Elbasan, do të ndryshohen emrat e rrugëve, lagjeve dhe institucioneve

2448
Sigal

PATRIOTËT/ Ngrihet komisioni për të hequr emërtimet pa kontribut. Vendimi do të merret në Këshillin Bashkiak

Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Elbasanit këtë javë do të ketë dhe një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës, ndryshimin e emrave në disa rrugë, lagje, shesheve dhe institucioneve  në qytetin e Elbasanit. Një grup këshilltarësh kanë paraqitur një kërkesë që të rishikohen disa emërtime që mbajnë emra jo të rëndësishëm madje dhe atyre të diktaturës komuniste. Një nga më të rëndësishmet është vendosja e emrit të Aqif Pashë Elbasanit, patriotit që ka mbi supe 100- vjetorin e Pavarësisë në bulevard që sot mban emrin Qemal Stafa. Heqja e këtij emri pritet të sjelli debat të nga këshilltarët e majtë. Në mbledhje gjithashtu priten të hiqen dhe mjaft emra dhe emërtime të tjera të simbolikave të mbetura nga periudha komuniste. Mbi dhjetëra kërkesa dhe ankesa nga intelektualë e qytetarë të ndryshëm prej kohësh kanë mbërritur në zyrën e Kryebashkiakut. Janë këto ankesa që do të shqyrtohen nga Këshilli Bashkiak që pritet të jetë një nga pikat e nxehta në debatin e mbledhjes së radhës.

Komisioni

Për këtë qëllim nga bashkia është ngritur një komision i posaçëm me njerëz të zgjedhur për këto kërkesa. Sipas Serafin Papës nënkryetar i Këshillit Bashkiak bëhet e ditur për “Telegraf”, se janë rreth 30 rrugë që do të ndryshojnë emrat pasi sipas tij, një person nuk mund të figurojë dy herë në emërtim rruge dhe në emërtim institucioni, mjaft rrugë mbajnë emra të pakuptimtë. Një propozim për ndryshim emrash dhe që është shumë i rëndësishëm është ndryshimi i emrit të bulevardit kryesor të qytetit të Elbasanit, ku Prefekti i Qarkut të Elbasanit Shefqet Deliallisi, propozon që bulevardi duhet të mbajë emrin e  patriotit të madh Aqif Pashë Elbasani, një nga figurat më të mëdha dhe historike të Elbasanit, që lidhet me Pavarësinë dhe historinë e vendit dhe meriton që në këtë 100-vjetor t’i jepet ky emërtim. Aqif Pashë Elbasani, ose siç njihet me mbiemrin tjetër Biçakçiu; ka qenë Ministër i Brendshëm nga 28. 3. 1914 deri më 3. 9. 1914.

Reagime

Sipas ish-të përndjekurit, Flamur Harrit bëhet e ditur se, shumë nga emrat duhet të hiqen dhe të vendosen ata që meritojnë. “Elbasani ka shumë njerëz që kanë kontribuar për Pavarësinë e vendit. Si mundet që Salim Zuma që ishte i vetmi gjeodet që bëri hartën e parë të Shqipërisë etnike, që më pas u pushkatua në vitin 1948, nuk është caktuar në asnjë vend. Komisioni duhet të jetë i kujdesshëm. Mbështes këtë nismë dhe përgëzoj grupin iniciator që ka marrë përsipër këtë punë”, tha Flamur Harri. Ndërkohë, të njëjtin mendim jep edhe skulptori, Vladimir Caridha: “Është një mendim shumë i mirë dhe vlen për t’u përgëzuar, ka shumë emra të vendosur vërtet të pakuptimtë, grupi përzgjedhur ose komisioni për këtë çështje duhet të paraqesë në Këshillin Bashkiak vërtet kërkesa me emra që meritojnë”.