Evdal Nuri: Inisiativa e mësuesve të Beratit, që ia vlen të kujtohet

1118
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

50-vjetori i bazës materiale, risi pedagogjike, që sot as mund të mendohet

Ia vlen të kujtohet që ta lexojnë e të kuptojnë mësuesit e sotëm se ç’punë kolosale kanë zhvilluar mësuesit kohë më parë.  Kjo lëvizje  pasqyron një nga rrugët  më konkrete e origjinale të mësuesve të rrethit të  Beratit për pasurimin  e bazës materiale –mësimore në fushën  e përsosjes  së metodave të mësimit. Mësuesi Hysen Mezini  në Berat, Refat Peshtani në  Syzëz  dhe Shkëlqim Bego  në Sinjë, u bënë nismëtarë të kësaj lëvizje mbarëkombëtare. Mësuesi novator Hysen Mezini ndërtoi një klasë-laborator model. Balsamimet ishin kryefjala. Këndi i  natyrës së gjallë  bazuar mbi principet e evolucionit, mjetet didaktike për të  gjitha temat mësimore e lëndës, ngritën në një nivel të lartë njohuritë e nxënësve. Kabineti i biologjisë dhe emri i Hysen Mezinit u bënë të  njohura e si model në të gjithë shkollat e vendit dhe jashtë tij. Pikërisht shkolla “22 –Tetori” , u bë qendër kryesore e vizitorëve, titullarëve e  gjithë personaliteteve, duke filluar nga ish-Kryeministri i kohës. Kushdo kur hynte në kabinetin e biologjisë me përmasa 20 m gjatësi, befasohej e i  bënte atij një vështrim që të mahniste.

Në çdo detaj, tabela, balcamime, preparate likuide, këndi i gjallë,  mjete mësimore individuale dhe kolektive. Kudo e në çdo mjet, ishte derdhur mundi, talenti, durimi, pasioni dhe gjithçka që kishte  me natyrën me thjeshtësi, korrektësi, këmbëngulës,  pasionant, e plot ndjenja. Më vonë, në shkollën  8-vjeçare Syzës, me drejtues studiuesin Bedri  Telegrafi,  u organizua seminari teoriko –praktik me mësuesit e biologjisë e matematikës të shkollave të Beratit. Mësuësi i  matematikës Refat Peshtani në kabinetin e tij, kishte pasqyruar figura e trupa gjeometrikë për konceptimin në hapësirë të tyre në poligonin e gjeometrisë dhe kabinetin e matematikës, kjo diçka e veçantë. Kabinete me vlera konkretizuese ishte dhe ai i biologjisë nga  Irfan Haxhialiu, dhe i gjeografisë nga mësuesi pasionant Nexhmedin Dardha. Në  shkollën 8-vjeçare Sinjë, në një zonë malore, gjithçka me forcat e veta, mësuesi i biologjisë  Shkëlqim Bego, ndërtoi një kabinet biologjie model. Mësuesi kishte siguruar në bashkëpunim me gjahtarët, shpendët e zonës, duke i  balsamosur me kujdes e në mënyrë sa më cilësore. Mandi Xhamo në Sinjë e Vlash Pambuku në Moravë, ngritën kënde të edukimit  fizik, për kalitjen e nxënësve. Edhe pas 50-vjetëve, këndi sportiv i Moravës është funksional. Në shkollën 8-vjeçare Perondi, mësuesi Roland Dasho, ngriti një klasë, kabinet biologjie me preparate likuide, me balsamime shpend e gjitarë, si dhe kopshti koleksioneve model, duke filluar nga algat e deri tek bimët e larta. Ky mësues më vonë në nivel më të lartë ngriti një tjetër kabinet biologjie në Moravë. U ngritën ekspozita me punimet më të arrira të mjeteve mësimore në këtë  lëvizje mbarëpopullore.

Në shkollen 8-vjeçare Lapardha, u ngrit “Parku i Interpretimeve Shkencore”,  për  lëndët e kimisë, fizikës, matematikës, gjeografisë e biologjisë  nga drejtori Myslim Pupe, e mësuesit   Myrteza Haxhialiu, Kujtim Zeqo,  Orlando Ikonomi  dhe nxënësit e prindërit e tyre.  Drejtori i Kabinetit Pedagogjik Barjam Golemi e metodisti  Ëngjëll Myrteveliu, nxitën  qendrën teknike për riparimin e  prodhimin e mjeteve  për lëndën e fizikës,  të mjeteve elektrike, si dhe për  realizimin e mjeteve për të gjitha lëndët mësimore që kërkonin bazë materile për t’u realizuar. Kjo u bë qendër e shkëmbimit e realizimit të ideve novatore nga mësuesit pasionantë  Nikolla Ikonomi. Mësuesi i kimisë Valentin Gjergjani, kudo që punoi ndërtoi kabinete kimie. Me përvojën e tij  u caktua nga Ministria e Arsimit për ngritjen e laboratorëve të kimisë në mbarë vendin. Mësuesit e fizikës, punën fizike e kryenin në uzinat e rrethit për prodhimin e paisjeve të laboratorëve të fizikës. Mësuesit e biologjisë, organizuan ekspeditat për grumbullimin e herbarizimin e bimëve mjekësore të rrethit dhe më gjerë, pasuruan klasat kabinet të shkollave, bërjen e hartës bimëve mjeksore tonifere për rrethin. Në këtë nismë me vlera të mëdha pedagogjike e shkencore u përfshinë dhe shkolla e mesme në kombinat ku, me ndihmën e nxënësve punëtorë, e  drejtorit  Gafur Hoxhës, u ngritën kabinetet për lëndet teknike  auto, kimisë, fizikës e  histories, me mësuesit  Zoi Kumarakun, Pranvera Piskun, Shpresa Gishtin e tjerë. Në shkollën e mesme “Babë Dudë Karbunara”, u ngritën kabinete model i biologjisë, laboratorë  të  fizikës, me mësuesit Elpiniqi Dasho, Mirko Haxhistasa e tjerë. Në shkollën bujqësore “Kristo Isak”, u ngrit baza prodhuese me forcat e veta, si nevojë e  zhvillimeve të praktikave në terren, ku nxënësit i kryenin gjitha punët eksperimentale të  tokave.

