Ekzekutimi i Ardian Nikulajt, Maroku u dorëzon autoriteteve shqiptare telefonin e Ruben Saraivës

39
Sigal

Kur kanë kaluar shtatë muaj nga vrasja e biznesmenit në Lezhë, Ardian Nikulaj, autoritetet marokene i kanë përcjellë homologëve të tyre shqiptarë aparatin celular të Ruben Saraivës, 28-vjeçarit portugez i cili dyshohet se kishte rolin e ekzekutorit në eliminimin e biznesmenit.

Komunikimet që autori i dyshuar ka shkëmbyer me persona të tjerë do t’u shërbej hetuesve për të pasur prova të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi më 19 prill të këtij viti, brenda ambienteve të hotelit të tij në Shëngjin.

I riu portugez u arrestua rreth tre javë pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, në Rabat të Marokut.

“Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.

Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez Ruben Saraiva, 28 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, thotë Policia e Shtetit në atë periudhë.