Evdal Nuri: Kontributet e Pandeli Çinës, “Qytetar Nderi” i Beratit

1060

1- Më mirë vonë se kurrë !

Më mirë vonë se kurrë për shkrimin, më mirë vonë se kurrë për dekorimin! Shumë kohë më parë kam pasur dëshirë të shkruaja disa fjalë për jetën e punën e mjekut të talentuar dhe të palodhur Pandeli Çina. Si modest që është, s’ka pranuar, e kërkesës time për të dhënë material, e ka refuzuar! E kam vlerësuar, që kur ai ishte mjek i thjeshtë në Berat qytetin ku ka jetuar gjatë e ka krijuar karrierën e tij. Mjek i dashur, i saktë, i komunikueshëm e bindës. Ka dhënë një ndihmesë të pashembullt në dhjetëra-mijëra njerëz të sëmurë me zemër. Pacientët i ka vizituar e shëruar me aftësia, duke i diagnostikuar saktë me një trajtim të gjetur e të rregullt. Kjo jo vetëm në Berat, Skrapar e Tiranë ku ai ka punuar, por dhe në gjithë Shqipërinë. Me dhjetëra herë kam dëgjuar, se do ta dërgoi për ta vizituar tek Dr. Pandeliu, mbase tek ai kam besim. Me një stetoskop dhe E.K.G. të përcaktonte diagnozën, e të shëronte! E theksoj këtë fakt, mbase tani edhe pse kemi aparatura moderne të kohës, 53% të vdekjeve tek ne vijnë nga zemra, e pësojnë mbi 2800 infarkte në vit. Shifër shqetësuese për një vend të vogël. Me të drejtë thotë, se ai brez s’vjen më! Kur shkruan për njerëz të tillë i bën nder dhe kolegëve që i ka mësuar se si të aftësohen e të ndërgjegjësohen për t’u bërë të dobishëm për shoqërinë!

Një rast që më ka ngelur në kujtesë

Një e afërmja ime kishte shqetësime në zemër. Vjen nga Tirana për Dr. Pandeliun! Me Joanën polaken, që e njeh dhe di të flasë për Shqipërinë më mirë se sa një Shqiptare kam punuar në shkollën e mesme të “Kombinatit Tekstile Berat“. Pasdite shkojmë në shtëpi tek Dr. Pandeliut me të sëmurën. Sa e pa që ishte e shëndoshë i tha: “Zonjë , unë do të vizitoj me kujdes, por më parë po të jap këtë këshillë. Zemrën tënde, mund ta krahasojmë me një kalë që tërheq një karrocë të ngarkuar më gurë. Ti e ke mbushur aq shumë sa ai po të ankohet, se nuk e tërheq dot. Nëse do ta lehtësosh, duhet t’i heqësh shumë kg, ndryshe me kalimin e kohës do të dobësohet aq shumë e do të thotë: “S’mund të eci dot më”. Dhe kështu ndodhi! “Ajo zemër në mesin e një nate dimri mbeti për të mos rrahur më!”

Dëshira për të shkruar diçka m’u realizua këto ditë, kur Këshilli Bashkiak i qytetit të Beratit zhvilloi ceremoninë e dhënies së titullit “QYTETAR NDERI” i Beratit, mjekut të njohur, Pr. Dr. Pandeli Çina. Për kontributin e tij të shquar në fushën e mjekësisë, profilin shkencor dhe intelektual të nivelit të lartë, jetën e tij aktive në shërbim të qytetarëve. Në përshëndetjen e tij Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, theksoi se ndaj personaliteteve të tilla, që kanë kontribuar thuajse një jetë të tërë në shërbim të njerëzve, duke sakrifikuar gjithçka nga jeta e tyre, ne kemi detyrimin njerëzor dhe institucional për t’i vlerësuar dhe për t’u qenë mirënjohës, pasi të tillë heronj, nuk hapin vetëm një rrugë, një perspektivë, një shpresë, por ata mbeten një monument i gjallë i vlerave dhe virtyteve, të cilët çdokush duhet të shohë shëmbëlltyrën e një modeli të përsosur njerëzor.

2-Pak nga biografia e Pandeli Çinës.

