Flet Inxh. Isuf Tushe/ Eksperti i ish-Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier: Shteti shqiptar ka dështuar me investimet e huaja në fushën e kërkimit

468
Sigal

Kryeministri mburret se do zbulojmë hatanë me naftë, por ende nuk dihet ku eksportohen rreth 1.5 milion ton naftë bruto në vit si dhe hesht për “Detin e madh me naftë” në Shpirag dhe vagonat me naftë, që shkojnë ҫdo ditë drejt Vlorës. Deklarata populiste dhe pa përgjegjësi, u bë të stoponte fukarenjët, që të mos e ndiqnin protestën kundër qeverisë, që ishte planifikuar nga opozita

  • “Deti i madh me naftë” në Shpirag dhe vagonat me naftë, që shkojnë ҫdo ditë drejt Vlorës
  • -Kryeministri mburret se do zbulojmë hatanë me naftë kur nuk dihet ku shkon nafta që vilet çdo ditë
  • Kjo deklaratë populiste, pa përgjegjësi, u bë gjithashtu për të zbutur sadopak efektin apo të stoponte fukarenjët që të mos e ndiqnin protestën kundër qeverisë, që ishte planifikuar nga Berisha
  • Këto që thoni ju tregon nivelin tuaj të ulët profesional, paaftësinë tuaj për të menaxhuar këtë dikaster, të këshilltarëve tuaj.
  • -Belinda Balluku, në një intervistë në 5 korrik për Euronews Albania deklaroi se: “Shelli ka zbuluar një arterie të rëndësishme nafte dhe gazi”.
  • Nuk po e kuptojmë se është zbuluar apo jo, pastaj është det apo arterie me naftë?
  • Ku eksportohen rreth 1.5 milion ton naftë bruto në vit dhe në cilat vende shkojnë?
  • Shteti shqiptar ka dështuar me futjen e investimeve të huaja në fushën e kërkimit
  • -Kompania Nacionale e Naftës, Albpetrol, duhet të shikohet si zgjidhja e vetme dhe Industria e Naftës duhet të qëndrojë shtetërore, jo private
  • Do të ishte më mirë dështimi dhe largimi i Shellit, në mënyrë që kjo pasuri natyrore kombëtare të qëndrojë atje, nën tokë, të kursehet dhe të mos shpërdorohet dhe grabitet

 Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog nafte, doktor i Shkencave Gjeologjike
Specialist dhe ish-shef i kabinetit të vendburimeve në ish-Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

Shkak për të hedhur këto rreshta u bë një shkrim i botuar në disa gazeta rreth një propagande politike mashtruese, që po zien gjithë këto ditë brënda dhe jashtë kufijve tanë mbi rezultatet e një zbulimi të “madh” që paska bërë kompania konҫesionare Shell në rajonin e Shpiragut. Lidhur me këtë zbulim, kjo zhurmë e madhe ka vite, që bëhet nga qeveria, dhe për herë të fundit u përsërit, rreth 2 vite më parë. Por akoma po vazhdon jehona e këtij suksesi të padukshëm edhe këto ditë, ku qeveria dhe dikasteret e saj po propagandojnë përsëri për këtë zbulim, që ende nuk na qënka materializuar, ndërsa ekonomia dhe populli nuk dihet kur do të arrijnë të prekin apo shijojnë frutet e tij, që me sa duket për efekt sekreti, duhet të jenë “koefidenciale”. Ky është një lajm që nuk na gëzon aspak edhe sikur të jetë i vërtetë, nuk përbën sihariq, sepse nuk ka asnjë interes për ne naftëtarët dhe publikun e gjërë. Për këtë zbulim të ri nafte dhe gazi në strukturën e Shpiragut, para 2 vitesh, k/ministri Rama bëri një vizitë spektakolare tek sonda e shpimit të kompanisë konҫesionare “Shell”, ku deklaroi publikisht dhe duke e quajtur teknikisht jashtë termave profesionale, se u zbulua një “det i madh nafte”, por jo një vendburim nafte, ndërsa dje, ministresha e tij e preferuar, Belinda Balluku, në një intervistë në 5 korrik për Euroneës Albania deklaroi se: “Shelli ka zbuluar një arterie të rëndësishme nafte dhe gazi”.

Nuk po e kuptojmë se është zbuluar apo jo, pastaj është det apo arterie me naftë?

