Fakte të reja për 1300 kontejnerët e mbetjeve kimike

714
Media italiane: Shumë hije për kontejnerët që do të kalonin në Shqipëri

Mediat Italiane kanë vijuar me investigimin e zhdukjes në Shqipëri të mbetjeve kimike, të cilat u nisën nga Italia drejt Maqedonisë. Së fundmi është “osservatorio balcani e caucaso transeuropa”, që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë situatës së krijuar në Shqipëri, për humbjen pa gjurmë të rreth 1300 kontejnerëve. Portali sjell në vëmendje një tjetër investigim të publikuar prej gazetës “Roma” që në fakt është publikuar në datën 2 mars të vitit të shkuar, por që u kalua pa vëmendje në Shqipëri.
Osservatorio balcani e caucaso transeuropa
Gazeta italiane “Roma” ka nisur debatin lidhur me kapacitetin e Shqipërisë për të menaxhuar dhe importuar mbetjet dhe aftësinë për të kontrolluar vërtetë territorin e saj. Duke iu referuar një hetimi të bujshëm të publikuar më 2 Mars, gazeta pretendon e zotëron dokumente që tregojnë se si Marsin e vitit 2016, të paktën 1300 kontejnerë me mbetje urbane, që kishin si destinacion Maqedoninë, nuk e kaluan kurrë kufirin e Qafë-Thanës dhe në fakt u zhdukën në territorin shqiptar. Sipas këtij hetimi, kontejnerët, me kapacitet 22 ton secila, janë ngarkuar në portin e Gioia Tauro në Kalabri, e më pas janë shkarkuar në portin e Durrësit. Nga aty, duhet të përfundonin udhëtimin e tyre në qendrën më të madhe të përpunimit të mbetjeve në Evropë, në Shkup, që menaxhohet nga viti 2013 nga një ndërmarrje misterioze italiane. Sipas artikullit, gjurmët e këtyre mbeturinave, u zhdukën në Shqipëri. Çështja nuk shqetëson shumë qeverinë shqiptare, që ka provuar disa herë, të miratojë një ligj që autorizon importin e mbetjeve. Para ndarjeve brenda koalicionit qeverisës dhe mospajtimit të fortë nga shoqëria civile dhe opozita, projekti është pezulluar përkohësisht. Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në qershor, çështja mbetet një temë që ngjall tensione të forta politike. Aktivistët ekologjikë të lëvizjes AKIP (Shoqata kundër importit të mbetjeve) tregohen, megjithatë, të kujdesshëm në lidhje me këto zbulime. Ata janë duke pritur rezultatet e hetimit, dhe për momentin nuk duan të përdorin këto “thashetheme” në luftën e tyre kundër projekt-ligjit të diskutueshëm. Ndërsa Partia Demokratike, ka përdorur menjëherë lajmin për të kritikuar ashpër qeverinë Rama, që akuzohet për lidhje me organizata kriminale. Lulzim Basha, lideri i opozitës, ka kritikuar ashpër kujdesin e AKIP, duke akuzuar “shoqërisë civile se është financuar nga paratë e pista të krimit dhe korrupsionit”.
“Roma” 
Në fakt në gazetën “Roma” ngrihen hijet e dyshimit për zhdukjen e rreth 30000 tonë mbetje pa lënë gjurmë. Ndërsa gjithçka nis në vitin 2015 kur një kompani italiane firmos me Maqedoninë për përpunimin e mbetjeve. Në shkrim nënvizohet se biznesi kishte të ardhura të mira. Por se në vitin 2016 autoritetet e doganës në Itali si dhe antimafia nisën dhe një hetim, kur rezultoi se kufirin maqedonas nuk e kishin kaluar të paktën 1300 kontejnerë, të paktën në mënyrë ligjore.
Hetimet në Shqipëri
Në Shqipëri prej më shumë se një javë, prokuroria ka nisur të hetojë mbi dokumentacionin e doganave. Madje për këtë përfaqësuesit e akuzës kanë zbarkuar dy herë në pikat doganore për të marrë të dhënat e sakta dhe më pas për të krahasuar numrin e kontejnerëve që kanë hyrë dhe të atyre që kanë dalë. Gjithsesi ende nuk ka një konkluzion mbi hetimet. Kjo për vetë faktin se është kërkuar informacioni I saktë prej shtetit Italian dhe atij maqedonas. Ndërsa është kërkuar të disponohet dhe marrëveshja mes dy kompanive, asaj që do të niste mbetjet kimike që do të kalonin transit mes Shqipërisë dhe kompanisë në Maqedoni që do të përpunonte këto mbetje.
Sigal