Eksperti i ekonomisë Pano Soko: Kryeministri jep mend kur është puna për lekët e të tjerëve

404
Sigal

Eksperti i ekonomisë Pano Soko deklaroi në “A2 Business” se kryeministri Edi Rama po u thotë qiradhënësve që të mos kërkojnë qiratë, por nga ana tjetër kërkon të paguhen rregullisht drita dhe taksa.

“Kryeministri jep mend kur është puna për lekët e të tjerëve. U thotë qiradhënësve që të mos kërkojnë qiratë, kreditë të shtyhen, por kur vjen puna për të kontribuar me ato që ka në dorë vetë, si shtyrje taksash dhe pagesa energjie, nuk pranon. Nuk është hera e parë që e bën këtë gjë. Diskuton gjërat e qytetarëve, ndërsa të vetat nuk i prek”, u shpreh Soko.

Në lidhje me paketën e masave për të përballuar emergjencën e shkaktuar nga koronavirusi, Soko deklaroi: “Kjo nuk është paketë ekonomike, por sociale. Plani ekonomik merr përsipër ndihmesën e biznesit, ndërsa plani social merr përsipër ndihmesën e individëve. Sot po ndihmohen individët që punojnë te biznesi i vogël. Po u jepet një rrogë minimale, por biznesi nuk po ndihmohet për atë që do të vijë nesër. Madje, ka edhe diskriminim pasi ai që punon në biznes të madh, pavarësisht se me pagë minimale, nuk ndihmohet. Paketa sociale duhet bërë për të gjithë punëtorët”.

“Duhej projektuar një paketë që i jep mundësi biznesit që të shlyejë atë borxh i cili po e mbyt në këto momente. Paketa sociale, pa paketë ekonomike është një 5 me hiç”, shtoi Soko.

Sipas tij, “sot po vuajmë pasojat e keqmenaxhimit të parasë publike, kemi ezauruar limitet e borxhit, kemi ezauruar burimet e të ardhurave që do të vinin nga investimet publike sepse ato lekë kanë shkuar në xhepat e njërit apo tjetrit. Sot që duheshin paratë për t’i garantuar biznesit mbijetesën nesër, nuk i bën dot qeveria sepse i ka shpenzuar paratë”.