Ermira Hysaj dhe Yllka Mujo udhëtojnë “Mes çarçafëve” drejtë Teatrit Kombëtar të Kosovës

353
Sigal

Sot dhe nesër, interpretimi brilant i Ermira Hysajt në krah të Yllka Mujos në Teatrin Kombëtar të Kosovës me shfaqjen “Mes çarçafëve”

Shfaqja teatrore “Mes çarçafëve” vjen nën interpretimin brilant të dy aktoreve Yllka Mujo dhe Ermira Hysaj. Vepra teatrore me regji nga Kiço Londo e Teatrit Shëtitës “Çajupi” do të jetë për dy net me radhë në Kosovë. Në mbrëmjet e datave 11 dhe 12 qershor vepra teatrore do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Premiera teatrore “Mes çarçafëve” ishte në datat 7 dhe 8 maj në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, për të vijuar dhe në skena të tjera. Regjisori Kiço Londo shprehet se kjo vepër është mirëpritur nga publiku në teatrot ku është shfaqur deri tani. “Është pritur shumë mirë”, thotë Londo për këtë shfaqje, ku mbrëmjen e të shtunës dhe të dielës interpretimet tronditëse të Yllka Mujos dhe Ernira Hysajt vijnë në Teatrin Kombëtar të Kosovës me shfaqjen “Mes çarçafëve”. Për këtë vepër dramaturgu dhe regjisori nga Kosova Naser Shatrolli shprehet se nuk duhet humbur. “Mos e humbisni rastin! Njëra nga shfaqjet më intriguese e vënë në skenë ndonjëherë vjen në Prishtinë nga Tirana.  Aktoret si Yllka Mujo janë të rralla, regjisori Kiço Londo është personi më autoritativ që njeh skena teatrore në Tiranë. Shënon dhjetëra pjesë të shkëlqyera teatrore në karrierën e tij”, ka shkruar Shatrolli për këtë shfaqje teatrore. Teatri Shëtitës “Çajupi” po vijon një aktivitet artistik të suksesshëm me shfaqjet jo vetëm në Tiranë, por edhe në skena të qyteteve të tjera, ku këtë herë do të jetë në Kosovë me një vepër që ka në role dy aktoret e njohura.

Pjesa e Jordi Mand, e para e saj, është e vendosur në një klasë të vitit të tretë të një shkolle fillore private, krijuar nga skenografia simbolike e detajuar dhe që ndihmon shumë. Vepra është përkthyer nga Artur Lena. Është fundi i një mbrëmjeje takimi me prindër. Tereza, mësuesja e re, është gati të mbledhë sendet personale e të niset për në shtëpi, kur shfaqet Marion, nëna e njërit prej nxënësve, që do të zhvillojë një bisedë në lidhje me djalin e saj Aleks. Kjo është diçka e beftë për Terezën, meqë Marion nuk ka kërkuar takim dhe gjithsesi, të gjitha bisedat e mëparshme mbi Aleksin, Tereza i ka pasur me babanë e tij, Kurtis, bashkëshorti i Marion. Marion është krejt në dijeni të lidhjes së tyre dhe kjo gjë e ka indinjuar. Madje më tepër se kaq. Aleks është një fëmijë me nevoja të veçanta, nga ato, që duken si rast serioz i mungesës së aftësisë për t’u përqendruar dhe Marionës nuk i pëlqen të mbetet jashtë qarkut të tij. Ajo padyshim që nuk e pëlqen deklaratën e Terezës, që si mësuesja e Aleksit, ajo shpenzon më tepër kohë me të se sa nëna e tij, e cila është një grua në karrierë, dhe prandaj e kupton më mirë atë. Por gjëja, që nuk i pëlqen fare, është zbulimi, që ka bërë kohët e fundit, i cili del në pah nga disa ndeshje verbale fillestare, nga ku mësojmë, se bashkëshorti i saj dhe Tereza janë të dashuruar. Kjo, plus puna me emaile dhe letra të shkruara, shkon për llogari të kuptimit të titullit.