Faik Islami/ A e gëzojmë statusin amerikan të “Kombit më të favorizuar në tregti”?

    529
    Sigal

    Shkak për këtë shkrim u bë një ngjarje jo e zakontë, në shtëpinë e një mikut tim, ku u gjenda për një vizitë. Ndërsa po bisedoja me të, hyn në dhomë i biri student në vitin e dytë për Ekonomi, i cili si më përshëndeti, iu lut të atit, disi me ngut, të dilte në korridor, për t`i thënë diçka. Kur kaluan disa minuta, dëgjova se jashtë dhome po ngrihej toni i zërit të babait. Dëgjova, pas një morie fjalësh që s’po i merrja vesh, të përplasej dera e jashtme fort dhe një shpërthim krejt i pazakontë për natyrën e mikut tim, fjalën shumë të rëndë, për atë vetë, por dhe shumë e sikletshme për mua që u ndodha pikërisht në atë situatë; “Prapa diellit të vesh..!”.

    Hyri në dhomë i skuqur në fytyrë. M’u duk se mallkonte sahatin, që unë i kisha shkuar për vizitë, në atë moment, apo diçka tjetër e pati bërë nervoz në pakufi. Hamendësimin tim gjithë siklet e ndërpreu duke m’u drejtuar:

    -Ke parë fëmijë si ky imi, djalë në universitet, për Ekonomi gjoja dhe që nuk e vret fare gjendja e ekonomisë shtëpisë vet? Më kërkon 900 euro për të blerë telefon celular IF amerikan. “E kanë shumë nga shokët e mi – më thotë, – pse unë të mos e kem? E ka dhe i biri… i filanit që ka vetëm mamanë në punë..!”. Ne mezi kthehemi, me dy pensione, si pensionet tona dhe pako gjë që marr unë nga licenca e inxhinierit që i kam dhënë firmës, siç të kam thënë, ndërsa ky selameti i shtëpisë, më dashka telefon amerikan. Për telefonin amerikan me vlerë 126 mijë lekë jemi “ja ba na!”, nuk e shikon ore? M’u në djall telefoni dhe vetë kush e ka prodhuar atë m… telefoni, si për të çmendur rininë tonë hallemadhe! 900 euro për një telefon, që do flasë me shokët “si jeni, qysh jeni” dhe që për familjen time do ishin 900 plumba ballit! Për mua, babait dhe nënës së tij, që po na zien koka, me sa shpenzime të përmuajshme na duhet të përballojmë! Kalojmë jo krizë, por po bluhemi nëpër dhëmbët e varfërisë… dhe amerikanët e tu e të mitë, se të dy i kemi dashur e gjene i duam shumë, na bien të tilla alate! – Kaq foli, pa m’i hedhur fare sytë dhe ndezi cigaren. Si bëmë dhe pak muhabet të hapërdarë, u ngrita dhe dola.

    Rrugës vazhdova me vete shqetësimin e mikut tim. Një shqetësim shumë i drejtë i një prindi të një familjeje me jetesën diku tek mesatarja. Dhe të krejt rinisë tonë indiferente në pa kufi me situatën e familjeve. Që nuk janë në gjendje të përballojnë as edhe një aparat celulari, të prodhimit shumë cilësor amerikan. Agresioni i elektronikës moderne ka kohë që po bombardon rininë dhe nëpërmjet saj familjet shqiptare, me çmime katastrofike! Këtë çmim ma pohuan edhe në dyqanin e “Apple”, mbrapa ish kafe “Flora”, por me aksesorin më cilësor të kartëmemories. “Çmimi normal yni është diku tek 700 euro”, – më pohuan. E duke parë njërin prej aparateve, që një vajzë më dha në dorë, po mendohesha. Kohë më parë pata parë në Montreal-Kanada të tillë aparat, që shitej po në dyqanin e Apple-it, me 200 dollarë kanadezë. Sigurisht, nëpërmjet kontratave favorizuese, ndoshta dhe me plotësime të kostos në të kredituara, që pasqyrojnë kontratat specifike. Po përse në Shqipëri kjo qenka e pamundur?

