Epidemia e COVID-19 shtrenjton ushqimet

513

Indeksi i Çmimeve të Konsumit pësoi një rritje të pazakontë, veçanërisht te ushqimet gjatë muajit mars, duke sinjalizuar se shqiptarët mund të mos vuajnë nga Pandemia COVID-19 vetëm papunësi apo pushime të papaguara, por edhe shtrenjtim të jetesës.

Sigal

Indeksi i Çmimeve të Konsumit shënoi rritjen më të lartë në dy vjet gjatë muajit Mars, duke reflektuar shtrenjtimin e çmimeve të mallrave ushqimorë, më një kohë që pjesa tjetër e ekonomisë ishte e paralizuar.

IÇK u rrit me 2.1% në terma vjetorë, gati dyfish në krahasim me inflacionin e shkurtit që ishte në masën 1.2%. Çmimet e grupit të ushqimeve u rritën me 5.1% në terma vjetorë, nga 2.2% në shkurt. Të gjitha çmimet e ushqimeve kanë pësuar rritje por rritja ka qenë më e lartë te frutat, 24.3% dhe te zarzavatet, 8.2%.

Shqipëria ka pasur një normë të ulët inflacioni që nga viti 2010, por inflacioni ka qenë në nivele të papërfillshme që nga fillimi i vitit 2019.

Pandemia COVID-19 detyroi shqiptarët të mbyllen në shtëpi duke filluar nga mesi i muajit mars. Pjesa më e madhe e ekonomisë është paralizuar ndërsa vetëm sektori ushqimor duket se vijon si më parë.

Qeveria shqiptare urdhëroi ndalimin e rritjes spekulative të çmimeve si pjesë e masave të gjendjes së katastrofës natyrore ndërsa policia ka njoftuar disa operacione inspektimi. IÇK gjithsesi sugjeron se këto masa nuk kanë qenë shumë efikase.