Lindur më vitin 1932 në Tepelenë, por që në moshë të vogël ka jetuar në Berat. Djalë i një farmacisti të njohur. Pasi kreu Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, shkoi për studimet e larta në Akademinë Mjekësore të Varshavës. Atje kreu specializim për kardiologji (51-57). As i kishte shkuar në mend që nga Varshava do ta çonin për të punuar në Çorovodë! Arsyeja, e quajtën “revizionist modern”, aq më tepër se kishte marrë një të huaj! Atje punoi si drejtor i spitalit. Asnjëherë s’u ankua e s’u mërzit, edhe pse s’besonte që punën do ta fillonte ne një zonë kaq malore të Shqipërisë, kur mjekët që kishin mbaruar jashtë ishin te pakët! E megjithatë për Skraparin fletë fjalët më të mira! Shpesh thotë, ajo zonë më ka mbajtur “në pëllëmbë të dorës”. Me interesimin e veçantë të K. Yllit, në vitin 1960 u transferua në Berat ku dha një kontribut të shquar për të sëmurët me zemër. Nga viti 1976-2001 me ndonjë shkëputje përsëri në Berat ka shërbyer në Tiranë, si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në U.T. dhe në spital. Aftësitë profesionale të tij, tashmë ishin bërë të njohura. Ai vizitonte e kuronte që nga njerëzit e thjeshtë deri tek ish anëtarë të byrosë politike. Në vitin 1975 ka botuar “Mjekimi në digjital dhe intoksikimi terapeutik”. Ka qenë bashkautor në tekstet “Diagnostikimi i sëmundjeve të brendshme”, “Kardiologjia”, “Sëmundjet e zemrës”, Dr. Pr. Pandeli Çina ka dhënë kontribut me vlerë në ngritjen e Laboratorit të Elektro-fiziologjisë, 1986. Ka marrë gradat shkencore, Profesor dhe Doktor i Shkencave Mjekësore. Ka botime të njohura në fushën e kardiologjisë. Ka krijuar shumë poezi dhe ka shqipëruar nga krijimtaria e poetëve të shquar francezë e polakë Ka përkthyer në polonishtja poezi të Migjenit e tjerë. Këto e bëjnë poet e përkthyes. Jo vetëm ai, por dhe Joana, polakja e bukur, e zgjuar, e dashur që s’iu nda kurrë Pandeliut kudo që e kanë caktuar për të punuar, duke mos u mërzitur asnjëherë ka ndikuar në formimin e tij si mjek i njohur kudo që ka qenë. Tani, edhe pse është në pension punën me njerëzit s’e ka ndërprerë. Është ndër kardiologët më të njohur të vendit, mjaft aktiv. I fortë fizikisht e i kthjelltë mendërisht! Gjithë ditën e gjen me biçikletë. Biçikletën e tij e njohin e s’e trazon njeri kudo që vete! Në mëngjes me shokët e tij të vjetër Alekon, Koçin, Shpëtimin. Më vonë tek “Tajvani” e presin të tjerë. Më pas tek “Toptani” e gjetiu. S’mund të pish kafe i “qetë” më të. Këto ditë tek “Tajvani” pa u ulur në tavolinë, me mall e përqafon kolegu e miku i vjetër Dr. Llambi Konomi. Nga Greqia kishte ardhur për promovimin e librit, “Diagnostikimi bashkëkohor i sëmundjeve të brendshme”. Libër voluminoz prej 717 faqesh, për të cilin kishte punuar 3 vjet, e shfrytëzuar mbi 20 mijë faqe literaturë. Iu lut Dr. Pandeliut për pjesëmarrjen e për të folur në këtë takim. U binda për respektin që kishte kur i dhuroi një libër, mbishkrimin e të cilit e kishte shkruar që më parë, duke mos ditur se do ta takonte. Kudo Dr. Pandeliun e presin e kanë kënaqësi të dëgjojnë e të mësojnë jo vetëm për sëmundjet, por dhe për artin, kulturën, përkthimet. Ai thekson me nostalgji, se ai brez nuk vjen më! Kur i trokasin në derë e i kërkojnë ndihmë për të sëmurët, përgjigja e tij është: “Prit sa të vishem”. Në Berat, Skrapar, Tirana e më gjerë kam dëgjuar: “Dr. Pandeliu më shëroi vajzën. Këtë djalë e kam shëndosh e mirë nga Dr. Pandeli Çina. Dr. Çina ia gjeti diagnozën nënës time.” Urime të tilla dëgjon nga të gjithë. Ka një natyrë të qetë e bindëse. Pasi të ka vizituar e dëgjuar për ankesat, me urtësi të sqaron se si është gjendja e sëmundjes. “Unë i pashë analizat. Mos ki merak, se do të bëhesh më mirë. S’ke gjë për merak! Na këtë recetë e hajde kur të duash. Por do të kesh kujdes për ketë apo atë trajtim.” Fjala e ngrohtë e tij të shëron. Sa mirë do të ishte që mjekët e sotëm të mësojnë e përfitojnë nga përvoja, eksperienca e mjekëve të tillë. Më vjen keq, por rrallë gjen doktorë të përkushtuar e pasionuar në kohën kur po jetojmë, për të venë në jetë betimin e Hipokratit.