Faktorët që po kthejnë krahinën e Shpiragut në një zonë turistike

3911
Sigal

Flet Kryetari i Komunës së Sinjës, Pelivan Sina: “Po rriten të ardhurat, banorët po rikthehen në shtëpitë e braktisura”

Historia e popullit të krahinës së Shpiragut është dëshmia e gjallë e dukshme e betejave dhe përpjekjeve të panumërta për liri, pavarësi dhe drejtësi shoqërore. Ndër vite ajo bashkon madhështinë për atdheun, patriotizmin, heroizmin e flakët dhe lavdinë e të rënëve në luftë Nacional-Çlirimtare. Nuk ka fshat, rrugë, kodër e pllajë të kësaj krahine të mos shpjegohet për përpjekje, beteja, kuvende e thirrje për urrejtje popullore; kundër armiqve të vendit tonë. Zona e Shpiragut ka qenë kundër errësirës qysh në kohën e Tanzimatit. Shpiragasit kanë kundërshtuar taksat që kishte vendosur perandoria otomane. Ata u bën pjesëmarrës aktiv e mbështetës të LANÇ. Këto ngjarje janë të skalitura e çimentuara me shkronja të mëdha në pllaka lapidarësh e memorialë përkujtimoresh dhe janë të vendosura një kolonë, ku njëra ndjek tjetrën, duke iu përgjigjur gjithë hapësirës gjeografike, ku kanë luftuar banorët e Shpiragut. Fshati Sinjë nuk ka vetëm një, por disa lapidare e pllaka përkujtimore. Gjithashtu Sinja ka edhe një lapidar në Qafë të Sinjës për Rapo Hekalin, i cili ishte simbol i qëndresës dhe që bëri thirrje për bashkëpunimin e popullit të krahinës së Shpiragut me atë të Mallakastrës, për të luftuar kundër shtypjes e shfrytëzimit feudal. Kush nuk ka dëgjuar e lexuar për prijësin Rapo Hekali. Ka një këngë me moshë mbi një shekull e gjysmë që thotë: Doli Rapua në Sinjë/Prim o Isuf be prim/ Në të zënça s’ke të mirë/ Gjakun kam për ta pirë. Po kështu me qëllim përhapjen e flakëve të kryengritjes edhe në Shqipërinë e Jugut, më 22 korrik 1912, në përgjigje të Kuvendit të Grecës, u mbajt Kuvendi i Sinjës, i cili ndriçoi dhe i dha hov gjithë veprimeve luftarake në Shqipërinë e Jugut duke vendosur lidhje dhe bashkërendim me veprimet luftarake që zhvilloheshin në Shqipërinë e Veriut.

Zhvillimi turistik

Kjo krahinë me 12 fshatra, tashmë ka marrë dhe një tjetër fizionomi të bukur krahas historisë patriotike. Krahina e Shpiragut, e cila është në nomenklaturës e Komunës Sinjë, për nga historia dhe bukurit që i ka falur natyra është kthyer në një zonë turistike për turistët. Mali i Shpiragut me 23 brinjët e tij të murrme sipas legjendës që i janë krijuar nga dy luftimet që kanë bërë dy vëllezërit Shpiragu me Tomorrin për një vajzë, Kalanë. Nga goditjet me shpatë të Tomorrit, Shpiragut i’u krijuan brinjët. Dhe pikërisht këto histori dhe shumë të tjera kanë bërë kuriozë një numër të madh turistësh, që të marrin rrugën për të vizituar këtë zonë të bukur dhe me një histori të madhe. Kryetari i Komunës së Sinjës, Pelivan Sina, tregon për gazetën “Telegraf”, se në këto dy vitet e fundit kjo zonë ka pasur një numër të madh turistësh. Asfaltimi i rrugës kryesore që lidh qytetin e Beratit më krahinën e Shpiragut, i ka dhënë tashmë frytet e saj për banorët e kësaj zone. Sipas Kryekomunarit Sina, shumë turistë kanë preferuar që të flenë nëpër banesat e fshatrave të krahinës së Shpiragut, pasi ato lagje kanë një konturë ndërtimi si lagjet muzeale “Mangalem” dhe “Gorica”. Brenda 1 viti këtë krahinë e kanë vizituar 2100 turistë, vendas dhe të huajë. Shumë familje në këtë zonë tashmë kanë filluar që banesat e tyre t’i kthejnë në hotele të vogla, por shumë komode.

Rikthimi në traditë

Kisha qindra vjeçare që është ndërtuar në rrëzë të shkëmbit ka bërë që shumë turistë ta vizitojnë atë duke u njohur dhe me historinë e saj. Burime nga komuna bëjnë të ditur se, shumë banorë që vite më parë janë larguar nga kjo zonë për arsye të mungesës të infrastrukturës, tashmë ata janë kthyer pranë trojeve të tyre për të jetuar. Lokalet luksoze të ndërtuar rrëzë malit të Shpiragut kanë shërbyer për turistët që të shijojnë një ushqim të mirë dhe më një gatim tradicional. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Petrit Sina shprehet se, krahina e Shpiragut është një nga zonat turistike më të rëndësishme për Qarkun e Beratit. Me ndërtimin e rrugës kjo krahinë, tashmë është bërë një perle e vërtet nga ana e bukurisë që i ka falur natyra, por dhe njëkohësisht edhe për historinë patriotike që ka kjo zonë.