Flasin njëlloj si në bisedat e zakonshme dikur kur populli nuk thoshte vendburim nafte, por atje kalon një lum nafte. Kjo “demokracia” jonë po na pasuron mjaft edhe fjalorin terminologjik të naftës! Ky postulat i saj ishte në mbështetje të fjalimit “brilant” të k/ministrit Rama në konferencën për shtyp me z. Mark Rutte, që dha kohë më parë në Hollandë, ku deklaroi para gazetarëve se “kemi Shellin, sigurisht dhe me shpresë, presim me padurim një lajm të mirë në fillim të vitit tjetër fal një eksplorimi mjaft intensiv që Shelli po bën në vendin tonë. N.q.se do të jetë kështu, atëherë do të kemi për të festuar jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin në këto kohë të vështira për energjinë dhe për burimet e reja. Në të njëjtën kohë, sidoqoftë presim me padurim të shohim të materializuar dhe” … Mirëpo në këtë deklaratë, mbeti enigmë se cili filial i Shellit është ky dhe ku po eksploron, që ne po presim lajmin e mirë, vendburimin, “kaq të madh” që do festojë Shqipëria dhe gjithë rajoni? Me siguri po propagandohen herë pas here, sipas situatave politike, rezultatet e pakonkretizuara ende të kompanisë Shell në strukturën e Shpiragut. Tjetër, njeri thotë: “presim me padurim një lajm të mirë”, ndërsa tjetra thotë: “Shelli ka zbuluar një arterie të rëndësishme nafte dhe gazi”. Hajde merre vesh! Po mirë bëjnë, por pse nuk na flasin një herë për rezultatet e shfrytëzimit barbar të vendburimeve ekzistuese të naftës nga kompanitë konҫesionare, ku prodhohen dhe eksportohen rreth 1.5 milion ton naftë bruto në vit dhe nuk dihet ku shkon? Ku përfundojnë këto të ardhura? A i shikon qeveria, k/ministri apo ministresha Balluku gjithë këto vagona me naftë që transportohen drejt qytetit bregdetar të Vlorës për t’u surdisur me ҫisterna nëpërmjet Adriatikut jashtë Shqipërisë? Po thasët me para që transportohen me avion nga kompanitë konҫesionare drejt kompanive mëmë? A u bënë përshtypje këtyre vjedhja që po ju bëhet pasurive natyrore kombëtare? Nëse po, pse nuk veprojnë?, por vetëm heshtin dhe bëjnë lojën e shurdhit dhe qorrit.

Deklarata e k/ministrit ishte shprehje serioze e një servilizmi dhe premtim për t’ia falur kompanisë Shell këtë zbulim, siҫ janë falur gjithë të tjerët, dhe ashtu siҫ po tentohet për t’i fal zonën e shelfit detar shtetit Grek, me qëllim që këto dy shtete, që nuk na kanë shumë për zemër, të shtyjnë Shqipërinë të rrëzohet brenda në Bashkimin Europian, por ndërkohë për të fituar kredo politike, si “lider botëror”, që kërkon të duket. Po ashtu, kjo deklaratë populiste, pa përgjegjësi, u bë gjithashtu për të zbutur sado pak efektin apo të stoponte fukarenjët, që të mos e ndiqnin protestën kundër qeverisë, që ishte planifikuar nga Berisha. Po këto ditë vërehej se të gjitha ministreshat e tij ishin hedhur në aksion dhe kakarisin me premtime të “mëdha”, të përsëritura dhe boshe, se nuk i thonë shaka, populli po të dojë të bën gjëmën dhe sidomos tani që kjo qeveri ja ka ҫuar atij thikën në palcë. Sovrani të heq karriken dhe benefitet e saj bashkë me milionat që vjedhin, ashtu siҫ ja hoqi Berishës në 97’. Mirëpo kjo protestë ishte shumë e vonuar, duhet të ishte organizuar më shpejt. Megjithatë ajo do kishte vlera të jashtëzakonshme për demokracinë dhe për të ndryshuar këtë qeveri hajdutësh, n.q.se nuk do të ishte organizuar nga Berisha, sepse mund të shpëtojë ato pjesë të territorit apo pasurive publike, që kanë mbetur akoma pa ju falur oligarkëve apo “investitorëve strategjik” të ministreshave. Sidoqoftë prapë kjo ka vlerën e saj, sepse jo të gjithë ata që dualën në sheshin e protestës ishin mbështetës të bandës berishjane, aty pjesa më e madhe ishte populli punëtor dhe fukara, që demostruan për hallin e tyre dhe jo për NON GRATA e Berishës.

Le të kthehemi tek zbulimi i kompanisë Shell.

