Teksa po afrojnë festat e fundvitit, në Baldushk u hap sot, për të gjashtin vit radhazi, tregu tradicional i gjelave të detit. “Nuk ka asnjë dyshim se gjeli i Baldushkut është më i miri, më organiku, më i shëndetshmi. Është i pazëvendësueshëm në tavolinat e Vitit të Ri. Ka shumë njerëz që pyesin: “Si mund të ndihmoj”, të cilëve u them: mund të blesh një gjel këtu, sepse kështu ndihmon ekonominë lokale. Kemi një Tiranë urbane me financa dhe para, që është pjesa më vitale e qytetit, por kur vjen puna te gjenerimi i ekonomisë, Tirana është e rrethuar me një super kurorë rurale, ku prodhohet mishi i gjelit, djathë, kos dhe gjalpë, ku prodhohet vaji i ullirit, vera dhe rakia më e mirë”, -u shpreh Veliaj. Ai vuri në pah një karakteristikë që banorët e ruajnë me fanatizëm në mirërritjen e gjelave, siç është ajo e mos përdorimit të elementëve të dëmshëm në ushqimin e tyre, por vetëm me produkte bio. Ai ftoi këdo që ka vendosur të festojë Vitin e Ri me gjelin e detit të vizitojë tregun e Baldushkut, si një kontribut dhe vlerësim për mundin e djersën e banorëve lokalë. “Sot, ftesa për të gjithë është: Nuk ka Vit të Ri pa gjelin e detit të Baldushkut! Nxitoni! Këtu kemi vetëm një ekspozitor, pra çdo familje ka vetëm disa krerë, për të treguar cilësinë, por në treg kemi 45 mijë krerë. Mund t’i prenotoni të gjallë, të përgatitur, mund t’i prenotoni edhe të gatuar nga shumë prej bujtinave që janë këtu në Baldushk. Të gjitha këto procese prodhojnë ekonomi. Unë e them dhe do vazhdoj ta them: Kur dikush blen një gjel nga Baldushku ose nga fermat e katundet tona, nuk ka blerë vetëm vaktin e Vitit të Ri, ka blerë gjithashtu edhe librat e shkollës së një goce të vogël, ka blerë atletet e një çuni të vogël, që do shkojë në stërvitje, i ka blerë tjegullat një familjeje që do rregullojë shtëpinë, i ka blerë plastmasin një fermeri, që do rregullojë serën; pra, ka kontribuar vërtet me solidaritet në një zinxhir të madh, që ngre lart shumë prej familjeve që i kushtojnë 51 javë të vitit këtij procesi dhe kanë vetëm një javë ku mund të shesin dhe mund të rikuperojnë gjithë mundin dhe gjithë djersën e tyre”,- tha ai. Këtë vit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se në treg do të shiten 45 mijë shpendë të zonës. Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës e jo vetëm, që ta blejnë gjelin atje dhe të kontribuojnë për ekonominë lokale, pasi në këtë mënyrë ndihmojnë fermerët që i përkushtohen rritjes së tyre.




















