“Elbasani do të festojë dy festat e Flamurit, më 25 dhe 28 Nëntor”

831
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Serafin Papa: Ja pse do të festojmë ndryshe

Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Serafin Papa në një intervistë për “Telegraf” bën publike kalendarin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë. Papa ndër të tjera thekson se qyteti i Elbasani do të festojë dy festa atë të datës 25 Nëntor, ku është ngritur Flamuri për herë të parë në Elbasan dhe datë 28 Nëntor, ku është shpallur dhe Pavarësia. Për organizimin e festave është ngritur një komision i posaçëm dhe se festimet do të ndahen në 3 faza, në fazën përgatitore, aktivitete që do të zhvillohen dhe aktivitetet zyrtare. Papa shprehet se Elbasani është harruar prej kohesh si nga historianët ashtu dhe nga Qeveria pasi asnjëherë nuk ka marrë atë që meriton dhe se askush se përmend që Flamuri është ngritur për herë të parë në Elbasan.

Zoti Papa, cilat janë projektet e Bashkisë së Elbasanit për 100-vjetorin e Pavarësisë?

Kemi 2 festa, më 25 Nëntor ngritjen e flamurit për herë  të parë në Elbasan dhe me pas në Vlorë më 28 Nëntor. Për festimet e këtyre 2 festave është ngritur një komision i përbërë nga kryetari i bashkisë, kryetari i qarku, prefekti etj., të cilët kanë hartuar programin e festës, e cila lidhet me fazën e parë përgatitore aktivitetet që do të zhvillohen dhe aktivitetet zyrtare. Përgatitjet e Flamurit Kombëtar të ri, banderola të reja, ndërtimi i vendit, ku do të ngrihet Flamuri, ndërtimi i bazamentit të mbivendosjes së memorialit të Aqif Pashës. Gjithashtu, do të ngrihet një memorial me emrin e nënshkruesve të Pavarësisë së Elbasanit, pra do të vendoset busti i Lef Nosti,  do të bëhet rindërtimi i varrit të patriotit të shquar Aqif Pashës. Për datën 25 Nëntor do të mbajmë një konferencë, ku për këtë është ngritur një grup pune që po merret me përgatitjet e saj. Do të bëhet promovimi i librit kushtuar patriotit Aqif Pasha, ku është përgatitur nga një grup historianësh, do të ketë një koncert, do të hapen disa ekspozita me materiale arkivore mbi Elbasanin në periudhën  e shtet-formimit , do të hapet një ekspozitë në Galerinë e Arteve me vepra që i kushtohen 100-vjetorit të Pavarësisë, do të hapet një ekspozitë me fotografi ajrore të Elbasanit, do të ketë aktivitete sportive si kros me nxënësit e shkollave të qytetit në bulevardin kryesor, do të ngrihet Flamuri më datë 25 Nëntor, por gjithashtu do të ketë edhe aktivitete zyrtare.

Po figurat historike sa vend kanë zënë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë?

Gjatë kësaj kohe dhe Këshilli Bashkiak mori disa vendime dha disa tituj nderi. Z. Mit’hat Farshëri, si përfaqësues i Elbasanit në shkrimin e aktit të Pavarësisë, Visarjon Xhuvani kryepeshkopi i parë i Kishës  Autoqefale Shqiptare, Alush Saraçi kryetar i bashkisë në periudhën e shpalljes së Pavarësisë, Almer Saraçi për ndihmën që dha me shpalljen e Pavarësisë, Sheh Ibrahim Guma klerik i shquar, Charles Felford Erickson ka dhënë ndihmë me të shquar në zhvillimin e arsimit në Shqipëri dhe në vençanti në Elbasan. U shpallën ‘qytetar nderi’ si grup, të gjithë nën shkruesit  e aktit të Pavarësisë. Gjithashtu bulevardi kryesor do të marri emrin Aqif Pasha Elbasani dhe rruga kryesore “11 Nëntori” merr emrin “Qemal Stafa”. Ky është pak a shumë kalendari i aktiviteteve në Bashkinë e Elbasanit për 100-vjetorin e Pavarësisë.

Si do të organizohet itinerari i festës?

Në fakt ende nuk është përcaktuar, por besoj se do jetë ora 08:00 e mëngjesit deri në 22:00 të darkës si për datën 25 ashtu dhe për datën 28 Nëntor, por ne do të bëjmë publik kalendarin në qendër të qytetit dhe në fund të kësaj interviste, që unë falënderoj “Telegraf”-in me lejoni që t’ju uroj të gjithë shqiptarëve “Gëzuar 100-vjetori e Pavarësisë”.