Kjo kompani ka kaq vite që po operon punimet e kërkimit në strukturën e Shpiragut dhe me sa ka rrjedhur ca informacion ajo po shpon puset që kanë projektuar specialistët e Institutit Gjeologjik të Naftës, Fier, para 30 vitesh. Megjithëse ajo e gjeti të përgatitur këtë strukturë me punime sizmike, studime gjeologo-gjeofizike dhe me puse të projektuar, ajo prapë ka hasur në vështirësi teknike që tregojnë për mungesë eksperience në shpimin e tyre. Kështu ajo po vonon sqarimin përfundimtar të fluidmbajtjes në këtë rajon që shoqërohet me rritje marramendëse të kostos së punimeve dhe nuk po siguron në kohë rezultatet dhe benefitet, që duhet të merrte shteti apo ekonomia jonë. Në intervistën e saj për Euronews Albania, ministresha u shpreh se: “në mars të vitit 2023 do të ketë më shumë detaje . . . . . . Sot, në fazën finale të eksplorimit, Shell ka goditur tashmë një arterie shumë të rëndësishme: naftë dhe gaz, ky është një fak. Faza finale është faza analitike e mënyrës sesi do nxirret i gjithë ky hidrokarbur në mënyrë efiçente”. Ajo vazhdoi më tej se: “Ky zbulim i rëndësishëm i Shell në zonën e Shpiragut do të pasohet nga një investim i rëndësishëm, rreth 6-7 miliard Euro, që ka për synim ngritjen e infrastrukturës dhe logjistikës që do shërbejë për nxjerrjen, përpunimin dhe shpërndarjen e hidrokarbureve të zbuluara në këtë zonë”.

Pra, kompania qënka akoma në fazën e kërkimit, s’ka siguri rezultati që ka reklamuar qeveria, pastaj, sipas saj, do bëjë analizën e efektivitetit të investimit të deritanishëm dhe atë që do investojë në të ardhmen. 

Po a mjaftojnë kaq punime?

Dhe a e dini ju z. ministre se industria e naftës dhe specialistët e saj i kanë të gatshme skemat teknike mbi mënyrat dhe teknologjinë e përpunimit të vendburimeve të naftës, gazit apo gazit kondensat? Dhe kompania s’ka pse të harxhojë kohë për këtë, por ajo, kompani duhet të sqarojë dhe konturojë plotësisht rezultatin, që deklaroni ju, dhe të investojë më shumë para për të shpejtuar në kohë. Këto që thoni ju tregojnë nivelin tuaj të ulët profesional, paaftësinë tuaj për të menaxhuar këtë dikaster, të këshilltarëve tuaj, Axhensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Albpetrolit, që nuk e kanë idenë se ҫfarë bën kompania Shell, kaq vite, në atë bllok kërkimi dhe si po zbatohet kontrata e lidhur midis saj dhe Shtetit Shqiptar. Po ashtu kompania e ka detyrim t’i raportojë ҫdo vit me transparencë të plotë qeverisë, AKBN-së dhe Albpetrolit mbi punën që kryen, rezultatet, etj. Por, në këtë qeverisje rrumpallë, ku të gjitha kompanitë e naftës në vendin tonë janë bërë zot me pasurinë e popullit dhe nuk duan t’ja dinë për asgjë, ҫdo gjë ka dalë jashtë kontrollit tuaj, sepse ato vjedhin bashkë me ju dhe autoriteti i qeverisë ka rënë për tokë. Prandaj nuk qëndrojnë këto që thoni ju, kompania kërkon të sigurohet për rezultatin dhe sa rezerva nafte dhe gazi ka në “thes”, sepse ato përcaktojnë nëse ka apo jo interes që të vazhdojë punimet më tej apo jo. N.q.se ajo e shikon me interes mund të vazhdojë, në të kundërt do kthehet andej nga erdhi. Kjo është praktika që zbatojnë kompanitë konҫesionare në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit. Sjellja e kësaj qeverie, dikasteri që ju drejtoni deri tek Albpetroli tregon për keq-qeverisje dhe për paaftësi në administrimin e vendburimeve të naftës dhe aq më tepër në kërkimet e reja. Po ashtu, juve tani ju duhet shumë kjo propagandë bajate mashtruese për të treguar “arritjet e mëdha” të qeverisë tuaj, të dikasterit që ju drejtoni dhe për arsyet që përmënda më sipër.

Dikur në një shkrim kam trajtuar rezultatet e kësaj kompanie në strukturën e Shpiragut:

Por ndodh dhe kështu, kompania Shell, n.q.se është vërtet ajo, me emër të madh, e fuqishme dhe e përhapur në gjithë botën, ka vite që ka marrë me konçesion sipërfaqe perspektive për kërkimin dhe prodhimin e naftës, si rreth Shpiragut, etj. Dëgjuam që ka testuar dy puse pozitiv, është zbuluar një “det i madh nafte”, por deri tani nuk ka asnjë pus në shfrytëzim, që të sjellë të ardhura për kompaninë dhe shteti të marrë fitimin, sepse ekonomia ka nevojë. Pra, dhe faktori kohë ka rëndësinë e vetë. Po të ishte për 30-40 vjet, mbase vetë i ndjeri Albpetrol, n.q.se nuk do kishte zhvilluar biznesin e tij të famshëm, korrupsionin, do t’i zinte dora ndonjë lekë, dhe mund t’a zbulonte vetë këtë vendburim dhe jo ta jepte me konҫesion.

