EMRI/ Iu gjetën armë, municion luftarak dhe kapsolla detonatore në banesë, arrestohet 45-vjeçari në Kukës

168
Sigal

Policia e Kukësit ka arrestuar 45-vjeçarin Asllan Peposhi, banues në fshatin Lusen, pasi gjatë kontrollit në banesë iu sekuestruan dy armë zjarri pushkë, një sasi municioni luftarak, një kapsollë detonatore dhe një shkop bejzbolli.

Materialet në ngarkim të tij u referuan në prokurorinë e Kukësit, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në zbatim të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas që mbante armë zjarri pa leje në banesë, kishte konflikt me ish-bashkëshorten, me qëllim parandalimin e ngjarjes kriminale, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lusen”.

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 45 vjeç, banues në Lusen.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi 2 armë zjarri pushkë, një sasi municioni luftarak, një kapsollë detonatore dhe një shkop bejzbolli.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta””, thuhet në njoftimin e policisë.