Fatmir TOÇI*/Rrugët rurale të rrethit të Vlorës ekzistojnë, apo janë vetëm një gjurmë në hartë?

977
Sigal

 75% e rrugëve rurale të rrethit të Vlorës janë të paasfaltuara ose të degraduara tërësisht

 * deputet i PS-së në Qarkun e Vlorës

 Para pak ditëve, tre muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, ministri Pollo, që është edhe Kryetar i Bordit Administrativ të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, deklaroi para kamerave se së shpejti do të nisë rikonstruksioni edhe i 500 km rrugë rurale dhe për këtë është siguruar një fond prej 94 milionë dollarësh. Lajm i mirë ky, në fakt, kur mendojmë se si është gjendja e rrugëve në zonat rurale të vendit, edhe pse ky lajm mban erë fushate elektorale. Themi kështu, sepse edhe pse lajmi u dha me bujë për financime që sigurohen nga donatorët e huaj dhe jo nga buxheti i shtetit, akoma nuk kemi një listë konkrete apo prioritete se në cilat rrugë do të ndërhyhet konkretisht për rikonstruksion. Nga informacionet që kemi mundur të mbledhim, dimë se në 4 vitet e fundit janë rehabilituar gati 1000 kilometra rrugë rurale me një kosto 450 milionë dollarë të FSHZH dhe 9 milionë dollarë të buxhetit të shtetit. Thuhet se Shqipëria ka rreth 10.000 km rrugë rurale, por, mesa kemi mundur të llogaritim, vetëm rreth 6.000 km rrugë janë efektive dhe në shërbim të qendrave të banuara. Kryeministri Berisha e ka deklaruar disa herë në programin e qeverisë së tij se do të ndërmarrë rikonstruksionin e të gjitha rrugëve dytësore dhe rurale të vendit. Por mesa duket, 8 vjet në qeveri nuk i dolën dhe paratë i ka derdhur badihava në rrugët nacionale, sepse, duket se atje grabitjet mund të mbulohen më lehtë dhe luhet me shuma të mëdha. Nga një llogari e thjeshtë, me aq fonde sa është abuzuar për ndërtimin e rrugëve të Shqipërisë, gjatë këtyre 8 viteve të fundit, duhet të ishte zgjidhur përfundimisht problemi i rehabilitimit të të gjitha rrugëve të vendit. Ndërsa sot, përveç tenderëve, që janë zhvilluar “me sukses” në asnjë zonë të vendit nuk gjen as edhe një rrugë me standarde bashkëkohore dhe të përfunduar tërësisht. As edhe një. Sipas çmimeve aktuale të ndërtimit të rrugëve, kostoja e tyre varijon nga 200.000 USD për rrugët rurale, deri në 1 milion USD për rrugët e qytetit. Që në vitin 2008 FSHZH-ja ka marrë nismën për rehabilitimin e 1500 km rrugë dytësore, rrugë ekzistuese dhe jo trase të reja për shkak të problemeve dhe pafuqisë së shtetit për të kompensuar pronarët, ku mund të kalojë gjurma e rrugës. Investimet për rehabilitimin e këtyre rrugëve janë kryer kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Veriut. Është pranuar zyrtarisht se në zonat Jugore dhe Juglindore vëmendja e qeverisë dhe fondet e FZHSH kanë qenë më të pakta. Kjo është e thjeshtë për ta verifikuar, mjafton të shohësh hartën e rrugëve të rehabilituara deri më sot. Duke iu referuar po këtyre burimeve, informacioni thuhet se në qarkun e Vlorës, për shembull, janë realizuar 129 projekte, nga të cilat 74 % i përkasin infrastrukturës, që do të thotë gati 100 projekte për Qarkun e Vlorës (!). Nëse do të ishte e vërtetë kjo, lind vetvetiu pyetja, po Vlora, si rreth, ku është në këto projekte? E