Sigal

Një i ri është vënë në pranga nga Policia e Elbasanit, pasi akuzohet për disa vjedhje të ndodhura në këtë qytet.

Burime nga policia lokale thanë se kanë prangosur Frederik Maranakun dhe kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij me inicialet E. V.

Të dy këta persona akuzohen për vjedhjen e disa bizneseve të ndryshme, si dhe të disa mjeteve.

Njoftimi i Policisë së Elbasanit:

Operacion policor i kodur ‘Yamaha’.

Në sajë të një pune të mirë organizuar u bë finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar ‘Yamaha’:

Nga veprimet hetimore të kryera nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, është arritur të dokumentohet me prova ligjore se shtetasi Frederik Maranaku në bashkëpunim me shtetasin E.V., në kohë dhe vende të ndryshme kanë kryer vjedhje të ndryshme në qytetin e Elbasanit si dyqane, motorë, biçikleta dhe konkretisht :

Më datë 05.07.2018 në Lagjen ‘28 Nëntori’, në katin e parë të një pallati, dyshohet se i kanë vjedhur kangjellat material alumini shtetasit G. Sh.

Më datë 05.07.2018, dyshohet se kanë vjedhur biçikletën e tipit ‘Scott’, të shtetasit D. G., banues ne lagjen ‘28 Nëntori’, Elbasan.

Më datë 31.03.2018, në lagjen ‘Visarion Xhuvani’, dyshohet se kanë vjedhur biçikletën, me vlerë 30.000 lekë pronë e shtetases A. B.

Më datë 04.02.2018 në lagjen ‘Dyli Haxhire’, dyshohet se i kanë vjedhur motomjetin tip ‘Yamaha’, shtetasit R.K.

Më datë 17.02.2018, në lagjen ‘Brigada 17 Sulmuese’, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dyqanin me artikuj ushqimor të shtetasit A. S., ku kanë marrë steka me cigare të llojeve ndryshme.

Më datë 26.02.2018, në lagjen ‘Haxhias’, dyshohet se kanë vjedhur një motoçikletë tip “PJAXHO”, pa targa në magazinën e shtetasit F. A.

• Më datë 27.02.2018, në lagjen ‘Haxhias’, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dyqanin (Byrektore) të shtetasit A. D., ku kanë marrë 10.000 lekë në sirtarin e dyqanit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore në konsultë të plotë me Prokurorin, u bë ndalimi i shtetasit:

Frederik Maranaku, 34 vjeç, banues në lagjen ‘28 Nëntori’, Elbasan si dhe u shpall në kërkim autori i dytë i dyshuar shtetasi, E. V., 29 vjeç, banues në lagjen ‘Luigj Gurakuqi’, Elbasan.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale të ‘Vjedhjes, të kryer në bashkëpunim’.