Energjia, mbi 71 mijë familje do paguajnë fatura të fryra me 66%

148
Sigal

 

Shembull: Një familje konsumon 1000 kilovat energji elektrike në muaj, për këtë sasi të shpenzuar përpara 1 tetorit 2022, ajo duhet të paguajë 11,400 lekë me  TVSH.  Pas 1 Tetorit, po e njëjta sasi do të faturohet total 18 920 lekë

Ja si do ndryshojë çmimi final i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset. Open Data Albania po analizon ndryshimet e çmimit të shitjes energjisë elektrike për konsumatorët Familjarë dhe Biznese sipas tensionit të furnizimit për vitin 2022. Çmimi final i shitjes së energjisë elektrike për konsumatorët Familjarë dhe Biznese është rritur. Me çmim final do të kuptojmë çmimin e shitjes së energjisë plus tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike.Konsumatorët Familjarë, për periudhën 1 tetor e vijim do të përballen me 2 fasha apo nivele të ndryshme të çmimit të energjisë elektrike. Familjet që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj, do të paguajnë çmimin prej 9.5 lekë për çdo këh vlerë kjo pa TVSH. Ndërsa konsumatorët familjarë që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat, do të paguajnë çmimin prej 42 Lekë për këh për çdo sasi kilovati më tepër se 800. Kjo fashë progresive pritet të prekë më shumë familjet me shumë anëtarë, të moshuarit, që bëjnë jetë familjare më intensive, dhe prindërit që rrisin fëmijë duke konsumuar më shumë në larje, gatim apo ngrohje me energji.

Shembull: Një familje konsumon 1000 kilovat energji elektrike në muaj, për këtë sasi të shpenzuar përpara 1 tetorit 2022, ajo duhet të paguajë 11,400 lekë me  TVSH (1000 këh*9.5 lekë/këh plus 20 % TVSH).

Pas 1 tetorit, po e njëjta sasi e konsumuar do të faturohet total 18 920 lekë me TVSH  ku 800 kë do të llogariten me 9.5 lekë për këh, ndërsa 200 këh llogariten me çmimin 42 lekë për këh plus TVSH mbi çmimin e shitjes prej 20%.

Për të njëjtën sasi të konsumuar, konsumatori familjar do të paguajë 7 520 lekë apo rreth 66% më shumë.

Për klientët Biznese, vihet re një rritje e tarifave sipas nivelit të tensionit. Kjo rritje vjen si rezultat i ndryshimit të tarifave të transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike. Tarifa më të larta të shërbimit dhe transmetimit ndikojnë në çmimin Final që Bizneset paguajnë.

Rritja më e lartë vihet re në klientët që furnizohen me tension 0.4 kilovolt, ku çmimi aktiv i përllogaritur  për periudhën 1 maj-31 dhjetor është 24.07 lekë/Këh, rreth 1.73 lekë/këh apo 7.7% më shumë se çmimi në periudhën 1 Janar – 31 Prill (përllogaritur 22.34 lekë/këh).

Edhe për klientët në tensionin 20 ka pasur një rritje me 0.19 lekë/këh apo 1.1% të çmimit të blerjes së energjisë elektrike. Tashmë klientët në këtë tension paguajnë 18.04 lekë/këh nga 17.85 lekë/këh. Në këtë tarifë llogariten edhe tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Për Furrat e Bukës dhe prodhim mielli në 20/10/6 kV ka pasur një rritje të çmimit me 1.2 lekë/këh. Këto klientë paguajnë rreth 15.26 lekë/këh me TVSH, apo 8.5% më shumë se 1 janar-30 prill 2022. Ndërsa Furrat e Bukës dhe prodhim mielli në tensionin 0.4 kV paguajnë çmimin 15.86 lekë për këh apo me 1.2 lekë/këh më shumë se periudha 1 janar-30 prill.

Për klientët, të cilët blejnë energji në treg të hapur çmimi i blerjes së energjisë përcaktohet nga kompani Furnizues privat, të cilët aplikojnë çmime në varësi të çmimit me të cilin e blejnë energjinë në bursë. Në rast se bizneset që operojnë në treg të hapur, për një arsye të veçantë nuk marrin energji nga këto kompani Furnizues privatë ato do të furnizohen me energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF). Edhe për këtë kategori, ERE ka përcaktuar çmimet e energjisë elektrike për Klientët sipas tensionit.

Tarifat FMF janë të ndryshueshme çdo muaj për çdo kategori klientësh. Çmimin më të lartë e kanë klientët me furnizim me tension 35 kV, të cilët paguajnë rreth 31.2 lekë/këh që prej muajit korrik. Ndërsa klientët e tensionit 20 kV, 10 kV, 6 kV prej muajit maj kanë të njëjtin çmim prej 18.26 lekë/këh, çmim i cili do të mbetet i pandryshuar deri në fund të 2022.

Tregu i energjisë elektrike është tregu ku energjia elektrike shitet dhe blihet drejtpërdrejt, ndërmjet pjesëmarrësve të tregut, në bazë të kontratave dypalëshe apo tregu i organizuar nëpërmjet platformës për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike në bazë të ditës në avancë (day ahead) apo brenda së njëjtës ditë (intra day). Bizneset klasifikohen si Klientë të furnizuar me tensionin 35 kilovolt (kV), Klientë të furnizuar me 20/10/6 kilovolt, Klientë të furnizuar me tensionin 0.4 kilovolt, si dhe Furrë Buke dhe prodhim mielli në 20/10/6 kilovolt dhe Furrë Buke dhe prodhim mielli në 0.4 kilovolt.