Edi Rama dhe magjia e fatalitetit

643
Mark TOPOLLAJ
Kino-Regjisor
Në kohët e vjetra mbretërit ngrinin momente si dëshmi e pushtetit absolut. Por në vazhdimësinë e jetës këto vepra arti mbeten krenaria e kohës për të gjithë brezat që vijnë. Po ju Zoti Rama a keni ndonjë ide për të lenë shenjë në qeverisjen tënde? Do të ishte interesante dhe e veçantë në të gjithë rruzullin tokësor, sikur të ngrihet një monument me pemën e kanabisit dhe portreti i Saimir Tahirit duke u fshehur mbas gjetheve të kësaj peme. Kjo vepër do të ishte fjalë e pastër e konvencionit dhe do të shprehte civilizimin e mbretërisë tënde. Historia e shqiptarëve e shkruar nëpërmjet miteve e legjendave tashti do të marrë një drejtim tjetër, ajo do të shkruhet me lëvizjen dhe freskinë e këtyre gjetheve. Filozofia e këtij populli është shpirti i artit të njohjes që nuk u vlerësua asnjëherë. Zoti Rama merre qeverinë tënde familjare dhe bëji një shëtitje nëpër Shqipëri.

Në çdo vend ku do të kaloni do të shikoni magjinë e fatalitetit. Mbasi të mbaroni udhëtimin pyesni anëtarët e kabinetit: A shkruhet historia e Shqipërisë mbi harkun e ylberit të përgjakur, të gjithë do reagojnë, sepse janë të motivuar nga drejtimi i ndjenjave dhe familjariteti, por mënyra e përgjigjes do të jetë e ndryshme. Ky quhet reagim personal, si nga anëtarët e qeverisë, ashtu edhe nga ju. Qeveritarët që ke zgjedhur, në heshtje do të pyesin ty: “Pse në harkun e një dite në bashkëpunim me Sali Berishën arritët të ndërroni ngjyrën e kushtetutës?” Ky libër është i shenjtë është zëri i së vërtetës, është i paprekshëm. Kjo është arsyeja që këta do të heshtin. Kjo quhet violencë intelektuale, që provokon emocione të frikshme. Zoti Rama çdo njeri prej nesh kur u gjet përballë varrit gjigant të Gërdecit u vlerësuam të pa lumtur, vetëm ti gjete forcë dhe ia vure dorën mbi shpatulla Sali Berishës dhe në heshtje i the: “Ngushëllimet e mia!”. Kjo ngjarje e pa dëgjuar dhe veprimi yt, tek çdo shqiptar krijoi emocione dhe një vizion i të ardhmes pa shpresë. Shqipërinë po e drejtojnë njerëz pa ngarkesë të plotë mendore. Kështu koha e së ardhmes është kaq afër me të tashmen, sa e ardhmja duket se s’po vjen kurrë. Populli ka dëshirë të dijë se cilën zyrë të qeverisë suaj është vendosur ironia e emocioneve të krimit. Trillet politike na sjellin vdekje misterioze. Kush i vrau Artan Santon e Sokol Olldashin, ishin Shqiptarë të mirë të dy. Pyete Saimir Tahirin se ai e di më mirë. Ligjet njerëzore nuk funksionojnë, por dhe ligjeve Fizike u është prerë korrenti si radarëve e ushtrisë. Këtu është aleanca e shtetit me kriminelët dhe hajdutët. Zoti kryeministër, a thua po shuhet në marrëzinë e dëshpërimit të vet kjo qeveri cinike dhe prepotente, e cila menjëherë bëhet e shurdhët kur i preken interesat e saj. Ju jeni ulur mbi varfërinë dhe vdekjen e të pafajshmëve që po sjell çdo ditë turbullira të frikshme dhe po prezanton një shtet rrumpallë si ai i Sali Berishës. Tensioni midis kopukëve të qeverisë dhe varfërisë është lufta për të gjykuar superioritetin psikologjik. Është vendosmëria e ndarjes në mes realitetit shoqëror