Është buka mbi tavolinë, o budalla

65
Sigal

Dr. Bledar Kurti

“Është ekomonia, o budalla,” ishte slogani i krijuar nga James Carville, menaxheri i fushatës së Bill Clinton në vitin 1992, për të bindur publikun të ndryshojë udhëheqjen presidenciale në mes të një recesioni. Funksionoi. Clinton u zgjodh President i SHBA.

Që nga ajo kohë ky slogan është përdorur në prag zgjedhjesh në mbarë botën.

Do ishte mirë të përdorej edhe për zgjedhjet e 25 prillit, por thënë ndryshe: “Është buka mbi tavolinë, o budalla“ pasi shqiptarët sot nuk arrijnë dot të sigurojnë bukën e përditshme në familjet e tyre.

Nëse ky pohim ju duket i ekzagjeruar, atëherë ose nuk jetoni në Shqipëri ose i përkisni shtresës së 1% që nuk është në kushtet e mbijetesës si pjesa tjetër e vendit.

“Është buka mbi tavolinë, o budalla” duhet të jetë slogani i 25 prillit, ku nga njëra anë kemi një qeveri që solli një mjerim të tillë, dhe nga ana tjetër një opozitë që duhet të ketë një plan konkret se si të sigurojë bukën mbi tavolinat shqiptare dhe të përmirësojë standardin e tyre të jetesës.

Pra përballje buke si në mesjetë, në vend që të ishte një betejë ideshë nëse do kishim qenë një vend evropian.

Tragjike sa nuk mund të imagjinohet por ja se në çfarë gremine e la vendin kjo qeverisje: me 40% të shqiptarëve që jetojnë me 5 dollarë në ditë, pa asnjë rritje page apo pensioni që para 8 vitesh, me biznese të falimentuara dhe pa vende të reja pune, me pagat më të ulëta në rajon, por me korrupsionin më të lartë në kontinent.

Përplasje për bukën e gojës, përfshirë edhe shtresën e mesme, tashmë a asgjeruar qëllimisht që të mos ngrejë zë. Për ta zhytur në varfëri bashkë me shtresat e ulëta që të mendojë kokëulur për bukën e gojës e të mos ketë kohë dhe forcë të kritikojë qeverinë (kjo një metodë e hershme e pëdorur nga diktaturat).

Ndaj 25 prilli është një datë jetike për shqiptarët pasi bëhet fjalë për mbijetesën dhe të ardhmen e tyre.

“Thelbi i varfërisë është se asgjëson të ardhmen,” tha George Orwell. Ndaj nuk duhet kurrësesi të vazhdojmë në këtë mjerim e të na asgjesohet e ardhmja. Por duhet të jemi këmbëngulës dhe kërkues që qeverisja e ardhshme të arrijë që pagat e shqiptarëve të rriten në nivelin e vendeve në rajon; që pensionet të rriten dyfish pasi mosha e tretë nuk arrin dot as të ushqehet e blejë ilaçet; që rinia dhe studentët të kenë mbështetje maksimale dhe t’u krijohen kushte për ta ndërtuar këtu të ardhmen e tyre; që biznesi i vogël, i mesëm dhe i madh të jetë partner me shtetin dhe jo skllav i tij; që vendi ynë të ecë me dinjitet e krenari në rrugëtimin evropian dhe jo si një popull që zgjohet çdo mëngjes me shqetësimin se si do e sigurojë bukën mbi tavolinë.

Kosova ka 1/8 e buxhetit të Shqipërisë, ndërkohë ka pagat dyfish më të larta se sa në Shqipëri. Nëse paratë e shqiptarëve nuk shkojnë më për PPP miliarda eurosh nuk e ndalon asgjë një qeveri të dyfishojë pagat dhe pensionet. Nëse 6 miliardë eurot dëm ndaj buxhetit të shtetit në 4 vitet e fundit, të gjetura nga KLSH, do kishin shkuar për pensionet, të moshuarit shqiptarë nuk do vuanin në kushte mbijetese.

Ndaj 25 prilli duhet të jetë jo vetëm zgjedhje por edhe zgjidhje. Një zgjidhje për daljen nga mjerimi dhe ndryshim rrënjësor i filozofisë qeverisëse, jo më në shërbim të 1% që kontrollojnë dhe zotërojnë paratë e shqiptarëve por në shërbim të familjeve të varfra që sot vuajnë realisht dhe me kuptimin e plotë të fjalës, për bukën e gojës.