Festohet me madhështi, në Muzeun Historik Kombëtar, 78-vjetori i shkollës “Skënderbej”

250

Dashuria për këtë shkollë elitë, denoncimi i një grupi përçarës dhe historia e shkollë legjendë, sjellë nëpërmjet  kolanës 5 volumëshe, të autorëve Boriçi e Fejzulla, pjesëmarrja dhe mesazhet, treguan realitetin e vlerave të skënderbegasve dhe shoqatës “Skënderbej”-Nderi i Kombit.

Sigal

Ceremonia e 78-vjetorit të Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, zhvilluar më 28 mars 2023, në Muzeun Historik Kombëtar, nën okelion “Historia e një shkolle legjendë, nëpërmjet kolanës me 5 volume të autorëve Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla, me pjesëmarrjen qindra (skënderbegas, pedagogë e komandues, funksionarë të lartë shtetërorë, deputetë etj, (trefishi i kapacitetit të sallës ishte në këmbë e holle), ishte një manifestim i shkëlqyer i armatës së skënderbegasve.

AKTIVITETI

Organizatorët e këtij aktiviteti mbresëlënës ishin, Shoqata “Skënderbej”-Nderi i Kombit; Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë; Drejtoria e Muzeut Historik Kombëtar; Shtëpinë Botuese “Enja”. Përshëndetën apo kumtuan: Rifat Marsela, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Skënderbej, që çeli aktivitetin; Prof. As. Dr. Bernard Zotaj, që bëri një kujtesë të shkurtër të historikut të shkollës “Skënderbej”, sjellë nëpërmjet volumeve të kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”; Z. Alfred Moisiu, ish-President i Republikës së Shqipërisë; Veli Myftari, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Veteranëve të Luftës Nacioanl Çlirimtare; Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, ish-skënderbegas; ish-skënderbegasi, sot deputet i Parlamentit të Shqipërisë, z. Xhemal Qefalia; Thoma Konduri, President Nderi i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë; skenaristi dhe poetin i talentuar, Bashkim Kozeli, ish-skënderbegas që interpretoi enkas, poezi për skënderbegasit; publicisti Pandeli Bardhi, ish-skënderbegas; Anjeza Musollarin, Drejtoreshë e Botimeve në Ministrinë e Mbrojtjes; juristja, pedagogia e poetetja Albana Jeminaj, vajzë ish-skënderbegasi e pedagogu; piktori i njohur, ish-skënderbegas,  përfaqësues i shoqatës ‘Skënderbej’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; shkrimtari e publicistin i njohur, Shpend Topollai, që denoncoi me emra konkret personat dhe interesat që synojnë të përçajnë shoqatën ‘Skënderbegasi’; Dhanil Reveli, Kryetar i Shoqatës ‘Skënderbegasi’ etj… Aktiviteti, u ndoq dhe u pasqyrua hollësisht, nga media televizive dhe ajo e shkruar.

PËRSHËNDETËSIT E REFERUESIT

Alfred Moisiu, ish President i Republikës: “…Vlerësoj organizatorët e këtij aktiviteti, me këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme ish-skënderbegasish, familjarë të tyre, miq e shokë të shumtë, për një shkollë me histori për arsimin ushtarak shqiptar e kombëtar. Është një punë kolosale, profesionale dhe e përgjegjëshme e autorëve Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla, që në kolanën me pesë volume, “Skënderbegasit ndër vite…”, kanë dhënë një monument me vlera për sot e brezat që do të vijnë… Ta mbajmë lart dinjitetin e skënderbegasve dhe ushtarakëve, si shtresë elitare e vendit, që në çdo kohë, kanë vënë në plan të par interesat e vendit dhe të kombit…”

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ: “Po mbushen 31 vite që nuk ka më Shkollë të Mesme Ushtarake “Skënderbej”, nuk ka më skënderbegas, imazhi i adoleshentëve me uniformë. Kjo i përket të kaluarës. Por shkolla “Skënderbej” tashmë ka hyrë në historinë e kombit dhe në këtë histori një kontribut të rëndësishëm e të veçantë kanë dhënë skënderbegasit Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla. Këta me kolanën e pesë vëllimeve vuluminoze i kanë ngritur një përmendore të madhe, krahas përmendores së Skënderbeut në sheshin qendror të vendit në mes të Tiranës. Këto vepra do të rrojnë në shekuj dhe brezat do të krenohen dhe do ta lartësojnë më tej figurën e skënderbegasit, modelit të patriotizmit shqiptar.