Flitet se këto puse, janë projektuar para 30 vjetësh nga specialistët e Institutit Gjeologjik, por me këto ritme të ulta shpimi, Shelli do dekada ta konturojë dhe vërë në shfrytëzim vendburimin, për të mos thënë të fundit që edhe mund të tërhiqet, sepse copa mund të mos jetë shumë e majme, dhe me këto ritme, kostua e zbulimit mund të rezultojë e lartë. Kjo ndodh sepse kompania nuk ka eksperiencë për shpime të thella në zonën tektonike Jonike dhe me sa kuptohet nuk i pëlqen konsultimi ose bashkëpunimi me specialistët tanë, të cilët qëndrojnë shumë lartë.

Nga eksperienca jonë e kërkimit, vërehet se vendburimet më të mëdha të zbuluara deri më sot në gëlqerorët e zonës tektonike Jonike janë vetëm dy, prandaj dhe struktura e Shpiragut mendoj se mund të jetë me të njëjtat përmasa si ato, por me rezerva shumë herë më të vogëla se ato që vjedh kompania Bankers Petroleum dhe hajdutët pas saj në pellgun naftëmbajtës Patos-Marinës-Kuҫovë. Ato dy venburime janë vërtet të fuqishëm dhe me sasi të mjaftueshme rezervash për vendin tonë, por me sa njoh unë nga eksperienca që kam në kompanitë e huaja, vështirë se Shelli mund të kënaqet me këto rezultate, sepse ato kanë kosto shumë të lartë dhe me një kontratë serioze shteti duhet të marrë gjysmën e prodhimit, pa përmëndur këtu ato që do festojë rajoni, siҫ premtoi k/ministri apo ato që do i vjedhin politikanët dhe qeveritarët. Kjo është një arsye më shumë që Shteti Shqiptar ka dështuar me futjen e investimeve të huaja në fushën e kërkimit, prandaj Kompania Nacionale e Naftës, Albpetrol, duhet të shikohet si zgjidhja e vetme dhe Industria e Naftës duhet të qëndrojë shtetërore, jo private. Qofsha i gabuar, por kompania Shell mund të vazhdojë më tej vetëm n.q.se Shqipëria do vazhdojë të qeveriset nga qeveri të korruptuara, si këto në 30 vite tranzicion, që i falën gjithë vendburimet e naftës kompanive konҫesionare dhe oligarkëve, që vetëm i vjedhin dhe i shkatërrojnë ato bashkë me klanin mafjoz të politikanëve dhe që nuk i paguajnë tatimin mbi fitimin shtetit. Por mos të harrojmë se ato i gjetën të gatëshme këto vendburime, nuk bënë investime kapitale për kërkimin dhe përgatitjen e tyre për t’i vënë në shfrytëzim, kurse kompania Shell po bën investime dhe mendoj se ato nuk do të jenë të vogla. Shpresoj që kompania Shell të mos pranojë politikan hajdut “aksioner” pas saj dhe të mos raportojë se po “punon me humbje”, si ato tjerat.

Prandaj ky zbulim nuk do të sjellë asnjë ndryshim në jetën ekonomike-sociale të popullit dhe ekonomisë kombëtare, sepse skemat mafioze korruptive të politikanëve dhe qeveritarëve do të jenë të njëjta, ashtu si ato në vendburimet ekzistuese të naftës, të cilat kanë qysh prej vitit 1994 ku nxirren sasira të konsiderueshme nafte, mendoj mbi 30,000 barrela/ditë dhe shteti merr gjoja vetëm taksën minerare 2% të sasisë të naftës që raportojnë zyrtarisht kompanitë konҫesionare, e cila nuk është e saktë. Ndërsa pjesa tjetër e fitimit nga shitja e saj në doganat tepër të korruptuara të qeverive të tranzicionit, pa përjashtim, ndahet vetëm midis konҫesionarëve dhe kokave kryesore të politikanëve apo qeveritarëve, që fshihen pas tyre si “aksioner” jo me paratë e tyre, por falas në këmbim të kontributit, që kanë dhënë në hartimin dhe aprovimin e parametrave të gabuara në këto marrëveshje hidrokarbure të dështuara.

Nesër do lexoni:

– Rezultatet e testimit të puseve të shpuar, në zonën e Shpiragut apo rreth tij, mesa duket nuk janë bindëse

Shqipëria është një vend me pasuri natyrore përrallore hidrokarbure dhe minerale të ҫmuara. 

 

-Puna heroike e specialistëve shqiptar, naftëtarëve dhe minatorëve në kërkim-zbulimin dhe vënien e tyre në shërbim të ekomomisë dhe mirëqënies popullit, e kanë renditur Shqipërinë ndër vendet më të pasura të Europës dhe në hartën minerare botërore