Festë shqiptare në Athinë, promovohet “Skënderbegasit ndër vite…” i Kujtim Boriçit e Maksi Fejzulla

1054
Enver HAJDARI
Kristo HYSOLLI
Merrnin pjesë ushtarakë shqiptarë në Athinë, atasheu ushtarak, gazetarë, 
shkrimtarë, artistë e dhjetëra të ardhur nga Tirana e qytete të tjera të Shqipërisë
Promovimi i librit “Skënderbegasit ndër vite…” i autorëve Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla, pjesa e dytë, organizuar në një nga mjediset e zgjedhura në ‘Omonia’ të Athinës të dielën që shkoi, përveçse një vlerësim për këtë libër cilësor dhe punën profesionale të autorëve, u kthye në një manifestim kulturor nga pjesëmarrës të shumtë, ushtarakë në emigrim prej kohësh në Greqi, dhjetëra të tjerë që udhëtuan me autobusë e mjete të ndryshme nga Shqipëria për në vendin fqinj enkas për këtë aktivitet, gazetarë e shkrimtarë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Athinë, përfaqësues të ambasadës shqiptare në Greqi, miq të autorëve, gazetarë etj… Gjatë 3-4 ditëve në kryeqytetin helen, pikërisht në qendrën e tij, ashtu si dhe në mjediset ku u zhvillua aktiviteti të dielën, nuk mungoi dhe kënga labe e këngë të tjera shqiptare. Sigurisht, në mbarëvajtjen e tij, duke paraprirë me masa konkrete, meritë ka Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë e Shqipërisë, dega e saj në Athinë, Shoqata e Ushtarakëve të Sarandës, Shoqata Kombëtare “Skënderbegasi”, dega e saj në Athinë dhe komuniteti i ushtarakëve, gazetarëve e intelektualëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Siç pohuan për “Telegraf” disa nga të pranishmit, për nga pjesëmarrja dhe mënyra e organizimit, ky aktivitet promovues, i konceptuar në formën e spektaklit, është ndër më të arrirët e organizuar për më shumë se dy dekadat e fundit për librat e autorëve nga Shqipëria e, ndoshta dhe më gjerë.

