i Hekuran Isait për asgjësimin e tyre dhe emërimi në krye të Parlamentit i ministrit të Ramiz Alisë

Të hënën, më 4 qershor 2018, në mbrëmje, z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit Për Informimin Mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit,u prit në selinë e “VATRËS” dhe zhvilloi një takim pune me vatranët. Kryetari i VATRËS, z. Dritan Mishto i uroi mirëseardhjen dhe e falënderoi z. Mirakaj për vizitën. Të pranishëm në takim kishte dhe mysafirë si z. Luigj Gegaj, kryetar i Unionit të ish-të dënuarve politikë të Malësisë së Madhe, si dhe z. Zef Krasniqi nga policia e shtetit të Kosovës, rajoni i Pejës. Kryetari i “VATRËS” shprehu shqetësimin e Federatës për mosndarjen e shoqërisë shqiptare nga krimet e komunizmit. Është një periudhë e gjatë gati prej 30 vitesh që ende nuk ka ndodhë ndarja, distancimi, nuk ka një dënim të qartë të krimeve të komunizmit, ka nostalgji për diktatorin, dhe bashkëpunëtorët e tij. Është paradoks që të përjetësosh emrin e Mehmet Shehut, Feçor Shehut e të tjerëve nëpër rrugët e Shqipërisë, ndërkohë që njihen “bëmat” e tyre ndaj shqiptarëve, tha Kryetari Mishto. Është paradoks që 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës të sjellësh në krye të Kuvendit ish-ministrin e brendshëm të Ramiz Alisë, komentoi realitetin postdiktaturë kryetari i “VATRËS”.

Edhe pas kaq kohësh lexojmë në gazetat e Shqipërisë histori të glorifikuara për periudhën e komunizmit, ku shfaqet nostalgjia për”të mirat” e komunizmit. Nëse nuk bëjmë një ndarje të qartë nga e shkuara ne nuk mund të ecim përpara. Nuk gjen asnjë gjerman që të krenohet me Hitlerin edhe pse Hitleri e forcoi ekonomikisht Gjermaninë, përkundrazi diktatori ynë e rrënoi në mjerim popullin e vet, dënoi, vrau dhe pushkatoi, internoi edhe fëmijë e pleq, dhe nostalgjikët lëvdojnë bëmat e tij! “VATRA”, tha kryetari Mishto, ka ndërtuar platformën për të dhënë kontributin e saj në këtë drejtim. Ne po luftojmë që brezi i ri të informohet realisht për krimet e komunizmit. Po ashtu pi informojmë institucionet amerikane. Puna do të vazhdojmë. Ne do ta ngremë më shumë zërin kundër së keqes. Ne mendojmë se me ligj duhet të ndalohen simbolet e komunizmit, ndërsa në programet shkollore të informohen nxënësit për natyrën çnjerëzore dhe krimet e komunizmit.

Kryetari i Vatrës kritikoi ashpër median shqiptare që i jep hapësirë evokimit të së shkuarës komuniste. Ai solli si shembull paradokse të tilla në median e Tiranës, si në rastin e 3 prillit 2008 kur Shqipëria mori ftesën për NATO dhe në një nga gazetat e Tiranës shkruhej:Shqipëria mori ftesë për në NATO… dhe në të njëjtën faqe, me shkronja kapitale shkruhej-Intervistë me Nexmije Hoxhën- “Sikur të ishte Enveri gjallë do ta donte Shqipërinë në NATO…!” Kjo është e dhimbshme, është tallje me qytetarët e Shqipërisë. VATRA kërkon një distancim të qartë, me ligje nga e shkuara komuniste, kërkon distancim dhe dënim të diktaturës dhe personave fajtorë për krimet e kryera. Ne, tha z. Mishto, po e zhvillojmë këtë takim me z. Simon Miraka, për të marrë më shumë informacion rreth Autoritetit Për Informimin Mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe punës së deritanishme. Ndjehemi mirë që një personalitet si Simon Mirakaj, i votuar nga opozita dhe pozita, pjesë e shtresës së vuajtur të familjeve nacionaliste dhe përfaqësues i një familje të elitës nacionaliste shqiptare, -është pjesë e institucionit të Autoritetit, pasi ia rrit besueshmërinë institucionit. Në fjalën e tij z. Mirakaj ka falënderuar z. Mishto me bashkëpunëtorë për mikpritjen dhe ka vlerësuar kontributin e Vatrës në shërbim të Kombit prej 106 vitesh që nga krijimi i saj. Vatra, tha ai, ka kontribut në pavarësinë e Shqipërisë dhe ruajtjen e saj, në luftën kundër komunizmit si dhe në luftën për çlirimin e Kosovës.

