Erion Veliaj: ‘Lek Gjiknuri’, shkolla më e re që i shtohet Njësisë 8, shkolla e 43-të që hapim në Tiranë

144
Sigal

“Lek Gjiknuri” është shkolla më e re që po i shtohet Njësisë 8, në zonën e njohur si Medreseja në Tiranë. Godina po ngrihet me të njëjtat standarde si të gjitha shkollat e reja që kanë përfunduar në kryeqytet. Ajo është shkolla e 43-të në dy vitet e fundit që i shtohet Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se shkolla synohet të hapet brenda semestrit të dytë të këtij viti arsimor. Ai shtoi se ky është një premtim i mbajtur për komunitetin e zonës. “Kush ka sy dhe numëron, kush ka veshë dhe dëgjon, e di se kjo është shkolla e 43-të që bëjmë në këtë mandat. Është një shkollë, të cilën komuniteti i zonës e ka kërkuar prej kohësh, sepse ia ka ndjerë mungesën. Në këtë vend kanë qenë zyrat e UKT-së dhe ishte e destinuar për shkollë, por ata që zëvendësuam bënin improvizime dhe në pamundësi për të bërë gjëra të bukura, estetike, për të krijuar hapësira cilësore në komunitet, sajonin arna e mballoma të tilla, që nuk ishin as shkollë, as zyra korporatash. Ne vendosëm ta çojmë ujësjellësin diku tjetër dhe këtë hapësirë e liruam për të ndërtuar këtë shkollë”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se shkolla “Lek Gjiknuri”, e cila mban emrin e një profesori të nderuar, do i shërbejë të gjithë komunitetit të zonës së Medresesë, fëmijët e të cilëve më herët mbingarkonin shkollat e zonës së Selvisë. Veliaj tha se edhe nihilisti më i madh nuk gjen dot një argument kundër këtij volumi shkollash të ndërtuara në Tiranë. Veç 40 shkollave të përfunduara në dy vitet e fundit në Tiranë, një paketë tjetër me 10 shkolla pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, duke i dhënë fund mësimit me dy turne, por edhe duke vendosur një standard të ri në ndërtimin e shkollave në kryeqytet.