Faturat fallco të insulinave, gllabërojnë 1.3 miliardë

626
Flitet për një skandal të rëndë, që ka si objekt dhe subjekt ilaçet që kanë lidhje me fatin e pacientëve që luftojnë me vdekjen, ilaçe të cilët i kontrollon një “rezidencë abuzive”, me “buton” në kupolën e ministrisë së Shëndetësisë dhe me “thonj” korrupsioni që veprojnë në depo farmaceutike legale e ilegale, në farmaci bosësh të shtetarëve e sekserëve të lidhur me shtetarët e politikanët shqiptarë madje edhe në spitale me “logo” të huaja që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, brenda të cilëve janë aksionerë përfitues e kontrollues “kollarexhinj” të shtetit 
Arrestimi i “cironkave”, lojë për të fshehur peshkaqenët e skandalit të ilaçeve
Pa bërë komente, kujtojmë se arrestimi i bujshëm i drejtuesve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) të Tiranës, si dhe i disa nëpunësve të lartë të drejtorisë qendrore të këtij shërbimi shtetëror, duket se do të pësojë fatin e një tjetër mega-grabitjeje, asaj të Bankës së Shqipërisë. Pavarësisht nga shuma e grabitur, ajo që është e rëndësishme për t’u theksuar, ka të bëjë me faktin, se në të dy rastet personat e implikuar ose janë të afërm të pushtetarëve, ose familjarë të tyre. Kështu që, fati i hetimit, gjykimit dhe vendosjes së drejtësisë është i parashikuar, ose më saktë i paracaktuar: Pak demagogji dhe asnjë prekje e bosëve reale të kupolës së skandalit të vjedhjes së rimbursimit të ilaçeve, siç ndodhi me skandalin e Bankës dhe me 317 skandalet e rënda ekonomike financiare të kanë ndodhur në këto 23 vite në Shqipëri, me autorë krerët e lartë të shtetit dhe familjarët e tyre. Por le të përqendrohemi tek skandali më i fundit, shuma e të cilave flitet se arrin mbi 40 milion euro. Por kjo shumë, nuk hetohet dhe investigimi i cili duhet të shtrihet në vite dhe në të gjitha rrethet e vendit, madje në të gjithë farmacitë deri në skajet më të largët të zonave rurale është bllokuar nga “harresa” e… qëllimshme dhe nga porositë e shtetarëve të zhytur në këtë skandal, pasi në këtë marrëzi janë përfshirë persona të veshur me pushtet politik dhe familjarë të tyre. U arrestua dhe mbahet në burg një farmacist, a thua se të gjithë katrahurën dhe milionat e këtij skandali gjigand i paska grabitur një i vobektë, që në gjuhën popullore thuhet se është “vrima e fundit e kavallit”. Ku janë urdhëruesit, firmëtarët, importuesit, magazinuesit, kontrolluesit, licencuesit, ata që kanë firmosur e vulosur recetat, ata apo ato, që kanë qarkulluar urdhër-xhirimet e pagesave fiktive të rimbursimit të ilaçeve?! Ku janë depot importuese? Po ato shpërndarëse, që janë furnizuar nga depot importuese? Po farmacitë e veçanta që punonin vetëm me këto receta false që injektonin miliarda lekë vjedhje në xhepat e atyre që kishin ideuar dhe realizonin këtë mega-skandal, këtë krim financiar? Ku janë vulat e mjekëve që u përdorën për recetat false? Përse heshtet, për ata që i mblodhën me dhunë e me “marifet” të inskenuar vulat personale të mjekëve specialistë e që në vend të tyre shpërndanë gjoja vula të reja. Përse nuk u asgjësuan 193 vulat e vjetra në komision publik e madje publikisht në sy të mjekëve që i kishin, apo duheshin, që me to të plotësoheshin recetat dhe procesverbale që gatuan dhe fshehën grabitjen e ilaçeve të qytetarëve, të cilët po vdesin në spitale, për shkakun e vetëm se batakçinjtë e sektorit të shëndetësisë nuk çojnë kokërr ilaçi apo flakoni gjaku në spitale e urgjenca?! 
