Luan Shahollari/“Grisja” dhe bojkoti dëmtuan censusin!

610
Sigal

Pak ditë para se të përfundonte afati i regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë dhe i banesave, (censusit), kam botuar në gazetën “Telegraf” (14 tetor 2011), një shkrim me titull: “Regjistrim, jo grisje dhe as bojkot!”. Nxitja për këtë shkrim më erdhi nga paragjykimet që u krijuan në atë kohë nga grupe të caktuara shoqërore dhe disa parti të vogla, për dy çështje me ndjeshmëri të lartë siç ishin ato për përkatësinë etno-kulturore dhe besimin fetar.

Debatet erdhën duke u bërë më të nxehta duke arritur deri aty sa të bëhen edhe thirrje ndaj qytetarëve për të grisur fletën e pyetësorit apo për ta bojkotuar (për të mos marrë pjesë) në procesin e regjistrimit. Këto, sidoqë në një masë të kufizuar, nuk mund të mos përbënin një kërcënim për cilësinë dhe besueshmërinë e të dhënave të regjistrimit. Për ta shmangur apo zbutur këtë efekt negativ bëja thirrje për të marrë pjesë në regjistrim si dhe për t’u përgjigjur me vërtetësi të gjitha pyetjeve të formularit.

Megjithatë, mangësitë mbetën dhe rezultatet nuk i kanë kënaqur të interesuarit. Mirëpo tani nuk mund të bëhen korrigjime, thjesht duhet të nxirren mësime për të ardhmen.

 1Kritere në shkallë ndërkombëtare

Sipas Programit Botëror mbi Popullsinë dhe Banesat të OKB-së, në vitin 2011 u kryen regjistrime të përgjithshme të popullsisë në 73 vende të botës. Duke i shtuar edhe regjistrimet e kryera më 2010, vlerësohet të jetë regjistruar 98 për qind e popullsisë botërore.

Regjistrimi i popullsisë dhe i banesave si në shumicën e vendeve të botës, edhe në Shqipëri bëhet një herë në 10 vjet. (Përjashtuar vende si: Danimarka, Holanda, Kanadaja, Australia dhe Japonia regjistrimi përsëritet çdo 5 vjet). Prandaj, çdo shtetas duhej ta kishte konsideruar edhe si përgjegjësi ligjore dhe morale detyrimin për t’u regjistruar.

Për kryerjen e këtij procesi ka kritere të njehsuara nga OKB-ja, të cilat synojnë t’i japin përgjigje jo vetëm pyetjes “Sa jemi? Por edhe “Kush jemi” për moshën, gjininë, arsimin, punësimin, aktivitetin ekonomik etj, si dhe “Ku jetojmë?” për banimin, furnizimin me ujë të pijshëm, nyjet sanitare, deri edhe shkallën e përdorimit të internetit.

Përgjigjet duhet japin të dhëna për monitorimin e Synimeve Zhvillimit të Mijëvjeçarit të parashikuara për vitin 2015, një nga më kryesoret e të cilave, është përgjysmimi i varfërisë ekstreme prej 1 USD në ditë.

Regjistrimi u ofron njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, organizatave ekonomike, shkencore dhe kulturore, OJF-ve,  institucioneve ndërkombëtare të OKB si: UNFPA, UNICEF, si dhe BE,  FMN, BB, OSBE etj., të dhëna të besueshme statistikore, për përmirësimin e njohjes dhe të analizës të realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Po a janë të besueshme të dhënat e regjistrimit të vitit 2011? A është i saktë numri i popullsisë banuese në Shqipëri? Po numri sipas etnive dhe besimit? Pas shpalljes së rezultateve, dëgjojmë ankesa si : nuk erdhën për regjistrim, anketuesit ishin të paaftë, ndryshe u thashë, ndryshe më regjistruan etj., etj.. Por pati edhe çështje të tjera, që ndikuan në cilësinë e regjistrimit.

 2Për herë të parë: census në vend të regjistrimit!

Ngatërresa e parë erdhi nga vetë institucionet qeveritare, që fjalën shqipe “regjistrim” e zëvendësuan me fjalën anglisht “census”. Dhe kjo u bë pikërisht nga organet që kanë për detyrë të zbatojnë në mënyrë korrekte drejtshkrimin e gjuhës shqipe.

Ky “përkthim”, sipas INSTAT, u bë pasi fjala “regjistrim” mund të jepte idenë e krijimit të një regjistri të qytetarëve kurse termi “census” i qartëson njerëzit se ata numërohen por nuk shënohen në regjistra! Lodra fjalësh! Kështu 15 mijë anketuesit e shpërndarë në të katër anët e vendit ua shpjeguan qytetarëve dhe fshatarëve dallimin midis këtyre dy fjalëve.