Dede Edmond Brahimaj: “…Figura të shquara burra dhe gra, që kanë lënë gjurmë e mbresa në këtë shkollë  të cilët janë trajtuar pa ju rënë pluhuri i harresës nepermjet kolanës 5 volumëshe ” Skënderbegasit në vite”  nga autorët Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla. Falenderime e mirënjohje që edhe pse kanë kaluar dekada tashmë janë pikërisht këta autorë të palodhur që e rikujtojnë këtë shkollë e këta ushtarakë që dhanë një pjesë të shpirtit të tyre në misionin patriotik që ndërmorën… Në cilësitë e Kryegjyshit Botëror Bektashian dhe si ish-skënderbegas, jam i lumtur t’iu bekoj e përshëndes, dhe të jem sot mes jush në këtë eveniment të rëndësishëm, mes skënderbegasve, ushtarakëve shqiptarë, shtresës më vitale të shoqërisë sonë, që historikisht, më shumë se kushdo tjetër, kanë qenë e mbeten pjesë e rëndësishme e devizës shpirtërore bektashiane ‘Pa atdhe nuk ka fe’…”

Thoma Konduri, President Nderi i SHKURSH: “..Kolana është enciklopedi sepse ka shumë bashkautor që sjellin qindra fakte e histori të karaktereve të ndryshme e që betonojnë lavdinë e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”. ..Obelisku i ndërtuar nga Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla është një dhuratë e madhe e morale, shpirtërore dhe intelektuale për 47 brezat e skënderbegasve, një memorial i pasur për shkollën si dhe një dokument i rëndësishëm historik për Ushtrinë dhe arsimin shqiptar…”

Veli Myftari, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit të Veteranëve të LANÇ: “…Ne duam të përgëzojmë gjithashtu veçanërisht shkrimtarët e palodhur Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla për realizimin e vëllimit të V të kolanës së njohur për historinë e kësaj shkolle. Dimë të gjithë historinë e shkollës sonë siç edhe u përmend këtu, që pati si nxënës të parë bijtë e popullit shqiptar, që morën pjesë në luftën nacional-çlirimtare  pa asnjë interes material me devizën e dalë nga Konferenca historike e Pezës “Bashkimi i Popullit shqiptar pa dallim feje, krahine dhe ideje”, me të cilën ajo pjesë vitale e popullit rreshtuar në formacionet e ndryshme ushtarake partizane bëri të mundur çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi fashistë në kuadër edhe të luftës botërore në frontin antifashist botëror me në krye Angli BRSS SHBA…”

Pandeli Bardhi, publicist: “…Ç’do kush sot, qё kujton skënderbegasit ish-komandantё, komisarё, gjeneralë e ushtarakë madhorë, komandantë, specialistë, pilotë e detarë të shquar, ministra, profesorë e shkencëtarë, deputetë e artistë të mëdhenj, sportistë e mjeshtra sporti, ambasadorë, poetë e shkrimtarë, gazetarë, biznesmenë, politikanë etj (pasqyruar denjësisht e hollësisht në kolanën e Boriçit & Fejzulla), ndjen njё krenari tё ligjshme pёr kontributin e tyre, pёrpjekjet dhe djersёn e derdhur qё krahas tё tjerave, kanё edhe merita tё padiskutueshmё qё e kanё bёrё aq tё njohur Shqipёrinё edhe nё arenёn ndёrkombёtare…”

Maksim Fejzulla, bashkautor i librit: “…Duke parë këtë vlerësim tuajin, mua e Kujtim Boriçit,  na bëhet disi më e lehtë barra e stërmundimit të gjatë, për të arritur deri tek volumi i kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”, ndërsa konceptimi i kujtimit të përvjetorit të 78-të të shkollës sonë të dashur, nëpërmjet librave që unë e Kujtimi përgatitëm, është sadifaksion i veçantë. Këtë realitet skënderbegas, këto vlerësime që u dhanë edhe sot, por dhe analizat e historianëve e publicistëve të njohur të vendit që janë përherë më prezente, na le të shpresojmë që rihapja e shkollës së lavdishme “Skënderbej”, në një formë ndryshe ndofta, në përputhje me realitetet historike e gjeostrategjike ushtarake të kohës, të mos mbetet thjeshtë një dëshirë… Le të shpresojmë dhe luftojmë të gjithë për këtë.

