Flet “Nderi i Kombit” Tinka Kurti: Aq sa dua teatrin, dua edhe filmin paçka se teatri ka tjetër emocion

54
Sigal

-Ja rruga ime e artit nga filmi  “Tana” tek “Dasma e Sakos”

– Të gjitha vlerat kombëtare si polifoninë, lahutën, festivalet teatrore duhet ti ruajmë dhe pasurojmë.

– Krahas nënë Pashakos, në filmin “Yjet e netëve të gjata”, doja të realizoja rolin e Trina Smaljas.

-Unë kam luajtur Dranen tek “Mic Sokoli”, por dua të luaj një rol të veçantë për gruan Nikaj-Mërturi.

– Unë pëlqej dhe operat, apo baletin, por kurrë nuk më joshin kitarat e mëdha apo tropat përpara veglave muzikore të popullit tonë.

-Gruaja shqiptare çdo ditë punon, emancipohet, studion, përballet, përparon, fiton terren.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Sot ajo mbush 91-vjeç. Afro një shekull. Një shekull që ja ka kushtuar artit. Tinka Kurti (lindur Thani; Sarajevë, 17 dhjetor 1932) është një nga aktoret më të njohura shqiptare. Puna e saj, që përfshin 65 vjet, përfshin më shumë se 60 filma artistikë dhe 150 shfaqje teatrore. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe shumë e kulturuar. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958. Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri. Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj. Ajo është aktive edhe në ditët e sotme. Një nga shprehjet e saj është: “Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj. Me artisten e madhe kam zhvilluar disa intervista dhe në këtë 91-vjetor po përcjell disa nga  pjesët më kryesore të intervistave që kam zhvilluar ndër vite.

Mbi 65 vjet në shesh të xhirimit dhe në skenat e teatrit. Si arriti Tinka Kurti, që në trupën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës të shndërrohej në një aktore e preferuar nga publiku mbarë shqiptar?

Arti ka rrugën e vet. Është e vërtetë se kolektivi i teatrit “Migjeni” ka qenë i vogël në numër në fillim, po kështu është më se e vërtetë që në gjirin e këtij grupi ka patur edhe ka aktorë tepër të talentuar, ku unë së bashku me partnerë të ndryshëm, kam arritur të krijoj figura të bukura në skena shqiptare dhe ato kosovare. Kur punon e jeton me artistë të talentuar, padyshim do të kesh sukses.

Znj, Tinka, ju jeni Presidente Nderi e shoqatës “Nikaj-Mërturi”. Çfarë ju lidh me këtë zonë?

Po e deklaroj sërishmi. Unë jam me origjinë nga kjo zonë, nga ky fshat. Babai im është lindur në këtë vend të bukur që e ka bekuar perëndia. Ai ka zbritur në Shkodër pikërisht nga kjo zonë. Më vjen shumë keq kur disa kanë nënën nga Shkodra, apo Korça dhe deklarojnë se jemi nga Korça apo Shkodra. Pra, kudo thuhet se origjina e njeriut është andej nga është babai. Ky deklarim është i lashtë sa dhe koha. Edhe unë kam lindur në Shkodër, por them me plot gojën se me origjinë jam nga Nikaj_Mërturi.

A keni shkuar ndonjëherë në Nikaj-Mërturi?

Po kam shkuar. Bile disa herë. Është një vend i bekuar, i mrekulllueshëm. Aty kam parë shtëpinë e të parëve të mi. Male të lartë sa duket se kap me duar qiellin. Pyje, shtëpi karakteristike, burime, pemë, dhe poshtë lumenj. Aty magjepsesh. Aty relaksohesh. Aty qetësohesh. Sa herë kam shkuar, më duket se shkoj për herë të parë. Janë vende që të ngelen fort në kujtesë.

Çfarë ka marrë Tinka nga vendlindja e babait, nga ky vend i bukur siç e quani ju?

Kam marrë shumë gjëra. Shumë. Pra të trashëguara nga im atë. Nga këto kam marrë epizmin. Me këtë dua të them se në shumë role që kam luajtur, apo në shumë role që kam kërkuar, kam dashur të jenë role dramatike, role me epizëm. M’i kërkonte një ndjenjë e brendshme, vetiu, në mënyrë organike. Kjo zonë ka rrit gra të fuqishme, trime, të papërkulura, që pikërisht në këtë luftë, betejë, që ne sot përkujtojmë kanë bërë histori, kanë luftuar me burrat dhe kanë qenë prapavija më e sigurt e tyre.

Si jeni ndjerë kur ju kanë shpallur Presidente Nderi e shoqatës “Nikaj-Mërturi”?