Kjo u bë një kohë kur 10 regjistrimet e para në Shqipëri (duke numëruar edhe atë të marsit 1918 të kryer nga austro-hungarezët në pjesën e vendit të pushtuar prej tyre) ishin quajtur “regjistrim” kurse i 11-ti u quajt “census”.

Regjistrimi i vitit 1923 përfshiu të gjithë vendin dhe u pasua nga një regjistrim tjetër më 1930. Por një përvojë më e pasur u krijua me regjistrimet e pas çlirimit në vitet: 1945, 1950, 1955, 1960, 1969, 1979 dhe1989 .Veçanërisht regjistrimi i vitit 1989 solli të dhëna të detajuara për popullsinë, gjënë e gjallë, banesat etj., të përfshira në vjetarët statistikorë të 1990-s dhe 1991-t.

Kurse regjistrimi i parë i periudhës demokratike dhe pluraliste u bë në prill 2001, i cili përmbledh të dhëna të vlefshme për një numër zërash të fushës demografike dhe të mirëqenies. Megjithatë, censusi i vitit 2011 ka veçorinë dalluese për shkak të disa pyetjeve me një ndjeshmëri të lartë njerëzore dhe shoqërore.

 3.  Dy pyetjet me ndjeshmëri të lartë: grupi etno-kulturor dhe besimi fetar

Në faqen 32 të pyetësorit të censusit ishin edhe dy pyetje, të cilat nxitën debatin, ndonëse përgjigjet ishin lënë në dëshirën e qytetarit, jo të detyrueshme. Këto ishin pyetjet 39 dhe 40: Cili është grupi etno-kulturor që ju i përkisni?  Dhe A i përkisni ndonjë besimi fetar?

Në rastin kur qytetari do t’i përgjigjej pyetjes së parë, ai duhej të specifikonte se, cilit grup etno-kulturor i përket. Kurse, në rast se do t’i përgjigjet pyetjes së dytë, ai kishte tre variante për t’u shprehur: Të deklaronte përkatësinë e besimit të tij fetar; Nuk i përkiste ndonjë besimi fetar, por ishte besimtar, dhe; Nuk i përkiste ndonjë besimi fetar dhe nuk ishte besimtar.

Në kushtet e ruajtjes së fshehtësisë të të dhënave, secili mund të përgjigjej lirshëm. Në fund të fundit, do të ishte mirë të kishim shifra edhe për këto çështje, pasi ose mungojnë,  janë shumë të hershme, ose janë krejt të pasakta.

Kështu, sipas Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), në vitin 1989 grupet etnike në Shqipëri zinin: shqiptarët 95 për qind , grekët 3 për qind , të tjerët 2 për qind (vllhehë, Roma-gypsy, serbë, maqedonas, bullgarë). Në vijim vihet edhe një shënim: më 1989, sipas statistikave zyrtare shqiptare, popullsia greke zë 1 për qind të popullsisë, kurse sipas një organizate greke 12 %. (The World Factbook. https://ëëë.cia.gov/).  Kurse sipas censusit 2001, popullsia shqiptare është 2 312 356 banorë ose 82.6 % të popullsisë gjithsej, grekët 24 243 banorë ose 0.87 %, maqedonasit  5 512 banorë, ose 20 %, malazezë 366 ose 0.01 % etj. Në të njëjtën kohë, 390 938 të regjistruar nuk kanë shprehur përkatësinë e tyre

Sipas Wikipedia, (Enciklopedia e lirë) në Shqipëri ka 300-350 mijë banorë, siç i cilëson ajo- evgjitë (egjiptianë). Madje shton se, ky përbën edhe minoritetin më të madh (8-9% të numrit të përgjithshëm të popullsisë). Veç këtyre janë edhe 50.000-70.000 romë. (http://sq.wikipedia. org/wiki/Demografia_e_Shqipërisë). Kurse sipas censusit 2001, ka 8 301 Romë dhe 3 368 egjiptianë. (Një regjistrim nga një qendër studimore e pavarur –QSES- në të njëjtin vit, ka nxjerrë një numër pak më lartë se censusi).Pra, diferencat, janë tepër të mëdha. Mund të jepen shumë shpjegime për këtë, sidoqoftë këto do të mbeten pika reference zyrtare për një dekadë.

Sipas librit të z.Teki Selenica, sekretar i përgjithshëm në kabinetin e Zogut, të titulluar:  “Shqipëria e ilustruar. Album i Shqipërisë më 1927-s” botuar më 1928, Shqipëria kishte 833,618 banorë, nga të cilët: 563,729 myslimanë, 181,051 ortodoksë, dhe 88,739 katolikë (F.216 e Albumit) ose përkatësisht 67.6 %  myslimanë, 21.7 %  ortodoksë dhe 10.6 % katolikë.