Dhanil Reveli, President i Shoqatës “Skënderbej”: “…I falënderoj të gjithë, autorët, ju pjesmarrës dhe u garantojmë se me punën tonë, të gjithë së bashku, do e mbajmë lart emrin e nderin e shkollës “Skënderbej” e skënderbegasve, duke e çuar më para…”.

Ka vetëm një shoqatë Kombëtare “Skënderbegasi”, “Nderi i Kombit”. Karshillëku i Adem Hajdinit, ka mision vetëm përçarjen!

Ja kush i përçanë skënderbegasit dhe pse!

 

Shpendi Topollaj

Shkrimtar, ish-Skënderbegas

 

Ka vetëm një shoqatë Kombëtare “Skënderbegasi”, “Nderi i Kombit”. Së pari, më lejoni t`u sjell urimet më të përzemërta nga të gjithë ish skënderbegasit e Durrësit dhe të përgëzoj autorët e këtyre librave enciklopedikë, që duke pasur parasysh postulatin romak “Verba volant, scripta manent”, pra “Fjalët i merr era, e shkruara mbetet”, do ta mbajnë të gjallë atë shkollë lavdiplote ndër breza. Personalisht, gjithmonë jam ndier krenar që duke folur për vlerat e larta të shkollës tonë ushtarake “Skënderbej”, kam theksuar dashurinë, harmoninë, sinqeritetin dhe besnikërinë mes vëllezërve skënderbegas. Dhe kurrë nuk më ka shkuar ndërmend se pas 25 vjetësh, nën drejtimin e mençur e plot përkushtim të Dr. Shk. Mikado Shakohoxha, dhe pas akordimit që iu bë shoqatës tonë të titullit të lartë “Nderi i Kombit”, do ta festonim 78 vjetorin të ndarë më dysh; ku veç nesh, njëri grupim, ai me kryetarin e vetëzgjedhur, shokun tim Adem Ajdini na bën karshillëk nga një sallë tjetër. Në kushtet kur si për të vërtetuar profecinë e Gjergj Fishtës, nuk ka parti, shoqatë apo organizatë që të mos jetë përçarë, shoqata jonë që nuk deshi t`ia dijë as për bindjet politike, ishte shembulli më domethënës i unitetit e mirëkuptimit mes anëtarëve të saj, të gjithë të barabartë, për çka flet jo vetëm kjo pjesëmarrje impresionuese në këtë sallë madhështore, por edhe botimi në seri i librave voluminozë të autorëve të palodhur Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla që po promovojmë sot. Por një vendim absurd i gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë me Nr. 7068 dt. 22.02.2023, paska miratuar shoqatën “Shkolla ushtarake “Skënderbej”, e cila u mbështeska nga Ministri i Mbrojtjes dhe Qeveria shqiptare dhe pretendoka se do të ecë sipas filozofisë së Martin Luter Kingut. Etika së pari, por edhe qenia ime shkrimtar, nuk më lejojnë që këtë përpjekje aspak korrekte ta stigmatizoj me fjalët që meriton, por nuk mund të rri pa thënë se ky është më e pakta një diversion që na bëhet dhe që shkel mbi nderin dhe reputacionin tonë, gjënë më të shenjtë që ne skënderbegasit kemi. Më shumë se syleshllëku tipik i gjykatës që merr vendime absurde paralele, për një çështje të njohur botërisht, duhet shfaqur e gjithë neveria jonë ndaj çdo veprimi, që synon të realizojë përfitimet e biznesit personal e meskin nga emri i lavdishëm i shkollës “Skënderbej”. Ne oficerët skënderbegas që e quanim gjithmonë njëri – tjetrin vëlla dhe që nuk patëm asnjë smirë, zili apo kundërvënie sa ishim në detyra dhe na joshte karriera, si mund ta pranojmë dhe të mos e demaskojmë këtë situatë që na turpëron, sot, kur nuk kemi asnjë lloj interesi? Shoqata jonë e ka zgjedhur demokratikisht kryesimin e saj nga Dhanil Reveli kryetar dhe Rifat Marsela sekretar i Përgjithshëm, dhe kushdo që ka ndonjë qejfmbetje apo ambicje, le të vijë e të zërë vendin tim si nënkryetar, nga i cili jam i gatshëm menjëherë të jap dorëheqjen. Rroftë shoqata Kombëtare “Skënderbegasi”, “Nderi i Kombit”, gëzimi, krenaria dhe mburrja jonë e përjetëshme!