- Pse falimentuan dy banka në SHBA dhe mësimet që dalin për ne?
- – Sistemi ynë bankar, ashtu si dhe sistemi bankar europian fatmirësisht zbaton rregullat Dodd-Frank.
- – Rritja e deritanishme e normës së interesit nga BSH , duhet të shoqërohet me një monitorim të kujdesshëm
- – BSH nuk duhet të rrisë më tej normat e interesit pa bërë një vlerësim të plotë të pasojave të rritjes së interesit në bankat e nivelit të dytë.
Ermelinda Meksi
Para disa kohësh, rregullatorët e bankave mbyllën Bankën Silicon Valley , në Santa Clara, Kaliforni. Falimentimi i saj është falimentimi i dytë më i madh në historinë e SHBA dhe më i madhi që nga kriza financiare e vitit 2008. Pak më vonë , rregullatorët mbyllën edhe Bankën Signature me bazë në Nju Jork.
Ndërsa nxituan të frenojnë pasojat, zyrtarët e tre institucioneve shumë të rëndësishme: Rezervës Federale, Thesarit dhe Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave njoftuan të dielën në një deklaratë të përbashkët se “depozituesit e bankës Silicon Valley do të kenë akses në të gjitha paratë e tyre duke filluar nga e hëna”. Një program i ngjashëm do zbatohet edhe për Bankën Signature.
Sipas tyre humbjet bankare nuk do t’i bartin taksapaguesit, por kush? Çfarë ndodhi? Dhe çfarë duhet mësuar?
Historia e rrënimit të Bankës së Silicon Valley :
Gjatë pandemisë, startup-dhe kompanitë e teknologjisë gëzuan fitime të mëdha, disa prej të cilave i depozituan në Banken e Silicon Valley, ndërsa me paratë e tyre, banka investoi kryesisht në bono thesari me afat të gjatë. Ky investim premtonte kthime të mira atëhere kur normat e interesit ishin të ulëta.
Por pak më shumë se një vit më parë, Rezerva Federale rriti normat e interesit nga gati zero në mbi 4.5 %.
Si rezultat:
1.Vlera e zotërimeve të bonove të thesarit nga Silicon Valley Bank ra për shkak se obligacionet e reja paguanin interes më të lartë.
2.Ndërsa normat e interesit u rritën, kompanitë sipërmarrëse duhej të paguanin më shumë për të marrë hua. Si pasojë, këtyre kompanive u duhej të tërhiqnin më shumë nga paratë e tyre në banka për të përballuar shpenzimet.
Por banka nuk kishte para të mjaftueshme për ta.
Në fillim të viteve 1930, të tilla situata bankare ishin të zakonshme. Por administrata e Roosevelt miratoi ligje dhe rregullore që u kërkonin bankave të kishin më shumë para likuiditet, duke u ndaluar atyre të investonin paratë e depozituesve të tyre për fitimet e tyre. Aprovimi i aktit Glass-Steagall, synonte sigurimin e depozitave dhe mbikëqyrjen e fort te bankave. Ky rregullim zgjati deri në vitet 1980, kur financuesit e Wall Street, duke parë potencialin për fitime të mëdha, shtynë çmontimin e këtyre rregulloreve qe kulmuan në 1999, kur Presidenti dhe Kongresi shfuqizuan edhe atë që kish mbetur nga Glass-Steagall.
Kriza financiare e 2008, me e madhja që nga 1929, ishte rezultat i drejtpërdrejtë i çrregullimeve financiare.
Në vitet 1950 dhe 60, periudhe kur bankat ishin të rregulluara sektori financiar përbënte vetëm 10 -15 % të fitimeve të korporatave të SHBA. Derregullimi e bëri sektorin financiar jashtëzakonisht fitimprurëse. Kështu në mes të viteve 1980, ai përbënte 30 % të fitimeve të korporatave, ndërsa në 2001 arriti 40 % ose katër herë më shumë se fitimet e bëra në të gjithë sektorin prodhues amerikan.