Ja skema e skandalit të vjedhjes së miliardave, me 160 mijë insulina që rezultojnë vetëm në letra
Një rast, që po tentohet të kalohet në heshtje ka të bëjë me skandalin dhe babëzinë e grabitjes së insulinave dhe vjedhjes ordinere të tyre me mbështetjen e drejtuesve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nëpërmjet një mekanizmi të thjeshtë, për atë që e kupton apo ka dëshirën ta kuptojë. Po cili është ky mekanizëm? Depot importuese në Shqipëri, blejnë një sasi të caktuar në rastin konkretë “insulina” nga kompanitë prodhuese në Europë, apo edhe amerikane, por që kanë filiale në Europë. Sigurisht, që këto firma i kanë të regjistruara insulinat e importuara dhe madje të shoqëruara me dokumentacionin përkatës, si leje importi, hyrje në doganë, regjistrimin në Qendrën e Barnave, së bashku me dosjet përkatëse etj. Me pak fjalë, me letrat që bëjnë bosët e këtij skandali, gjithë procedura e kryer, që nga porosia e deri në mbërritjen tek depot importuese duke përfshirë edhe kalimin në dogana, është e rregullt dhe në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar. Babëzia dhe maskarada, fillon pikërisht në momentin që firma e ka futur mallin në magazinën e saj dhe përgatitet ta hedh në treg për shitje. Në këtë çast, vjen një depo farmaceutike e u blen sasinë e insulinave kompanive dhe nis të bëjë shitjen e tyre në mënyrë fiktive, pra me letra false sikur shet realisht. Nëse 5 kompanitë që sjellin insulina në Shqipëri, kanë futur në tregun farmaceutik shqiptar 60 mijë insulina, kompania e cila i bleu të 60 mijë insulinat, ka plotësuar fatura, sikur të jenë shitur 220 mijë insulina, ose 160 mijë më tepër! Pra, si ka mundësi, që ndërsa në Shqipëri kanë hyrë 60 mijë insulina, me fatura tatimore të shitura rezultojnë edhe 160 mijë insulina më tepër?! Ne do të shpjegojmë më poshtë me fakte konkrete, këtë mekanizëm i cili i shkakton taksapaguesve shqiptarë, humbje financiare (vjedhje) në shuma që arrijnë miliarda lekë, të destinuara të shpenzohen për blerje ilaçesh, por që në fakt nuk janë shpenzuar mbasi faturat e blerje-shitjeve janë fiktive. Depoja e dytë, që i ka blerë këto insulina, ia shet depove shpërndarëse ose direkt farmacive, vetëm si fatura (letra), kundrejt një shume prej 30% të vlerës së faturës së TVSH. Ja çfarë ndodh realisht… Nëse psh, ti si farmaci, kërkon 100 milionë lekë të faturuara, më jep mua si depo 30 milionë dhe unë të plotësoj faturën e TVSH për 100 milionë. Dhe unë psh., si depo e tretë apo si farmaci e marrë faturën 100 milionëshe (megjithëse kam paguar 30% të vlerës pra 30 milionë), paraqes faturat fiktive dhe marrë rimbursimin në shtet, pranë sigurimeve shëndetësore në vlerë të plotë 100 milionë lekë. Pra, shteti humbet miliona nga grabitja dhe qytetarët apo pacientët, nuk shohin ilaç “me sy”, sepse qarkullon fatura fiktive. Në këtë mënyrë, goditet shteti, goditet pacienti, goditet spitali, goditen Sigurimet Shëndetësore dhe fitojnë hajdutët, të cilët dihet se cilët janë! Kompania mashtruese, ka tërhequr blloqet e faturave të TVSH në vlerën e miliardave dhe fiton miliona pa bërë asnjë shitje reale përveçse fatura fiktive. Madje, ka pasur raste, që janë bërë shitje, pa blerë asnjë tabletë, ilaç, ampulë apo flakon dhe janë plotësuar e shitur me fatura fallco… produkte mjekësore me vlerë miliona e miliona lekë, siç tregoi edhe skandali i ilaçeve. 
Shtet që hesht, drejtësi që bën sehir
Nisur prej këtij fakti, shtrohen disa pyetje: Ku janë organet e specializuara të hetimit? Po ato të tatimeve? Po inspektorët e kontrollit të ministrisë së Shëndetësisë, financave dhe shërbimeve të krimit ekonomik, prokurorisë etj? Sigurisht të gjitha janë po askush nuk merret me këtë skandal-krim, sepse pas tyre fshihen familjarë dhe politikanë, që kanë bërë këtë maskaradë dhe po grabisin miliardat e shqiptarëve të varfër. Ndaj Ambasadori Amerikan Donald Lu, ajo e BE në Tiranë, Romana Vlahutin si dhe i besuari i Kancelares Angela Merkel në Tiranë, ambasadori Helmut Hoffman, duhet të kërkojnë dhe të sjellin ekspertë për këtë investigim dhe do të shohim, se brenda tyre fshihen ata që sot bëjnë ligjin në politikë dhe në organet e kontrollit dhe hetimit. Mjafton të investigohet ky rast i grabitjes së miliardave dhe do të dalë, se drejtësia e vërtetë europiane e kërkuar nga Kancelarja Merkel dhe ajo amerikane e thënë publikisht për oligarkët në janar 2014 nga Sekretari Xhon Kerry, do të shënojë fillimin e drejtësisë së vonuar. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, besojmë se është personi i cili ka dijeni të plotë për këtë masakër të kryer me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH ), pasi përveç detyrimit institucional si anëtar i kabinetit qeverisës, ai është edhe Kryetar i Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor 
Sigal