Aktiviteti promovues
Takimin që nisi në orën 11”00, e hapi Kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë Dega Greqi, z. Aqif Bozhiqi. Në vazhdim e morën fjalën z. Thoma Konduri, Kryetar i SHKURSH, z. Ernest Naçe, Atasheu Ushtarak i Shqipërisë në Greqi, z. Ardjan Daullja, Kryetar i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Greqi, z.Anastas Guma, Kryetar i Shoqatës Aleanca Kombëtare, Dega Sarandë, z Kristaq Hysolli kryetar i Shoqatës “Skenderbegasi” në Athinë, z.Subi Hidaj, z. Abdurrahim Ashiku gazetar dhe ish-skënderbegas, Koço Pirali, ushtarak emigrant në Athinë etj… “Sihariqin për këtë eveniment ne e mësuam nga gazeta ‘Telegraf’ dhe nga mediet televizive të Shqipërisë, referuar asaj. Është një festë për të gjithë ne, emigrantët që kemi ikur që para më shumë se dy dekada. Ndaj, kemi ardhur këtu familjarisht, të gëzohemi për këta dy libra të mrekullueshëm, por dhe të çmallemi me njeri-tjetrin. Ju ndoshta në Shqipëri nuk e kuptoni plotësisht ndjenjën tonë, faktin që sot ne po derdhim dhe lot, por ky aktivitet i mrekullueshëm ka vlera shumë të mëdha. Ju faleminderit!”- pohoi mes të tjerave Koço Pirali. “Gëzimi im është i dyfishtë, së pari, si nëpunës i shtetit, që ndjej detyrim të marr pjesë e të kontribuoj në këtë aktivitet në shërbim të historisë e kulturës sonë, dhe së dyti, si ish-skënderbegas që ka mësuar dhe është edukuar në këtë shkollë me vlera. Aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme, me vlera të pallogaritshme dhe duhet të jenë në vazhdimësi..”- pohoi mes të tjerave Ernest Naçe, atasheu ushtarak i Shqipërisë në Greqi. Z. Kujtim Boriçi, njëri nga autorët e librit, foli për punën dhe sakrificat që ju deshën të bënin për të mbledhur materialet e dy pjesëve të para të librit ” Skënderbegasit ndër vite”. I emocionuar që ndodhet midis ish-skënderbegasve në Athinë, z Boriçi foli për arsyet kriminale që çuan qeverinë e kohës në vendimin absurd të mbylljes së shkollës “Skënderbej”. Ky ishte një vendim në dëm të interesave kombëtare shqipëtare. Ai premtoi se volume të tjera do të dalin në të ardhmen. Diskutantët kujtuan me nostalgji dhe emocione të fuqishme ato vite fëmijërore të jetës së tyre në “Fidanishten e Ushtrisë” siç quhej ndryshe shkolla jonë ushtarake “Skënderbej”. U përmendën shokët e klasës, kuadrot që na u bënë prindër dhe na përgatitën ushtarakisht. Mësuesit e palodhur që së bashku punuan në krijimin e karaktereve tona të forta. Iu bë homazh shokëve tanë ish – skënderbegas që dhanë jetën në krye të detyrës, atje ku Atdheu i thirri. Nga bankat e kësaj shkolle kaluan mbi 36 mijë skënderbegas, të cilët kudo ku kalonin populli i shikonte me respekt, i nderonte e krenohej me ta. Populli i shikonte në veprat madhështore si Hidrocentrali i Fierzës e Komanit, në hekurudhat dhe tarracat e Lukovës e Ksamilit… Në vazhdim të diskutimeve, një këngë e re labe për skënderbegasit, me zë të parë Subi Hidën, shoqëruar nga grupi lab, elektrizoi gjatë sallën. 

Përmasat e aktivitetit
Për të kënaqur pjesëmarrësit në këtë aktivitet të rëndësishëm, organizatorët ishin përkujdesur që më parë, duke përgatitur dhe një guidë turistike, ku gjatë këtyre ditëve, u vizituan objektet kulturore e historike të Athinës, të Selanikut, të Kallabakës, Lamias, Janinës etj… Ciceronë, por dhe shumë emigrantë që jetojnë prej vitesh në vendin fqinj, u ofruan të pranishmëve të dhëna e kuriozitete të shumta për vendet historike e ngjarje kulure, ku në një formë apo një tjetër, kanë dhe lidhje me historinë e Shqipërisë e shqiptarëve. Me shume interes ishin kontaktet në qyteza e fshatra me origjinë arvanitase, ku ndeshej jo vetëm ruajtja e traditës shqiptare, por dhe mbajtje e emrave të trevave shqiptare nga ishin. Po gjatë këtyre ditëve, organizatorët bashkërenduan projekte të tjera me një numër aktivitetesh në bashkëpunim me komunitetet e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
“Promovimi i librit “Skënderbegasit ndër vite…” i autorëve Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla, pjesa e dytë, organizuar në një nga mjediset e zgjedhura në ‘Omonia’ të Athinës të dielën që shkoi, përveçse një vlerësim për këtë libër cilësor dhe punën profesionale të autorëve, u kthye në një manifestim kulturor nga pjesëmarrës të shumtë, ushtarakë në emigrim prej kohësh në Greqi, dhjetëra të tjerë që udhëtuan me autobusë e mjete të ndryshme nga Shqipëria për në vendin fqinj enkas për këtë aktivitet, gazetarë e shkrimtarë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Athinë, përfaqësues të ambasadës shqiptare në Greqi, miq të autorëve, gazetarë etj… Gjatë 3-4 ditëve në kryeqytetin helen, pikërisht në qendrën e tij, ashtu si dhe në mjediset ku u zhvillua aktiviteti të dielën, nuk mungoi dhe kënga labe e këngë të tjera shqiptare”
Sigal