Është kapur 6 herë kokainë në kontenierët me banane, SPAK merr vendimin ‘bombë’ për Alba Exotic

303
Sigal

SPAK ka vendosur në sekuestro preventive kompaninë “Alba Exotic Fruit” në ngarkesat e të cilës është kapur në 6 raste sasi dhe pako me kokainë. Rasti më i fundit ishte këtë javë, ndërkohë që sasia e drogës së sekuestruar në të gjitha episodet llogaritet rreth 50 kilogramë.

SPAK ka regjistruar emrin e personit juridik “Alba Exotic Fruit”, si subjekt juridik i dyshuar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë  të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a,  28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Pronari i kësaj kompanie Eduart Dauti është shpallur në kërkim, ndërkohë që është arrestuar ortaku i tij dhe administratori i ri i kësaj firme.

Jo më larg se sot, avokati mbrojtës i kësaj kompanie bëri publike një memo që i kanë dërguar ambasadores amerikane Yuri Kim, të cilës i kërkojnë drejtësi.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer hetime për procedimin penal nr.207/2021, regjistruar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë  të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Hetimet e këtij procedimi penal lidhen me faktet e konstatuara të kapjes në disa raste të sasive të kokainës në ngarkesat e importuara në Portin e Durrësit nga subjekti juridik “Alba Exotic Fruit”.

Në kuadër të këtyre hetimeve, pas kërkesës së Prokurorisë Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestro preventive të subjektit “Alba Exotic Fruit”, bazuar në parashikimet e nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, bazuar në parashikimet e ligjit nr.9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”, Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar emrin e personit juridik “Alba Exotic Fruit”, si subjekt juridik i dyshuar për veprat penale, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë  të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a,  28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.