EMRAT/ Gjykata e Lartë, sot shqyrtohen tetë kandidatë

333
Sigal

Pas tre anëtarëve të parë që u dekretuan dhe tashmë janë anëtarë të Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe, vijon procesi për plotësimin e vakancave në këtë organ të rëndësishëm të drejtësisë.

Për këtë qëllim, Këshilli i Lartë Gjyqësor mblidhet sot për të shqyrtuar 8 kandidatura për 6 pozicione në Gjykatën e Lartë.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, KLGJ-ja bëri të ditur se do të bëhet vlerësimi i kandidatëve Klodian Kurushi, Sokol Ibi, Albana Boksi, Alma Hicka, Klodiana Veizi, Manjola Xhaxho, Gentian Medja dhe Sokol Ngresi.

Procesi i verifikimit të kandidatëve pritet të marrë kohën e tij, dhe pritshmëritë e kryetares së KLGJ-së, Naureda Llagami, janë që brenda vitit 2020 Gjykata e Lartë të bëhet me 10 anëtarë, nga 19 që do të duhet të ketë sipas përcaktimeve kushtetuese në ndryshimet që u bënë në vitin 2016 në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Ndërkohë, ky ritëm në plotësimin e Gjykatës së Lartë u kontestua nga deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve gjatë raportimit të drejtueses së KLGJ-së, Naureda Llagami.

Sipas kreut të këtij Komisioni, Manja, plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë lidhet drejtpërdrejt edhe me Gjykatën Kushtetuese dhe se për këtë shkak duhet të vijojë me një tjetër ritëm, shkruan Panorama.

Pas miratimit të Reformës në Drejtësi, Gjykata e Lartë tashmë do të përbëhet nga Kolegji Civil, Kolegji Penal dhe Kolegji Administrativ. E ndërkohë, sa i përket kritereve në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ai/ajo zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit.

Po ashtu, një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë si avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike apo edhe në të tjera fusha të jurisprudencës.

KANDIDATËT
Klodian Kurushi
Sokol Ibi
Albana Boksi
Alma Hicka
Klodiana Veizi
Manjola Xhaxho
Gentian Medja
Sokol Ngresi.