Elita kulturore e shkencore e Tropojës, lakmi për çdo kryeqytet ballkanik

3635
Nga Agron Prebibaj 

Tropoja piktoreske, kala qëndrese dhe diturie 
Në nisje të kohërave, atëherë kur Zoti foli shqip, Tropojën (Malësinë e Gjakovës), këtë tokë dardane e pikturoi me zellin dhe mjeshtërinë hyjnore, duke i dhuruar të gjitha resurset e pasuritë dhe bukuritë e natyrës. Zgjodhi vendin dhe qiellin përmbi, e shtriu në një terren fushor, kodrinor, malor, e stolisi me bjeshkët e përmendura (Alpet) që një gojëkeq i quajti “të namuna” me një lartësi që nisen nga 143 m mbi nivelin e detit, aty ku bashkohet lumi i Curraj i Epër me Drinin për të arritur në pikën më të lartë Maja e Hekurave 2561 m. Shtrirja gjeografike e Tropojës është unikale, formon amfiteatër të mëdhenj e të vegjël, me livadhe e pyje të bollshme por që kulmon me amfiteatrin më madhështor në Curraj të Eper, një befasi që mrekullon dhe mahnit përmbi krye Bjeshkët e Namuna e që nis me vargun Qerem-Dragobi-Valbonë-Curraj-Theth, të cilët pasurojnë historinë dhe letërsinë me visaret e kombit “Epikën legjendare“. Tropoja është mjaft e pasur me bjeshkët, të cilat kanë bimësi e ujëra të bollshme, është Sylbica, Markovçe, Dobordol, Shkelzen, Lumi i Gashit, Bosh, Vashqefen, Lkeni i Ponarëve, Shtegu i Dashit e plot të tjera që e bëjnë mrekullinë e vërtetë majën e ajsbergut të Alpeve Shqiptare e pse jo të Ballkanit e më gjerë. Malësia e Gjakovës është më e pasura me bimësi: Ka një zonë fushore të cilën e zotëron kryesisht fisi Krasniqe, vazhdon me pyllin e gështenjave mbi 2000 ha që fillon nga Brisa deri në Qafë Morinë, më pas fillon dushku, ahu e pisha që vendosen sistematikisht mes luginave për t’u bërë hije lumenjve të kaltër me troftë, atë të Valbonës e Curraj i Eper. E gjithë Tropoja është prodhuese, pjesa fushore merr dy prodhime në vit, me pemëtari të zhvilluar, pasuri minerare të pashtershme e ujëra të bollshme. Përjashtohet këtu zona e bokës nga Dega deri në Bytyç një tokë jo shumë prodhuese dhe e ftohtë në dimër. Tropoja mbetet pasuri kombëtare e turizmit malor, mbretëreshë e alpeve shqiptare që po shfrytëzohet pjesërisht. Mrekullia vjen te zona e paprekur me makinë e teleferik, krejt e virgjër, amfiteatri përrallor i vendosur në Curraj i Eper. Tropoja është kalaja natyrore e shqiptarëve, e cila nuk u mposht asnjëherë nga asnjë pushtues në shekuj. Tropojanët nuk pranuan ofiqe e poste, nuk bënë pazare me tokën e tyre të shenjtë, nuk bënë kompromise dhe as ulën kryet, por qëndruan fort në kështjellën e vet dardane, asnjëherë të nënshtruar edhe në besimin e tyre fetar megjithëse mysliman, por asnjëherë të turqizuar duke mbajtur me qëndresë edhe besimin fetar katolik. Krasniqja në shekuj ka një prodhim mjaft me potenciale intelektuale e me klerikë katolikë, vlen të përmendet vërtet një personalitet unifikues e bashkëpunues ndërmjet besimeve e qytetarëve siç është kleriku Patër Pjetër Mëshkalla, porse duhet veçuar për Malësinë e Gjakovës klerikët e shekullit të fundit Hoxhë Dusha, Hoxhë Zogu, e Dom Ndoc Nikaj, të cilët kanë përcjellë mesazhet më të shëndosha për besim në Zot e qëndresë ndaj secilit pushtues. Ata në të vërtetë ishin jo vetëm klerikë por në radhë të parë atdhetarë e nacionalistë të shëndoshë në mbrojtjen e çdo centimetri nga trojet dardane. Ajo që e ngre Tropojën më lart në besimin e vet ndryshe edhe nga të trevat e tjera është krijimi i miteve e krijesa e shenjtorëve të tyre nëpërmjet Dervishit të Luzhës e Rexhep Belit pranë të cilëve e gjithë malësia e Gjakovës e malësitë përreth kanë gjetur shërbim, shërim e shpëtim, kjo një Hyjnore e krijuar vetëm në Tropojë. 

