Ekonomia nis pikiatën, Biznesi shkurton vendet e punës

115

Rritja e çmimeve të ushqimeve bazë është kthyer në stresin e përditshëm të qytetarëve

Sigal

 

Bizneset kanë nisur të shkurtojnë vendet e punës për të përballuar krizën ekonomike. Banka e Shqipërisë raporton rënie të besimit, kjo si pasojë e numrit të kontratave të porosive. Sa i përket konsumatorit rezulton se situata ka mbetur e njëjtë, por se parashikohet rënie e të ardhurave dhe rritje të çmimeve.

Rritja e çmimeve të ushqimeve bazë është kthyer në stresin e përditshëm të qytetarëve. Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët paguajnë 20% më shumë për transportin, dhe 13,2% më shumë për të blerë ushqimet bazë. Shtrenjtimi më i madh i çmimeve përfshiu kryesisht produktet ushqimore, duke pasuar qiranë, karburantet dhe energjinë elektrike. Në krahasim me një vit më parë, çmimet e transportit të ndikuara nga rritja e çmimit të karburantit janë rritur me 19,7 %, pasuar nga ushqimet dhe pijet jo alkoolike që janë rritur me 13,2 % krahasuar me korrikun 2021.Biznesi nuk ndihet i favorizuar nga shteti. Edhe pse është deklaruar se do të ketë rritje të pagës minimale, punëtorët nuk e besojnë këtë gjë. Shteti përkrah bizneset e oligarkëve. Në administratë janë të punësuar dyfishin e punëtorëve për arsye elektorale, persona të cilët se dinë çfarë pozicioni kanë apo se ku punojnë, por janë të paisur me kartën e llogarisë bankare për të tërhequr rrogën çdo muaj.

Kriza e luftës Rusi-Ukrainë dhe rritja e çmimeve ka sjellë dhe një rënie të besimit si te bizneset dhe te konsumatori në Shqipëri. Në raportin e Bankës së Shqipërisë theksohet se treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi një tkurrje me 2.5 pikë. Më të prekur janë sektorët e industrisë, ndërtimit, shërbimet dhe tregtisë. Më konkretisht industria e prodhimit duket në vështirësi me një zhvlerësim prej 3.2 pikësh sa i përket besimit. Shkak mbetet situata aktuale e realizimit të produkteve, por edhe bilanci i kontratave. Çmimet sipas parashikimit të biznesmenëve do të vazhdojnë të rriten, ndërsa punësimi në këtë sektor parashikohet të ketë një rënie të lehtë. Ndërtimi parashikohet të jetë më i qëndrueshëm edhe pse besimi ka rënë me 1.9 pikë. Edhe këtu ndikon kontrata porositëse. Por në këtë sektor banka nënvizon se rënie regjistruan pritjet për punësimin, por edhe ato për çmimet, pas rritjes së dukshme të muajit paraardhës. Shërbimet duket se janë ato që kanë peshën më të madhe. Në periudhë krize familjet kursejnë më shumë në këtë sektor, ndaj dhe rënia e besimit shkoi në 6.1 pikë. Banka e Shqipërisë e argumenton me performancën e dobët të treguesve të ecurisë së biznesit dhe kërkesës për shërbime. Zgjidhje për të përballuar situatën ka mbetur shkurtimi i stafit i cili rezulton i ndjeshëm. Edhe tregtia nuk është në kahun optimist duke shënuar rënie të lehtë për dy muaj me radhë edhe pse me 0.5 pikë Në raportin e Bankës thuhet se pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm dhe punësimin janë në dobësim, krahas pritjeve për çmime në rritje. Treguesi i besimit konsumator rezultoi me vlerë thuajse të njëjtë. Nga ana tjetër, thuhet në dokument, situata e tyre financiare dhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë në të ardhmen paraqitet në rënie.