Emiljano Shullazi kërkon lirinë, zbulohet kërkesa e tij për Gjykatën e Posaçme të Apelit

846
Sigal

Emiljano Shullazi dhe anëtarët e tjerë të grupit të tij i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë.

Seanca pritet të mbahet sot në orën 12:00 në gjykatë, ndërsa prej më shumë se një viti procesi ka ngecur në Apel, me seancat që zvarriten dhe i lënë vendin njëra tjetrës.

Kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë vjen pas disa vendimeve për lirimin e disa të dënuarve me burgim të përjetshëm, ku duket se dhe Shullazi kërkon të njëjtat përfitime.
Vetëm në këtë fillimviti janë bërë publike lirimi nga burgjet i dy anëtarëve të bandës së Durrësit Endrit Dokle dhe Sardian Sulejmani, si dhe Ergys Kolaverit, nga ana e Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Dokle ishte dënuar me burg përjetë, por u lirua me kusht nga ana e gjykatëses së Krujës Enklejeda Hoxha, ndërsa Sulejmanit iu falën rreth 5 vite burg, që i kishin mbetur nga dënimi me 25 vite.

Kujtojmë se Shullazi është dënuar me 14 vite burg nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda, vendim me të cilin ai nuk ka rënë dakord asnjëherë.

Shullazi është dënuar me 12 vjet për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj”, 10 vjet burg për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zaka, kryer në bashkëpunim”, dhe në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, për caktimin e dënimit për disa vepra penale, i pandehuri Emiljano Shullazi dënohet me një burgim të vetëm prej 14 vitesh burgim.

Nga ana tjetër Shullazi u shpall i pafajshëm për shkatërrimin e pronës me eksploziv në dëm të shtetasit Jani Zaka, i pafajshëm për shtrëngim të dhënies së pasurisë për shtetasin Adriatik Kërçuku, pasi nuk provohet fajësia e tij, i pafajshëm për shkatërrimin e pronës me eksploziv në dëm të shtetasit Adriatik Kërçuku.

Po ashtu Gjykata shpalli të pafajshëm Shullazin për veprën penale të kanosjes për shkak të detyrës për shtetasin Mynyr Koni, pasi nuk provohet fajësia e tij.