Ekskluzive/ Kapet në Rinas një shtetas izraelit me pajisje përgjuese

814
Pasditen e të enjtes punonjësit e sigurisë në aeroportin e Rinasit kanë mbetur të habitur nga deklaratat e një shtetasi të huaj që dilte nga Shqipëria. Gjatë kontrolleve rutinë të valixheve që transportojnë udhëtarët, është hasur një person me shtetësi të huaj i cili lëvizte me një valixhe të zezë, që krijoi dyshime. Burime nga policia bën me dije se kur u pyet çfarë kishte në çantën që mbante me vete, shtetasi i huaj deklaroi se transportonte një pajisje përgjuese. Burri, rreth të pesëdhjetave i tha punonjësve të sigurisë se ishte një shtetas izraelit. Fillimisht punonjësit e sigurisë kanë mbetur të shokuar, por më pas i kanë kërkuar të veçohet nga udhëtarët e tjerë. Menjëherë kanë lajmëruar eprorët e tyre. Shtetasi izraelit është izoluar dhe është marrë në pyetje nga oficerët e policisë. Burime bën me dije se gjatë marrjes në pyetje ka qenë i pranishëm edhe shefi i Komisariatit të Rinasit, Ermal Milori. Detaje nga rrëfimi i izraelitit nuk bëhen me dije, mësohet se ai ka pranuar se kishte qëndruar disa javë në Shqipëri dhe tani kthehej në Izrael. Pasi ka qëndruar disa orë me oficerët e policisë, nuk dihet se çfarë ka ndodhur me shtetasin nga Izraeli, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia. Nuk ka asnjë njoftim për ngjarjen, ndërsa zyrtarë të lartë të policisë nuk pranojnë të japin asnjë koment për këtë ngjarje. Nuk do të ishte hera e parë që në territorin e Shqipërisë futet një pajisje përgjuese. Skandali që provokoi futja e IMSI CATCHER nga Interforca italiane përfshiu krerët më të lartë të policisë së shtetit dhe çoi deri në shkarkimin e drejtorit Haki Çako. Futja në territorin shqiptar e një pajisjeje përgjimi përbën cënim të sigurisë kombëtare, ndaj policia e shtetit ka detyrimin të bëjë transparencë për këtë çështje. Burime të sigurta pranë aeroportit të Rinasit thanë se izraeliti është mbajtur nën ruajtjen e policisë deri dje në mbrëmje dhe nuk ka mundur të largohet me linjën e planifikuar. Mbetet për t’u parë çfarë do të rezultojë nga hetimi i kësaj çështjeje që ringjall dyshime të rënda për përdorimin e pajisjeve përgjuese, pas skandalit me IMSI CATCHER.
Sigal