bëjmë këtë pyetje, kur të gjithë e kanë kuptuar se Vlora është e dënuara e madhe e kësaj qeverie. Urrejtje? Dënim? Frikë? Kjo është një temë tjetër, por sot po tregoj se si janë në realitet rrugët e Vlorës, kryesisht ato dytësore e rurale, gjendja tërësisht e degraduar e cilave është faktori kryesor në frenimin e zhvillimeve sociale, ekonomike, kulturore etj. të zonave jashtëqytetase. I gjithë rrethi i Vlorës ka rreth 500 km rrugë rurale funksionale, pa llogaritur këtu dy akset kryesore nacionale: rrugën e Bregdetit nga Vlora deri në Borsh 85 km dhe rrugën e Lumit të Vlorës nga qendra e rrethit deri në Kuç 65 km, tërësisht e degraduar dhe pothuaj jashtë funksionit. Një aks i vogël 12 km lidh Selenicën me Vlorën në Peshkëpi, ndërsa me Novoselën Vlora lidhet sot me dy akse rrugore nga 25 km secili, rruga e vjetër nga Mifoli e Bunavia, e dëmtuar nga lënia pas dorë, si dhe nga autostrada e re që ka arritur deri në hyrje të qytetit, në vendin e quajtur Pusi i Mezinit, pa mundur të lidhet me rrugën Transballkanike që të shpie në port.  Me një vështrim të shpejtë shohim se mbi 75 % të rrugëve rurale në rrethin e Vlorës janë të paasfaltuara dhe drejt një degradimi të plotë. Mirëmbajtja e tyre është ndërprerë prej më shumë se 5 vjetësh, ndërsa drejtoria Rajonale e Mirëmbajtjes së Rrugëve është përqendruar në Gjirokastër (!); domethënë për gjendjen e rrugëve të Vlorës duhet të vendosë Gjirokastra. Por ka edhe më keq, sepse këtë drejtori mund ta çonin edhe në Tropojë, ose Kukës për t’u siguruar punë disa militantëve, që nuk kanë mundur akoma të sistemohen në Bathore, Kamëz apo Bregun e Lumit. Më e rëndë gjendja është për qendrat e banuara, që lidhen ne aksin rrugor të Lumit të Vlorës, ndërsa në zonat rurale fushore, si fshatrat e komunës Qendër (pjesa pranë bregdetit) dhe Novoselë, situata paraqitet pak më e mirë. Në këtë komunë është në proces tenderimi rikonstruksioni i aksit 12 km, që përmbledh shumicën e fshatrave të komunës: Novoselë –  Fitore – Bishan – Poro – Dëllënjë – Delisuf, si dhe rruga që lidh Akërninë me detin 12 km. Problem mbetet rruga për në Trevllazën 8 km, e cila ka shembje e rrëshqitje në pjesën më të madhe të saj. Ndërsa, në Komunën Qendër jashtë çdo standardi janë rruga për në Kaninë, Babicë e Vogël, Sherishtë, Xhyherinë, Bestrovë, Kërkovë dhe Hoshtimë. Ndërsa nga ana e Bregut me shumë probleme paraqiten rrugët rurale për në Pilur, Kudhës dhe Qeparo Fshat.  Është folur e shkruar shpesh për krahinën e Lumit të Vlorës dhe rrugët që lidhin qendrat e saj të banuara. Bëhet fjalë për rreth 100 fshatra të 9 komunave dhe një bashkie (Selenica) me mbi 50.000 banorë, që kanë ndërtuar jetën që nga lashtësia përgjatë kësaj lugine me resurse të mëdha dhe histori të lavdishme. Për të qenë sa më konkretë në shqetësimin tonë për harresën e madhe të kësaj zone dhe fshatrave të tjera të rrethit të Vlorës, po japim më poshtë një pasqyrë të plotë të rrugëve rurale ku nevoja për ndërhyrje rehabilituese është e menjëhershme dhe e domosdoshme. Shpresojmë të jetë kjo një kambanë alarmi për vëmendje më të madhe për banorët e këtyre zonave dhe për politika më të harmonizuara e të balancuara në planifikimin e zhvillimit të vendit.