Kam emocione kur flas këtu në Vatrën e Nolit dhe Konicës. Më pas ai informoi: Në Shqipëri me 2015 në Parlament u miratua ligji i hapjes së Dosjeve të ish Sigurimit të shtetit që përfshinë periudhën nga 30 nëntori 1944 e deri 2 korrik 1991. I gjithë ky dokumentacion është grumbulluar dhe ka kaluar në dispozicion të Institucionit të Autoritetit. Jemi 5 anëtarë të seleksionuar nga shumë aplikantë. Nga 5 anëtarët është zgjedhe kryetarja Genta Sula. Jemi aprovuar nga Parlamenti. Si strukturë jemi aprovuar 60 vetë, por deri tani jemi vetëm 20 veta për shkak të hapësirës së kufizuar dhe fondeve. Kanë ekzistuar edhe më parë Komisione të përafërta siç ishte ai Mezini, më 1995, apo Bezhani 2001, por është e para herë që institucionalizohet dhe përzgjidhet me transparencë. Qeveria me një vendim ka caktuar dhe një objekt në Ministrinë e Mbrojtjes, akademia ushtarake. Mirëpo godina nuk është ende funksionale, duhen të tjera fonde për ta përfunduar. Jemi provizorisht tek garda e Republikës, punojmë në hapësirë të kufizuar dhe kjo ka bërë që të mos jemi shumë eficientë. Për këtë qëllim, tha z. Mirakaj, vijnë dhe studiues, gazetarë për të ndjekur problematikën që mendojnë. Studiuesit plotësojnë formularin, objektin e studimit, kriteret etj. Sigurimi famëkeq kishte hapur rreth 220 mijë dosje për shqiptarët, informoi Mirakaj. Kur po ndryshonte sistemi veglat e diktaturës bënë përpjekje dhe lëshuan urdhra që të asgjësoheshin një pjesë e dokumentacionit. I tillë ishte urdhri i Hekuran Isait, ish-ministër i rendit. Ka shumë prej nesh që nuk u gjenden dosjet. Mirakaj i njohu pjesëmarrësit me Ligjin 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, një kopje të të cilit ia dhuroi “VATRËS” së bashku me raportin vjetor për vitin 2017 të Institucionit. Z. Mirakaj dha lajmin se më në fund kampi i internimit në Tepelenë do të kthehet në muze për të përjetësuar Kujtesën e viktimave të atij kampi çnjerëzor. Gjatë debatit të lirë diskutuan: Gëzim Nika, Zef Balaj, Pertef Bylykbashi, Idriz Lamaj, Genc Leka, Shkëlqim Bylykbashi, Luigj Gegaj, Frederik Ndoci, Lek Mirakaj etj. Përshëndeti dhe mysafiri nga Kosova, Zef Krasniqi. Mirakaj dhuroi për bibliotekën e “VATRËS” librat: Përmbledhje Dokumentesh Rreth “Grupit të Deputetëve”; “Letërsia Shqipe e Diasporës” i autorit Lekë Ndoja, “Një Zemër në Mërgim” e autorit Nexhat Peshkëpia. Simon Mirakaj i dhuroi kryetarit të VATRËS simbolikën e Institucionit të Autoritetit Për Informimin Mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.