“U tmerruam nga zhurma”.
Këto janë fjalët e një prej banorëve të pallatit ku fshihej i shumërkërkuari Nuredin Dumani, të cilët janë bërë dëshmitar ditën e djeshme të një arrestimi të bujshëm nga policia në Fier.
Duke folur sot për mediat, fqinjët kanë deklaruar se banesën me qira Nuredin Dumani e kishte marrë para një jave.
“Tmerr, tmerr, tmerr. Me sende të forta po i binin dyerve dhe te komshia e atje ku ka ndodhur ngjarja. Ata jetonin në katin e katërt, në katin tre jetoj unë. Vetëm zhurmë dëgjuam që i binin me mjete të forta derës”, tha një banore e pallatit.
Mësohet se Dumani jetonte me një vajzë me shtetësi të huaj. Në katin e fundit të pallatit në Fier, Dumani jetonte prej disa ditësh, teksa ruhej nga 40-vjeçari Henrik Hoxhaj, i cili gjithashtu u arrestua nga policia dje me një pistoletë në brez, në oborrin e pallatit.