Nevoja për programe, objektiva dhe tekste mësimore të përbashkëta

1110
Prof. Dr. Lush SUSAJ

Pas një debate dhe bashkëpunimi të ngushtë e të sinqertë që zgjati 13 vite, e që do të vazhdojë gjithë jetën, u arrit që të njësohet dhe të botohet teksti mësimor i përbashkët me titull “Vreshtaria” që ka për bashkautor profesorët Bedri Dragusha, lektor i vreshtarisë në Universitetin e Prishtinës dhe Lush Susaj, lektor i vreshtarisë dhe ampelografisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Nisma për të pasur një tekst mësimor me tematikë, me përmbajtje dhe me terminologji të përbashkët ka lindur që ditën e parë që jemi takuar në Prishtinë dhe në Tiranë me profesorët dhe me specialistët e vjetër e të ri të kësaj fushe. Krijimi i programeve dhe teksteve mësimore të përbashkëta për të gjitha disiplinat mësimore e shkencore, është domosdoshmëri. Në këtë drejtim jemi tepër të vonuar dhe është puna e parë që duhet zgjidhur nga institucionet, profesorët dhe mësuesit e hapësirës shqiptare. Pavarësisht nga demagogjia në vite mbi bashkëpunimin arsimor dhe kulturor midis Shqipërisë dhe Kosovës, apo nga lëvizjet e shpeshta të shoqatave dhe ekspertizave nepotike që janë bërë sa për të bërë fotografi dhe filmime në shërbim të manipulimit të opinionit dhe të shpërdorimit të protokolleve dhe fondeve të bashkëpunimit, ka ardhur koha që kjo punë të zgjidhet në mënyrë serioze përmes një bashkëpunimi të sinqertë të specialistëve, mësuesve dhe profesorëve që mbulojnë programet mësimore dhe tekstet e disiplinave dhe fushave përkatëse. Në drejtim të njësimit të programeve dhe teksteve mësimore jemi në kufijtë e emergjencës. Programet dhe tekstet e përbashkëta janë një domosdoshmëri që buron nga nevoja për të pasur bazat e njohjes, të interpretimit, të implementimit dhe të bashkëpunimit në teknologji, në politikat zhvillimore dhe në arsimin dhe kulturën e vendeve tona dhe nga nevoja për më shumë njohje dhe integrim shoqëror, ekonomik dhe politik. Bashkëpunimi në këtë drejtim më shumë se për para dhe kronika televizive, ka nevojë për qartësi, për shpirt bashkëpunues dhe ndjenja të pastra kombëtare. Është koha që të punojmë për atë objektivin bazë të shkollës shqipe të artikuluar nga Luigj Gurakuqi, ish ministri i parë i Arsimit të Shqipërisë që në Dhjetor 1912, ku është shkruar: “Shkolla shqipe duhet të jetë në shërbim të çështjes kombëtare”. Më shumë se për para dhe ekipe shëtitëse nga Tirana në Prishtinë dhe anasjelltas, kjo zgjidhje ka nevojë për një angazhim të sinqertë të elitës dhe të stafeve të shkollave dhe universiteteve që punojnë në të dyja anët e kufirit gjeografik të shqiptarëve. Elita shqiptare i ka njohuritë, energjitë dhe të drejtën e Zotit për të integruar dhe unifikuar metodologjinë, terminologjinë dhe objektivat për shkencën, teknologjinë, kulturën, arsimin, letërsinë, historinë e çdo sferë tjetër të jetës shoqërore dhe politike në Shqipëri dhe në Kosovë. E themi këtë për faktin që, edhe pa pasur ndonjë shpërblim apo përkrahje ekonomike apo institucionale, me kolegun tim Prof Bedri Dragushën, që në vitin 2005 e filluam punën për të gjetur, seleksionuar dhe renditur në mënyrën sa më të kuptueshme të materialit shkencor të tekstit të përbashkët mësimor. Nuk është se ne kemi vepruar në një terren të zbrazët. Edhe më parë është punuar shumë, për fatin tonë të mirë asnjë nga studiuesit dhe hartuesit e programeve dhe teksteve mësimore në Shqipëri dhe Kosovë, nuk punon në kushtet e një boshllëku. Përkundrazi, unë dhe kolegu im nga