    Në Shqipëri nga më proamerikanët e botës së tërë, shiten pesë herë më shtrenjtë, të njëjtët aparate celularë, të së njëjtës kompani amerikane! Kjo është një gjë krejt anormale, edhe pse është brenda logjikës së një tregtie të lirë. Ne shqiptarët e kemi thuajse të mbirë tashmë dhe bërë pemë e lartë më rrënjë shumë të thella, dashurinë për Amerikën. Ne e kemi të trashëguar, “Perëndinë e Mirënjohjes”, të barabartë me “Zojsin tonë Ilir”, të cilin e huajtën grekët dhe e kthyen në Zeusin e tyre vagabond. Nuk do t`ia harrojmë kurrë Amerikës atë që ajo ka bërë për kombin shqiptar. Dhe kjo dashuri, ky vlerësim, për Amerikën shprehet tek cilido shqiptar, në çdo strukturë ligjzbatuese dhe shumë e shumë më tepër, ajo është kthyer në përgjegjësi të rangut të parë për gjithë ato struktura shtetërore që e luftojnë krimin e organizuar, kundër atyre që kanë plane për t`ju kundërvënë politikave amerikane, ndaj rajoneve si Lindja e Mesme, me akte terroriste etj.. Amerika për shqiptarët nuk është e largët dhe ndarë nga oqeane e dete, por sikur ajo të jetë, diku këtu, Buzë Adriatikut e Jonit, në çdo pikë kalimi kufitar. Kaq është e vërtetë kjo sa në këtë vend, për të mbrojtur Perëndimin dhe në radhë të parë Amerikën, më shumë përgjohet e luftohet andej nga na ikën e keqja, se sa nga ana ku ajo hyn në kufirin tonë, brenda nesh. Këtë e di tanimë i madh e i vogël në Shqipëri. Armiku i Amerikës është armiku më i rrezikshëm për kombin tonë.

     Mirëpo, vërejmë me keqardhje se për gati një çerek shekulli nuk kemi asnjë investim thelbësor amerikan, me ndikim në zbutjen e varfërisë shqiptarëve. Jo, se është hiç gjendja, por është hiç nga përmasat që do të na e donte shpirti dhe nevoja jonë. Nuk po kemi një projekt amerikan në fushën e prodhimeve bujqësore me destinacion tregun amerikan. Dëgjojmë për një “Dhomë amerikane të tregtisë”, me përfaqësues, siç thonë, shqiptaro-amerikanë, por nëse dhe ajo ecën nën shembullin e Apple-it apo të kostos së vizave, për shqiptarët, te vetë Ambasadës Amerikane në Tiranë, ky lloj “dielli” nuk na e heq të mërdhitën e futur gjer në palcë. Nuk kemi së paku një fabrikë amerikane të përpunimit produkteve ushqimore, një investim agro-prodhues, more as një fabrikë salce të paktën, e plot të këtij lloji, të nxitur prej Departamentit Amerikan të Bujqësisë, të Tregtisë së Jashtme etje etj.. Që të shërbenin për kombin më proamerikan në gjithë globin. Kjo është më të vërtetë e pakuptueshme, por dhe brengosëse.

    Si është e mundur të trajtohemi si gjithë vendet e Ballkanit, kur shumë prej tyre jo vetëm kanë shprehur në kohë të ndryshme kundërshti e rezerva, pse jo dhe armiqësi ndaj politikës amerikane, ndaj vetë Amerikës, biles dhe kanë vrarë përfaqësues shtetërore amerikanë. Jemi ne apo jo, të përfshirë në listën e kombeve më të favorizuara për Amerikën? Nëse po, ku pikërisht shprehet ai favorizim? Mos vallë në ato daljet e vazhdueshme të ambasadorëve amerikanë, të prezencës këtu, nëpër televizionet tona herë në krah të udhëheqësve tanë, e herë dhe vetëm duke na dhënë direktiva e leksione demokracie, kur në këtë vend demokracia ka një çerek shekulli e gjymtuar? Ja ka vlejtur të miklohen e gudulisen kjo racë politikanësh, të cilët kurrë nuk ua dëgjuam zërin të guxojnë të ngrenë këto halle tek strukturat vendimmarrëse amerikane, halle të vendit më të varfër të Ballkanit dhe më proamerikanit të botës, për të kërkuar në radhë të parë prej Amerikës ndikimin e saj për investime në zbutjen e varfërisë sesa përkrahje për mbajtjen e tyre sa më gjatë në karriget e pushteteve? Këta qeverisësit tanë, vendimet për rreshtime ndaj forcave amerikane nëpër botë, i kanë marrë edhe nëpërmjet celularëve të tipit Apple, por që të kenë ngritur zërin, së paku, që t’u mundësohej një prej atyre aparateve edhe rinise fakire të këtij vendi, kurrë s`kanë bërë as edhe një sms pronarëve të korporatës Apple, pa le më qeverisësve amerikanë. Kemi bindjen se, nëse do të vazhdojë edhe më gjatë kjo situatë e rreshtimeve të bijve tanë, krah atyre të Amerikës në vatrat e nxehta dhe trajtimi i Shqipërisë, jo më si kombi më i favorizuar i Amerikës, por si më i favorizuari, të cilin e meritojmë, mund të vijë një ditë, që rinia jonë të harrojë traditën. Të harrojnë “Zojsin tonë të Mirënjohjes”. Dhe kjo do të jetë me të vërtetë fatale, për ne, por njëkohësisht aspak mirë edhe për vetë Amerikën. Është ajo, që duhet ta ketë mirë parasysh, këtë konstatim të shqiptarëve!