Këto raste janë të rralla në jetë. Janë raste të jashtzakonshme. Janë vlerësime që njeriut rrallë i vijnë në jetë dhe që shprehin respekt, dashuri, vlerësim. Kur ndjehesh e vlerësuar kryesisht nga zona nga ke origjinën, njeriu ndihet i plotësuar.

Çfarë vlerësismesh të tjera ke marrë nga zona nga ju keni origjinën?

(Loton). Po , kam marrë shumë vlerësime. Në komunën Lekbibaj, para disa vitesh, kryetari i Komunës vjen në Tiranë dhe më fton për kafe. Shkova. Pas fjalëve të rastit ai më thotë se kishte dëshirë që shkollës së mesme në Lekbibaj t’i vinte emrin tim. U befasova. Se prisja kurrë këtë nder. Ishte një nder i madh. U emocionova. Kjo kërkesë vinte direkt nga njerëzit e zonës nga ku kam origjinën. Ishte një shkollë e ristrukturuar. Kjo shkollë ishte hapur para 90 vjetësh nga Luigj Gurakuqi (si shkollë fillore), tashmë u shtua dhe me gjimnaz..

Kur u inagurua kjo shkollë dhe mori emrin tuaj, ju keni qenë prezente?

Po! Isha. Me të vërtetë ndjeva emocione sikundër pata kur dola për herë të parë në skenë. Ishte moment që s’di si ta përshkruaj (loton). Për vënien e emrit shkollës janë bërë disa ceremony: një në TOB, një tjetër në sallën e Pallatit të Kongreseve dhe tjetra në Lekbibaj. Organizimi në Lekbibaj ishte i jashtzakonshëm. Një këngëtar popullor me lahut këndoi dhe një këngë që më ka ngel në mendje. Ishin momente shumë të veçanta…

Ju përmendët lahutën, mos vallë veglat muzikore të malsisë janë më të dashura për Tinkën se veglat e tjera muzikore?

Jo vetëm veglat muzikore të malsisë, por pëlqej të gjitha veglat muzikore të popullit tonë, që zakonisht përdoren në gjithë gjeografinë mbarëshqiptare. Janë vegla muzikore të veçanta, melodioze, tipike, që i dallojnë nga vendet e tjera. Unë pëlqej dhe operat, apo baletin, por kurrë nuk më joshin kitarat e mëdha apo tropat përpara veglave muzikore të popullit tonë. Unë rrjedh nga familje që është marrë me muzikë klasike, por ajo lahutë, çifteli, ai fyell tipik shqiptar për mua janë vetë mrekullia.

Në një aktivitet ku ju ishit pjesë para shumë vitesh u shfaq dhe një film dokumentar për 100-vjetorin e njërës nga ballafaqimet më të mëdha kryengritëse e luftarake kundër pushtuesve osmanë, e cilësuar si Beteja e Kodër Palçit. Në këtë luftë ndihmesë të madhe dhanë dhe gratë. A do kishit dëshirë të luanit rolin e një luftëtareje të kësaj kryengritjeje?

Shumë, shumë. E kam si peng ta luaj një rol të tillë. Një rol ku do jem gruaja e kësaj zone nga ku jam. Pra do të isha plotësisht vetvetja. E pashë filmin dhe kam ngelur e kënaqur, por dhe e befasuar. Një histori gati e pabesueshme. Një luftë e pabarabartë. Një luftë kundër një perandorie e armatosur me armët më moderne të kohës. Filmi dokumentar i Ilir Buçpapajt i solli të gjalla ato ngjarje, por sidomos ato vende që të mahnitin. Aty thuhej dhe për rolin e madh të grave në këtë luftë. Do kisha shumë dëshirë të luaja në teatër figurën e një gruaje të tillë. Kur ishte gjallë bisedova me Lazër Filipin që të bëj ndonjë dramë me këtë ngjarje. Bisedova dhe me zonjën Mira Marku, që s’është nga kjo zonë dhe ka ndihmuar në realizimin e filmit. Ajo mund të bashkpunonte me Lazrin për të realizuar një dramë të veçantë. E kam shumë për zemër një rol të tillë. I thashë Mirës të gjej fabulën, pastaj Lazri e çon më tej… Pra ka shumë ngjarje për të bërë një dramë të tillë. Unë kam luajtur Dranen tek “Mic Sokoli”, por dua të luaj një rol të veçantë për gruan Nikaj-Mërturi. E kam peng dhe pse kam luajtur shumë role malësoresh.

Çështë arti për ju dhe mendimi juaj për vlerat kombëtare për polifoninë, veshjet kombëtare, lahutën, Festivali teatror i Butrintit ?

