Shpenzimi i një pjese të konsiderueshme të buxhetit lë më pak hapësirë për aktivitete të tjera. P.sh., për argëtim dhe kulturë, një familje europiane shpenzon 8.4% të buxhetit, ndërsa një familje shqiptare vetëm 2.7%. Për restorante Europa shpenzon 8.5% ndërsa Shqipëria 7.3%. Më i lartë është buxheti për komunikim, me 3.9% në Shqipëri kundrejt 2.3% mesatarja eurpiane për shkak të çmimeve më të shtrenjta.
Europa shpenzon më shumë për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar, me 24.1% të totalit, përkundrejt 9.8% të familjeve shqiptare. Sipas Eurostat, në vitin 2022, shpenzimet e konsumit total të familjeve në Bashkimi Europian u rritën me 4,7% krahasuar me vitin 2021, ndërsa ishin 1% më të larta krahasuar me vitin 2019. Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 u vu re një rritje e konsiderueshme e konsumit familjar për mallra dhe shërbime që ranë në mënyrë të paprecedentë në vitin 2020, për shkak të pandemisë së COVID-19.
Në vitin 2022, shpenzimet për restorante dhe hotele u rritën me 33,8%, për argëtim dhe kulturë me 14,7%, për veshje dhe këpucë me 11,5%, dhe për transport me 4,7%. Konsumi familjar është rritur për të gjitha kategoritë, përveç ushqimeve dhe pijeve joalkoolike (-3,1%) dhe pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve (-1,0%).
Edhe pse konsumi familjar i tejkaloi nivelet e para-COVID-it në vitin 2022, disa kategori ende mbeten mbrapa shifrave të para-COVID-it. Konkretisht, në vitin 2022, konsumi familjar ishte ende nën vëllimet e vitit 2019 për transport (-7,8%), restorante dhe hotele (-2,4%) dhe arsim (-1,5%).