Fermerët në Dimal ngrihen në protestë: Nuk kemi ujë për vaditje, po falimentojmë

188
Sigal

Fermerët e fshatit Drenovicë, të Dimalit kanë kohë që vuajnë problemin e vaditjes së serave që janë të mbjella me perime.

Për këtë arsye ata janë ngritur këtë mëngjes në protestë dhe bëjnë thirrje që problemi i tyre të marrë zgjidhje menjëherë.

Fermerët shprehen se mungesa e ujit po i çon drejt falimentit, pasi siç shihet edhe nga pamjet të mbjellat u janë tharë.

“Nuk na hapin portën e çeliktë që të vadisim dhe ne. Uji i lumit shkon deri në një pjesë të fshatit që i furnizon me ujë për të vaditur, ndërsa tek ne nuk e lëshojnë.

Për këtë arsye disa nga fermerët nuk kanë paguar taksat, dhe nga këta penalizohemi dhe ne.

Ne jemi taksa pagues të rregullt nuk i kemi asnjë lek borxh bashkisë së Dimalit, prandaj ne duam që të na furnizojnë me ujë për të vaditur serat tona të cilat janë drejt tharjes. Siç shihet dhe nga kamera serat me domate janë tharë, kjo sepse duhet të vaditen.

Prandaj i bëjmë thirrje bashkisë Dimal që të zgjidhin këtë problem sepse jemi drejt falimentimit.

Prodhimet tona nuk bëjnë më as për të nxjerr në treg, ato janë tharë. Kemi investuar shumë për të mbjell serat, por tani ne nuk kemi as ujin për të vaditur.

Nëse bashkia e Dimalit nuk e zgjidh këtë problem për dy ditë çdo gjë në të mbjellat tona merr fund më pas do i drejtohemi ministrisë Bujqësisë,” shprehen të shqetësuar banorë.