Pas shpërthimit të flluskës në 2008 dhe falimentimit të bankës Lehman Brothers,një paketë shpëtimi për Uall Street-in u mendua si mënyra e vetme për të shmangur një tjetër Depresion të Madh.
Administrata Obama shpëtoi Uall Street-in, por me një kosto të madhe për taksapaguesit dhe ekonominë. Vlerësimet e kostos së vërtetë të paketës së shpëtimit variojnë nga gjysmë trilion dollarë në disa trilionë. Rezerva Federale gjithashtu ofroi subvencione të mëdha për bankat e mëdha në formën e kredive praktikisht falas. Por shumë pronarë humbën shtëpitë, të cilat papritmas vlenin më pak se hipotekat e borxhit për to.
Paketa e rregulloreve të vendosura pas krizës financiare të 2008 (e quajtur Dodd-Frank) megjithatë nuk ishte aq strikte sa ligjet dhe rregulloret bankare të viteve 1930.
Ajo kërkonte që bankat t’i nënshtroheshin testeve të stresit nga Rezerva Federale dhe të mbanin një sasi minimale të parave të gatshme në bilancet e tyre për t’u mbrojtur nga goditjet, por nuk i ndalonte bankat të luanin me paratë e investitorëve të tyre duke bërë investime të rrezikshme për fitime të mëdha. Kjo për shkak të lobistëve të Wall Street-it, me donacione bujare për fushatat elektorale.
Sa më sipër spjegon falimentimin të premten të Bankës Silicon Valley.
Çdo ekonomist i mirë e di se kur Rezerva Federale rriti normat e interesit, aq shumë dhe aq shpejt, disa nga bankat që kishin investuar në bonot e thesarit do të tkurreshin.
Pyetja që bëhet është :- Pse nuk ndërhynë rregullatorët? Kjo ngjarja na kujton se edhe mbrojtja e dobët që ofronte paketa rregullatore e quajtur Dodd-Frank u hoq nga presidenti Trump, i cili në vitin 2018 nënshkroi një projektligj që reduktoi kontrollin mbi shumë banka dhe hoqi kërkesën që bankat më aktive nën 250 miliardë dollarë t’i nënshtroheshin testimit të stresit dhe uli sasinë e parave qe duhet të mbanin në bilancet e tyre për t’u mbrojtur nga çdo goditje . Kjo çliroi bankat më të vogla si Silicon Valley Bank (dhe Signature Bank) – të investonin më shumë nga depozitat e tyre dhe të bënin më shumë para për aksionerët e tyre dhe drejtuesit e bankave (CEO dhe bordet)
Ndikmi në Europë i rënies së dy bankave amerikane
Sipas Komisionerit të BE, Paolo Gentiloni BE po “monitoron situatën në kontakt të ngushtë” me Bankën Qendrore Evropiane.
Kurse Antonio Fatas, profesor i ekonomisë në shkollën e biznesit INSEAD nuk sheh një rrezik sistemik në Evropë as nga falimenti i SVB.
Sipas tij : “Dallimi themelor është lloji i rregullimit dhe testet e stresit, që ne bëjmë në Evropë janë më të rrepta”.
Dy mësime pas kësaj për sistemin tonë bankar:
- Rritja e deritanishme e normës së interesit nga BSH , duhet të shoqërohet me një monitorim të kujdesshëm të bankave që kanë investuar shumë në bono thesari.
- Në zbatim të objektivit të saj për mbajtjen nën kontroll të inflacionit, BSH nuk duhet të rrisë më tej normat e interesit pa bërë një vlerësim të plotë të pasojave të rritjes së interesit në bankat e nivelit të dytë.
Sistemi ynë bankar, ashtu si dhe sistemi bankar europian fatmirësisht zbaton rregullat Dodd-Frank, të cilat pas një periudhe të gjatë të normave të ulëta të interesit duket se kanë nevojë për reflektim të kujdesshëm.
Siguria e depozitave ecën paralel me mbikqyrjen rigoroze të bankave si institucione publike.