Në kopësht kishte  koleksione të  apikultura, në frutikulturë e kushte për  mirërritjen  e derrave. U ngritën ofiçina me të gjithë agregatet për riparimin e mekanikës bujqësore. Në shkollën  Industriale “Stilano Bandilli”,  shkëlqeu kabineti i mekanikës me mësuesin e talentuar Leonard Çipi, dhe ai i gjuhëve të huaja me mësuesen  30-vjet  në atë shkollë, Xhuli Çela .Në Teknikumin e Naftës në Kuçovë, u ngritën kabinete, të riparimit të makinave metalprerëse, të shpimit të puseve të naftës e gazit, si dhe modelimeve. Kabinete të  nxjerrjes e përpunimin e naftës e gazit i modeluar në xham transparent,  u projektua nga ing. i talentuar Pandi Çule, në bashkëpunim me nxënësit dhe Institutin Kërkimor të  Naftës.Baza materiale mësimore në laboratorët e  kimisë, biologjisë, e  në lëndët profesionale, nxënësit analizonin e nxirrnin vetë konkluzionet. Të gjitha këto sollën që nxënësit e rrethit të Beratit të pajisen me dijeni të plota shkencore, konkrete  e bashkëkohore, për çdo lëndë e temë mësimore. Dijenitë e tyre ishin të qëndrueshme, mbase ishin krijuar mbi bazën e mjeteve konkrete e praktike. Në të gjithë shkollat u vu në jetë  parimi, se praktika është baza e njohjes e kriteri i të vërtetës  dhe se nxënësit mësojnë në shkollë, por ca më tepër në jetë, jeta është shkollë e madhe.  Duhet theksuar që kjo nismë u përkrah fuqishëm nga zv. Ministri  i  Arsimit  Bedri Dedja, i cili jo vetëm e nxiti, por dhe e përhapi këtë në rang kombëtar.  Konkretisht. Në tetor 1974, në Konferencën Kombëtare të Studimeve Pedagogjike që u zhvillua në Tiranë,  mësuesit e rrethit tonë u paraqitën me kumtesa si lindi kjo  nismë, si u ngrit e çfarë përmbanin  klasat-laboratore, rezultatet e arritura për konkretizimin e orës së mësimit, rritjes së rendimentit në ngritjet teorike të mësuësve, aftësimin praktik, e vlerat e mëdha edukative  e dashurinë për punën, natyrën, mbrojtjen e saj etj.

Përvoja e grumbulluar u pasqyrua në shtypin periodik në  gazetën  “Mësuesi” e atë  lokale “Kushtrimi”,  në revistën “Kimia e Biologjia në Shkollë” , “Revista Pedagogjike” etj. Është për të ardhur keq që sot, asnjë nga këto organe nuk ekzistojnë. Unë s’jam në gjendje të kuptoj se s’i përhapet përvoja pozitive  midis shkollave e në rang vendi. Frutet e kësaj nisme: 51 kabinete biologjie; 52 kabinete të matematikë-gjeometrisë;  35  laboratore “tip” të  fizikës; 42 kabinete të gjeografisë; 16  kabinete të historisë; 20 kabinete të letërsisë;  dhe 45 kënde të edukimit fizik. Kur ia shpreha këtë mendim për të shkruar një artikull me rastin e 50-vjetorit të kësaj  nisme, ish inspektorit të seksionit të arsimit, Hysen Guri, ai e përkrahu, duke vënë në dukje se ka dhe shumë shkolla e mësues të tjerë. Duke menduar, m’u kujtua mësuesi Mersin Mersini, që  u perfeksionua me balsamime shpendësh e gjitarësh  të përkryera. M’u kujtua telefonata e Mehmet Fetiut që, nga Florida, mori në telefon në Karolinën e Veriut,  Shkëlim Begon dhe që e falenderoi për mësimin e metodatve të balsamimit të shpendëve dhe kafshëve, të cilat po i përdor me leverdi ekonomike në Amerikë.