Dyshohet se tentoi të vriste me sëpatë të moshuarin, vihet në pranga 62-vjeçari në Devoll

146
Sigal

Policia e Devollit ka zbardhur plagosjen e ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Menkulas, ku ka rezultuar se një shtetas dyshohet se kishte tentuar të vriste me mjet të fortë (sëpatë), një 73-vjeçar.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Bilishtit, kishte shkuar për ndihmë mjekësore një shtetas i dëmtuar në kokë, menjëherë kanë shkuar në spital, me qëllim verifikimin e rastit. Shtetasi i dëmtuar V. B., 73 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll, ka deklaruar fillimisht përpara oficerit të policisë gjyqësore se ishte rrëzuar aksidentalisht, në oborrin e banesës së tij.

Falë hetimeve të thelluara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Menkulas”, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga provat e siguruara nga hetimi rezultoi se shtetasi V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për motive të dobëta, kishte goditur me mjet të fortë (sëpatë), në kokë, 73-vjeçarin, i cili do të transportohet nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar”.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.