Universiteti i Prishtinës, jemi formuar dhe rritur me shembullin, me programet dhe me tekstet e mëparshme të shkruara me shumë kujdes dhe dashuri nga profesorët tonë të paharruar si: Prof. Muharrem Pengili, Prof. Todi Gjermani, Prof. Petraq Sotiri, Prof. Pjerin Preka, Prof. Fadil Thomaj dhe Prof Bashkim Koronica. Në këtë kushte, puna për njësimin e programeve, terminologjisë, tematikave dhe teksteve mësimore për të gjitha disiplinat shkencore të hapësirës shqiptare bëhet edhe më e lehtë. Përvoja e mëparshme e universiteteve tona dhe arritjet botërore në këtë fushë na e bën më të lehtë punën për gjetjen e termave dhe të fjalëve sa më kuptimplota. Në këtë mënyrë, në tekstin e përbashkët mësimor, mendoj se janë zgjidhur drejtë disa probleme, në dukje të vogla e që inkurajojnë dhe lehtësojnë lëvizjen e studentëve midis universiteteve të vendeve tona. Në këtë frymë janë zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me të tilla emërtime si: veshul, bistak, kalavesh apo vile; cung, trup apo trung; lastarë apo pip; përdredhëse, varëse apo lozë; kultivarë, varietet apo sort rrushi; kimje, kitje apo krasitje etj. Unifikimi i termave, fjalëve, programeve dhe teksteve mësimore të disiplinave shkencore, ndikojnë në rritjen e numrit të studentëve që do të vijnë nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas. Kjo sepse studentët do ta kenë më të lehtë integrimin me ambientimin, me ngarkesën mësimore dhe me komunikimin. Programet dhe tekstet e përbashkëta mundësojnë edhe njohjen reciproke të diplomave dhe lehtësi të tjera konkurrimi dhe punësimi të specialistëve në të gjithë hapësirën shqiptare. Vonesat dhe pengesat në drejtim të programeve dhe të teksteve mësimore të përbashkëta nuk kanë më asnjë bazë shoqërore as politike. Përkundrazi, mungesa e tyre duhet të konsiderohet dhe trajtohet si problem burokratik, idiotesk dhe korruptiv. Publikimet shkencore dhe puna mbi bazën e programeve dhe të teksteve mësimore të përbashkëta, është puna më e madhe që duhet bërë për të normalizuar tregun e punës, tregun e vlerave shoqërore dhe intelektuale, tregjet ekonomike dhe të gjithë jetën shoqërore e politike të hapësirës shqiptare. Të gjithë biem dakord me faktin që kombi ynë ka nevojë që të arsimohet, të kulturohet, të zhvillohet dhe të përparojë në mënyrë integrale e të pandërprerë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit dhe platformave kombëtare integruese që kanë për bazë lirinë, fjalën dhe arritjet e elitës akademike e kulturore të vendit. Është koha që kohezioni dhe integrimi ynë arsimor, kulturor, ekonomik dhe politik të orientohet dhe të drejtohet nga elitat tona akademike, kulturore e shkencore të njohura e të certifikuara. Është koha që të shohim qartë e të vlerësojmë pasojat katastrofike të heshtjes së gjatë të elitës arsimore dhe akademike në Shqipëri dhe në Kosovë. Është koha për të kuptuar dhe për të shprehur hapur refuzimin e modelit administrative dhe politik të këtyre 20 viteve, në të cilat integrimi ynë arsimor, kulturor, ekonomik dhe politik u degradua në dorën e keqe të nepotizmit, të krahinizmit, të tribalizmit, të injorancës dhe të korrupsionit spontan e strukturor. Duke punuar me programe, me objektiva dhe me tekste mësimore të përbashkëta, jam i sigurt që do të mund të kapim kohën dhe rrugën e humbur, atë të shndërrimit të universiteteve tona në qendra të mirëfillta të krijimit të elitave progresiste dhe zhvillimore, të afta e të besueshme për të ndryshuar realitetin tonë ekonomik dhe politik. 


Sigal