Në faqen se saj, Wikipedia jep këto raporte: myslimanë 70 për qind, ortodoksë 20 për qind, katolikë 10 për qind. Edhe këtu ka një shënim: përqindjet janë vlerësime pasi aktualisht mungojnë statistikat lidhur me përkatësinë fetare.  Një raport i tillë ekziston edhe në shumë guida turistike të përgatitura brenda dhe jashtë vendit. Po a është kjo e vërtetë?

Ky ishte pikërisht rasti për t’iu përgjigjur drejt pyetjes dhe për të nxjerrë të dhëna të sakta. Nga censusi 2011, doli se në Shqipëri ka 56.7% muslimanë, 2.1% bektashinj, 10% katolikë, 6.75 % ortodoksë, 5.5 % besimtarë të pacilësuar 2.5 % ateistë etj. Nga sa po dëgjojmë dhe lexojmë del se asnjë institucion religjioz në vend nuk është i kënaqur me rezultatin e censusit.

 4.  E grisët fletën-pranoni rezultatin!

Një grup njerëzish të organizuar në lëvizje të ndryshme civile si dhe ndonjë parti politike, duke shprehur dyshime dhe paragjykime për plotësimin e saktë të dy pyetjeve të mësipërme, bënë thirrje për ta grisur fletën e pyetjeve për etninë dhe besimin fetar!

Ka edhe të tjerë, për fat të keq edhe intelektualë, që nuk e morën seriozisht përgjigjen e këtyre pyetjeve, duke shkuar deri aty të regjistrohen për çfarë nuk janë në të vërtetë. Këta, e nënvleftësuar faktin se, duke vepruar kështu do t’i bënin dëm grupit etno-kulturor përkatës. Fleta “grisur” apo përgjigja e gabuar, me siguri që ka sjellë si pasojë deformimin e realitetit.

Pati njerëz që shprehën dyshim se, qarqe te caktuara do të ushtronin trysni që njerëzit të mos përgjigjeshin në mënyrë të drejtë. Ky argument nuk qëndronte, sidomos në vitet e fundit, kur shtetasit shqiptarë fituan të drejtën për të lëvizur lirshëm në shumicën e vendeve të BE.

Pati edhe të tjerë që u shprehën se mund të nxiten emigrantët shqiptarë të kthehen në Atdhe për t’u regjistruar sipas grupimit etno-kulturor të shtetit nga vijnë por, “harruan” se regjistrimi bazohet në parimin e “popullsisë rezidente”, i cili nënkupton individët, të cilët ditën e censusit ndodhen në territorin e RSh, si dhe ata që janë larguar për një periudhë prej më pak se një vit.

Madje harruan se, kishte edhe sanksione me gjoba për shkelësit e rregullave ligjore. Mund të ketë pasur edhe të tillë, siç ka pasur edhe më parë. Por këta duhet se kanë qenë tepër të pakët.

 5.  Bojkotuat? Mos u ankoni tani!

Dyshime dhe paragjykime u shfaqën edhe nga grupe të caktuara etno-kulturore, kryesisht minoritare, nga ndonjë parti brenda vendit dhe qarqe të interesuara jashtë, të cilët i konsideruan si forma presioni sanksionet për shkelësit e ligjit të regjistrimit. Këta i u referoheshin neneve 20, 20/1, 21 të kreut IV të ligjit që parashikonte gjoba për shkeljet gjatë procesit të regjistrimit. Sipas këtij kreu, përbënte kundërvajtje administrative dhe dënohej, me gjobë prej 100 mijë lekë, refuzimi për të bërë deklarim ose deklarimi i rremë.

Gjoba më të ulëta kishte edhe për shkeljen e rregullave të konfidencialitetit, e të tjera.

INSTAT-i ishte përgjegjës për shqyrtimin e çdo akti që vërtetonte  kundërvajtjen administrative.

Mbi këtë paragjykim, ndonjë kryetar partie dhe shoqate që përfshin një pjesë të popullsisë minoritare, duke e konsideruar vendosjen e gjobës si presion nga Qeveria, u bënë thirrje anëtarëve dhe përkrahësve për bojkot në regjistrimin e popullsisë. Madje shkuan më tej kur deklaruan se do ta organizonin vetë regjistrimin e minoritetit, duke e ditur se  vetëregjistrimin nuk e njeh kush.

Gjobat janë për të gjithë ata që shkelin rregullat dhe jo mjet presioni ndaj grupeve të caktuara etno-kulturore. Për më tepër, gjatë procesit të regjistrimit, nuk patëm ndonjë gjobitjeje.

Tani ankohen se popullsia minoritare nuk është regjistruar në mënyrë të saktë. E vërtetë ose jo, një gjë është e sigurt: si rregull, regjistrimi tjetër do të bëhet pas 10 vjetëve, më 2021. Por deri atëherë do të mbeten, qarkullojnë dhe analizohen rezultatet e regjistrimit të vitit 2011.