Shkollimi, traditat e zakonet
Tropoja fisin më të madh ka Krasniqen, gjeneza e të cilit është fisi Nikaj. Gjithashtu Berisha gjak i të cilit është fisi Mërtur, fise të tjera janë Bytyçi e Shipshani, por edhe fiset Hot, Vuthaj, Kelmend, Shalë si lulja e pranverës pranë kësaj malësie nëpërmjet prezencës e miqësisë. Besimi fetar në Malësinë e Gjakovës në breza më parë përgjithësisht i përkiste besimit katolik, ndërsa sot e kanë ruajtur këtë besim vetëm fiset Nikaj e Mërtur si një lule e pavyshkur e qëndresës dhe e bashkëjetesës për Malësinë e Gjakovës. Krasniqja së bashku me vëllain Nikaj si fisi më i madh konsiderohet si truri e aristokracia e Malësisë së Gjakovës, Gashi konsiderohet me mendje të pastër e shumë të vendosur në qëndrimet e tyre, Bytyçi-fisi i bujarisë e sojit, kurse vëllezërit Berishë-Mërtur një racë e shkëlqyer shqiptare. E veçantë për Malësinë e Gjakovës (Tropojën) është mikpritja në oden e burrave, virtytet, traditat e zakonet e veçanta, krejt të përbashkëta përjashto ato të ritit të besimit fetar, por gjithnjë edhe festat fetare janë festuar së bashku krejt si në mes vëllezërish. Shkollimi në të gjithë Tropojën i përket shkollës së jetës së ashpër atëherë kur flinin në fier e me kokë në cumer, gjithnjë i madhi duke folur e të vegjlit, duke dëgjuar të cilët jepnin njohuri e dituri me vlera njerëzore për të ardhmen e brezave. Oda e burrave (Soba) ishte Akademia e kohës ku aty përplaseshin mendime, edhe të kundërta, por së fundmi dilej me një vendim unik, i cili nuk cenohej nga askush, vetëm aty në odën e burrave secili fliste me radhë dhe me mendim të qartë për të mos lënë hapësira me pasoja në të ardhmen për fshatin, zonën apo krahinën. 

Tropoja e shekullit të fundit
Sapo filluan lëvizjet kombëtare për liri e pavarësi tropojanët u vendosën në krye me kolosët e tyre të vendosur në sofrën e parë me mendimtarë e prijës në të gjitha etapat pa kursyer koston njerëzore për atdheun e tyre. Tropojanët me mjaft përgjegjshmëri kombëtare, të mirë vendosur e mjaft të maturuar janë fitimtarë në të gjitha betejat me secilin pushtues sikurse mendimtarët e tyre kanë dhënë ide të vyera e kane kryer shërbesa gjithë kombëtare. Edhe në Tropojë si kudo në Shqipëri shkolla shqipe është hapur me vonesë vetëm 101 vite më parë (Gjonpepaj), por vrapimi i tyre për t’u arsimuar e radhit trevën më me shumë intelektualë në shkallë kombëtare, gjithnjë në proporcion me popullsinë. Tropoja zë vendin e pare me profesorë e doktorë shkencorë të të gjitha fushave. Rasti unikal në Shqipëri mbetet Nikaj-Mërturi, kjo krahinë zënë vendin e parë në Shqipëri për arsimimin e lartë pa proporcion popullsie e matur kjo në ish-komuna sot njësi. 
Sigal