dhe falsitetit të politikës. Për t’i venë hekurat të varfërve është shumë lehtë, por si do t’ia bësh me fëmijët e të cilëve u ka munguar korja e bukës. Po duart e vogla dhe buzët që u dridhen nga të ftohtit a do nxehen ndonjëherë. Shteti mbahet me njerëz të ditur, sepse ata dinë të komunikojnë me demokracinë. Me të paditurit ke sekuencat që janë në vazhdim. Shteti nuk i zbaton ligjet edhe ju zoti kryeministër nuk i zbatoni ligjet. Në fushën e dijes Sokrati i madh ka lenë një përkufizim gjenial “Injoranti di gjithçka, kurse i dituri shprehet se nuk di asgjë.” Qeveria e PS Nr. 2 erdhi në pushtet mbi injorancën e Bashës. Pra futja në thes e kryetarit të opozitës do mbahet mend gjatë, shumë gjatë. Është hipokrizi dhe tallje ndaj artistëve dhe popullit tënd, të marrësh një interprete dhe e vë “ta mbajë” ministria. Eksperienca e dija është pikënisja e çdo zhvillimi, si në fushën e artit, letërsisë dhe shkencës. Ky mendim nuk bie në kundërshtim me fjalët e tua kur thua: “Punë ka por nuk specialistë nuk ka”. Po na thuaj ku i specializove këta njerëz që i vure në postet ma të larta shtetërore. Aristoteli thotë “Edhe e bukura zhvillon dëshirat, lëviz pa lëvizur, flet pa folur. Kjo ndodh kur trurin e kanë një arkiv jetësor të eksperiencave së egoizmit”. Këtu tek ne emocionet e dhimbjes njerëzore janë unike. Stili dinamik i dukshëm dhe i pa tolerueshëm është vazhdimësia e totalitarizmit. Matematikën e të vdekurve e quan opinion, kurse tonelatat e drogës me avion i ke emërtuar, mushkonjat e Divjakës. Denoncuesit e vazhdimësisë së krimit i quan bashkëpunëtor me trafikantët. Kjo quhet Tartufo-politikë, e cila bashkë me hipokrizinë e PD-së po shkatërroni shoqërinë shqiptare. Rilindja bashkë me reformën në arsim, pa reformë politike e kulturore janë ndajfolje të pa shqiptuara. Një rrugaç politik si Saimir Tahiri të ka ndihmuar për ndërtimin e një fabrike për regjjen e lëkurëve njerëzore. Kjo është arsyeja që braktise ligjet e shtetit për të mbrojtur një zorzop. Kjo do të thotë se formulën e respektit e ke të komplikuar. Për origjinalitetin në interpretimin e kompromisit ke kopjuar Sali Berishën. Kjo është arsyeja që gjeli i Pablo Pikasos nuk po këndon më me atë zërin e tij çjerrës e kapriçioz mbi lavdinë e plehrave të komunizmit. Ai me heshtjen e tij thotë: “Ligësia është ma e keqe se varfëria”.

Zoti Kryeministër ka krijuar një shtet të matriarkatit primitiv, por edhe meshkujt e kanë pemën e trurit me gjethe të thata. Unë jam dakord që femra në Shqipërinë tonë duhet vlerësuar. Ajo ka privilegjin e madh në jetë, ajo është nënë. Zoti Edi Rama a keni menduar ndonjëherë për femrat shqiptare, jo për ato që emëron në qeverinë tënde, po për qindra e mijëra të tjera që nuk kanë minimumin e jetesës. Shumë prej tyre e kalojnë jetën duke qarë për fëmijët e tyre që ua vrau varfëria dhe politika. Kjo është gjendja dhe dashje pa dashje njëkohësisht është një sfinks tallës dhe një dakordësi me djallin. Të gjithë e shohin se shteti të ka rënë në të gjithë hallkat e jetës. E ke të pamundur të bësh shtet, sepse nuk të lë sistemi që ke ngritur dhe paaftësia.
Sigal