Inventari i rrugëve rurale të rrethit të Vlorës që kanë nevojë për rehabilitim

 

I.   Komuna Qendër

1.  Babicë e Madhe – Babicë e Vogël 4 km

2.  Babicë e Madhe – Sherishtë – Peshkëpi      8 km

3.  Babicë e Mdhe – Xhyherinë 2 km

4.  Vlorë – Kaninë                     3 km

5.  Vlorë – Bestrovë – Hoshtimë 12 km

6.  Vlorë – Kërkovë                   6 km

     Gjithsej km:                          51 km

 

II. Komuna Shushicë

1. Babicë e Madhe – Risili – Çeprat

     – Grabian – Llakatund:          12 km

2.  Risili – Peshkëpi:                 4 km

3. Çeprat – Buna:                       km5

4.  Llakatund – Mekat – Beshisht:      4 km

5.  Babicë e Madhe – Xhyherinë:       4 km

6.  Kërkovë – Llakatund:            2 km

7.  Drithas – Llakatund:              2 km

     Gjithsej km:                                                         33 km

III.                                              Bashkia Selenicë

1.  Selenicë – Aksi kryesor:        1 km

2.  Selenicë – Resulaj:                3 km

     Gjithsej km:                          4 km

IV.                                              Komuna Armen

1.  Roms – Selenicë:                   7 km

2.  Karbunarë – Ura e Selenicës (Urë e re):      8 km

3.  Karbunarë – Vllahinë:           10 km

4.  Treblovë – Peshkëpi:             5 km

5.  Treblovë – Kocul:                 4 km

6.  Vezhdanisht – Peshkëpi:       5 km

7.  Armen – Mesarak:                 1 km

8.  Armen – Picar:                      1 km

9.  Treblovë – Selenicë:              6 km

1.  Picar – Treblovë (Kocul):      6 km

     Gjithsej km:                          53 km

V. Komuna Vllahinë

1.  Peshkëpi – Vllahinë:             6 km

2.  Vllahinë – Kocul:                  4 km

3.  Vllahinë – Gërnec – Mallkeq – Hadëraj

     – Rexhepaj:                           10 km

4.  Vllahinë – Peta:                     3 km

5.  Peta – Vodicë (Drashovicë):  6 km

6.  Vllahinë – Mërtiraj – Karbunarë:   12 km

7.  Kropisht – Aksi Peshkëpi-Vllahinë:    2 km

8.  Amonicë – Mallkeq (Vllahinë):    4 km

     Gjithsej km:                          47 km

VI.                                              Komuna Kotë

1.  Sherishtë – Drashovicë:         4 km

2.  Drashovicë – Vodicë – Lapardha (rrugë e re):    6 km

3.  Mavrovë – Aksi kryesor:       4 km

4.  Hysoverdhë – Kotë:              8 km

5.  Kotë – Lapardha:                   6 km

6.  Kotë – Gumenicë:                  8 km

7.  Mavrovë – Hysoverdhë:        6 km

8.  Gumenicë – Ura e Gjormit:   3 km

9.  Mazhar – Gumenicë:             4 km

     Gjithsej km:                          49 km

VII. Komuna Sevaster

1.  Kotë – Vajzë – Ploçë – Sevaster:    15 km (Kanë filluar punimet)

2.  Ploçë – Amantia:                   1 km

3.  Dushkarak – Aksi Sevaster-Shkozë:    2 km

4.  Sevaster – Golimbas:             2 km

5.  Sevaster – Mazhar:                3 km

6.  Sevaster – Amonicë – Lezhan:       10 km

     Gjithsej km:                          33 km

VIII. Komuna Brataj

1.  Vërmik – Bashaj – Matogjin – Ramicë –

     Velçë – Aksi kryesor:            16 km

2.  Mesaplik – Qafë e Limnit:     4 km

3. Ramicë – Mesaplik:               4 km

     Gjithsej km:                          24 km

IX.                                              Komuna Horë – Vranisht

1.  Tërbaç – Aksi kryesor (Lapidari): 5 km

2.  Horë – Vranisht – Vranisht Fshat: 4 km

3.  Kuç Qendër – Kuç Buronja – Ura e Laskos:      6 km

5.      Kuç Buronja – Gusmar (Qafa e Gomarthit):   7 km

5.  Horë-Vranisht – Bolenë:       6 km (e asfaltuar)

6. Kuç Qendër – Qafë e Dërrasës                            4 km

     Gjithsej km:                          35 km

 

X. Bashkia Orikum

1. Radhimë Fshat – Bregdet                                            3 km

XI. Bashkia Himarë

1.  Kudhës – Pilur (Qafa e Pilurit):    7 km

2.  Kuç Katund – Pilur:              7 km

3.       Himarë – Pilur – Kudhës – Qeparo              15 km

4.       Qeparo – Qeparo Fshat                                       3 km

   Gjithsej km:                                                            32 km

 

 

        Gjithsej rrugë rurale të degraduara: 364 km

 Po të shtojmë këtu edhe nevojën emergjentë për ndërhyrje rehabilituese në aksin rrugor të Lumit të Vlorës (Vlorë – Kuç) 65 km, rezulton se që të kthehet në normalitet jeta në rrethin e Vlorës duhet rikonstruksioni në rreth 430 km rrugë.