Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje fermerëve që të pajisen me NIPT për të përfituar nga nisma e qeverisë për naftë pa taksa. Ai bëri me dije se kanë nisur procedurat ligjore nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
“NAFTË PA TAKSA për të gjithë fermerët e pajisur me NIPT ka nisur me garën e shpallur nga Ministria e Bujqësisë, si edhe me nxitjen për të gjithë fermerët e papajisur me NIPT, që të nxitojnë ta marrin, ju uroj një muaj të mbarë”- shkruan kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.
Në konferencën për shtyp të 13 tetorit, ai do të lajmëronte se nga 2021 fermerët do të përfitonin naftën për punimin e tokës pa akcizë, pa taksën e qarkullimit dhe pa taksën e karbonit. Gjithashtu, kryeministri do të premtonte se 70 mijë fermerë që disponojnë një NIPT do të jenë potencial për të përfituar nga regjimi i ri për të përfituar karburantin falas për punimin e tokës. Ai shpjegoi se është përcaktuar një formulë për përfitimin e karburantit falas për punimin e tokës. Nuk do të ketë nevojë për burokraci, mjafton regjistrimi on line përmes NIPTIT.