Është ushqimi im. Oksigjeni. Duhet të dish se unë kam mësuar shumë nga mësuesit e mi, nga paraardhësit e mi. Arti është kolektiv, nuk është individual. Është autori i dramës, komedisë, është regjisori, aktorët, skenografi, grimi, kostumografi, muzika etj…Pra në çdo dramë suksesi nuk është individual, por kolektiv. Sot del për detyrë që këto histori si kjo e sotmja të dalin në pah, por të vihen dhe në skenë. Arti edhe këtu duhet të thotë fjalën e tij. Të gjitha vlerat kombëtare si polifoninë, lahutën, festivalet teatrore duhet ti ruajmë dhe pasurojmë.

Mendimi juaj për gruan e sotme shqiptare?

Për çdo ditë punon, emancipohet, studion, përballet, përparon. Shihet se për çdo ditë fiton terren…

Tashmë më shumë pranë ekranit të vogël të televizorit…Çfarë bën konkretisht “Nder i Kombit’’ Tinka Kurti kur pas shumë kohësh ndjek në televizion filmat ku ajo ka interpretuar?

Sa herë shoh filmat e mi bëj bilancin. I shikoj me vëmendje dhe njëkohësisht falenderoj drejtuesit e këtyre televizioneve, që përherë po japin filma të zhytur në pluhurin e harresës. Unë shkoj dhe mbyll ekranin. Unë aty shoh dhe gabimet e mia, e ndërkohë grindem me veten dhe rolin, duke thënë: Ah, sikur…! Pra kjo do të thotë, sipas fjalës së popullit, se: “Të bëhem dhe një herë nuse, pa di unë si të nusëroj”. (Qesh).

Njiheni si aktorja e filmit të parë shqiptar dhe por ndoshta dhe aktorja e filmit të fundit shqiptar…

Fati më ndihmoi të merrja pjesë në filmin e parë shqiptar “Tana”. Gjithësesi them se gjithçka kam arritur është bërë e mundur vetëm me përkushtim e netë të tëra të pagjumë. Dëgjo, do të them se për koefidencë unë jam dhe aktorja e filmit të fundit “Dasma e Sakos”, pasi kohët e fundit në Shqipëri nuk po shfaqen filma shqiptarë.

Një jetë plot ngjarje…Ju keni luajtur mëse 150 role në skenë dhe 70 e ca role në kinematografi dhe përsëri nuk po ju kuptojmë se për cilën prej këtyre dy gjinive ndjeheni më e suksesshme, pasi për të dyja këto flisni me pasion e dashuri?

Janë të dyja këto gjini vërtetë shumë të bukura. Aq sa dua teatrin, dua edhe filmin. Nuk ka dyshim se në teatër emocioni dhe suksesi te çdo artist janë më të pranishëm se sa në film. Emocione të pashlyera unë nuk kam shijuar në Shkodër apo në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, në mbarë vendin, ku do të veçoja Fierin, ku me dramën “Gjaku i Arbërit” kemi dhënë shtatëmbëdhjetë shfaqje me radhë.

Jeta ecën dalin artistë të rinj filma të rinj…Përse disa artistë, madje të respektuar në gjithë vendin, kanë mbetur disi në hije. Është kjo harresë e regjisorëve, mosha, apo…?

Do të thosha se për artistin nuk ka moshë. Florenc Oliveri luajti në skenë deri në ditën e fundit, të vdekjes. Të bisedosh me mjaft artistë, do të thonë se vetëm vdekja i ndan nga skena. Të njëjtën përgjigje do të merrje edhe nga unë. A duhen lënë në stol artistet e mëdha shqiptare Margarita Xhepa etj? Kurrsesi, jo. Ne nuk jemi sportistë ku duhet përgatitja fizike e mosha e rinisë. Ne jemi artistë dhe zemra jonë është skena.

-Çdo aktor ka një peng. Po e madhja Tinka a e ka një peng në mes kaq shumë roleve?

Duke mos qenë aspak lokaliste, edhe unë them se brenda shpirtit tim, vazhdon të qëndrojë gjallë figura madhore e Trina Smaljas, një burrë më shumë se çdo burrë tjetër. Pra ajo historikisht u kthye në një emër legjendë. Ndoshta një ditë kjo figurë do të bëhet e pranishme edhe tek unë. Shpresoj. Ju them sinqerisht se sa herë shoh rolin tim për nënë Pashakon, në filmin “Yjet e netëve të gjata”, vetja më duket shumë e vogël para figurës monumentale të kësaj nëne burrneshë. Për mua nuk ka rëndësi nëse Trina Smaljas është nga Shpati i Elbasanit, Myzeqeja e Fierit apo Labëria e Vlorës. E rëndësishme është që këtë figurë ta realizoj me vërtetësi e origjinalitet, ashtu siç njihet ajo në piedestalin e historisë shqiptare.

Filmografia