Favorizoi akulloret e skaduara, kallëzohet penalisht kreu i AKU

186
Sigal

Kallëzohet  në Prokurori kreu i AKU, Bledar Skënderi

Bledar Skënderi, kreu i AKU, është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për shpërdorim detyre.

Sipas KLSH, Skënderi nuk ka vepruar lidhur me bllokimin e menjëhershëm të rreth disa ton akullore, për të cilat sistemi RASFF, kishte njoftuar për praninë e lëndëve kancerogjene. Skandal ky që është pasqyruar disa herë në “Telegraf” . Problematikë që duhet adresuar është dhe fakti që Inspektorë të AKU sapo mbaruan zgjjedhjet e 25 Prillin iu sulën bizneseve duke gjobitur me vulën e shtetit.

Në njoftimin zyrtar thuhet se “duke marrë shkas nga problematika e trajtuar në disa media, për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, KLSH ushtroi jashtë programit vjetor të miratuar, auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me objekt: ”Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) për përdorimin e paautorizuar të substancës “oksid etileni” në prodhimin e produktit ”Akullore” (importuar dhe tregtuar në tregun shqiptar), deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj””.

Nga auditimi i ushtruar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit të drejtuar prej tij.

Këto produkte, sipas AKU, kanë hyrë në Shqipëri në periudhën mars-maj 2021, para se BE të jepte alarmin. Ndërkohë që veprimi i AKU lidhur me tërheqjen nga tregu të produkteve të rrezikshme është bërë disa javë më pas. Kështu Bashkimi Europian dha alarmin lidhur me akulloret kancerogjene më 31 korrik 2021, ndërkohë që AKU nisi të marrë masa më 13 gusht, kur nxorri njoftimin e parë, pra me dy javë vonesë, ndërkohë që referuar stinës së verës e cila ka qarkullim të produktit, duhej të ishin marrë masa të menjëhershme.