Thoma Goga: Në “mbretërinë” e hurit “

117
Sigal

 

Ballisti Arif dhe nipi i Bamkë Qylollarit te “I teti në bronz”…

– Nga defteri Çeços –

Fejton: Nga Thoma Goga

Viti i vjetër i bëri “dorëzimet”, shkoi e vate. Po kjo që do rrëfej nashti, bëri vaki vetëm një ditë para se të vinte viti i ri…As që më kishte shkuar ndër mend të më vinte ftesë për të qënë në një darkë zyrtare. Zarfi ishte “i ngarkuar” mirë; pesë vula e tre pulla. Ca para, ca pas. Vrava rradaken, se kujt i vajti mendja për mua? E kush jam unë? Fundja-fundit; një copë çoban. Mbase i djeg dikujt, se unë nuk lë asnjë noksan pa “gudulisur” me hostenin tim. Siç duket, më kanë rregjistruar si “të shoqërisë civile”, ngaqë s’kam qënë kurrë ushtarak! Hamendjet e mia morën fund kur mora vesh se si ishte kjo punë. Ftesën ma dërgonin ata të stanit nga fshati Matufas. Po unë si do shkoja në festë, ashtu duarthatë?! Do më hiqnin veshin, po të çoja nja dy rrota me djathë. Të çoja ndonjë sheleg si dorovi, do më merrnin për “terrorist”. Ose do më ngatërronin me ballist Arifin. E mo, me atë nipin e Bamkë Qylollarit te “I teti në bronz”… Nejse. Mora kalin “çil” që s’do as benzinë, as parkim. I futa marshin “revan” dhe shteg më shteg e stan më stan. Kur mbërrita, që thoni ju, më priti një çoban me syze të errta si nata. Në dorë mbante një hu. – Po ti këtu?- më tha. – Kam një kartë nga ata “lartë”,- ja ktheva. – Ai që ka firmosur këtë kartë, është “parkuar” një herë e mirë. Po e di ç’ke ti, prit të pyes “shefin e ri”. Pas pak sekondash u kthye. – O, urdhëroni! – buzëqeshi.- A, ti je ai. Më fal, se nuk të njoha…Nejse, hyra që thoni ju. “Stalla” e madhe ishte plot. Të gjithë sa ishin aty, mbanin syze të errta. Në dorë kishin nga një hu. M’u duk vetja sikur isha në “mbretërinë” e hunjve. Në krye të tavolinës një karrige ishte bosh. – Kush është i pari stanit këtu?- pyeta unë. Të gjithë ngritën përpjetë nga një hu. – Ulu!- dëgjova një zë të fortë. Po ku të ulesha?! Dhe u nisa te vendi bosh. – Mos! – ulëritën të gjithë në kor. – Për atë m.. vend aty, po mbajmë nga një hu,- foli një që kisha aty pranë.-Kush e zë atë vend, vdes në vend. – Çfarë do pish?- tha dikush. Unë s’fola.- Çfarë do hashë? – Hiç,- thashë kur pashë hunjtë, që u ngritën lart.- Vetëm më thoni i kujt është ai vend? Për herë të parë foli njëri. Ishte i vetmi që nuk kishte syze. Po njërin sy e kishte mbuluar me napë të zezë. – Ai që mbante atë vend i ktheu patkonjtë nga dielli. Po zarfin ma ka lënë mua. Brenda tij është amaneti për atë m.. vend. Ma la mua, se unë i shtroj të gjithë në hu. Druri është “specialiteti” im. Kam qenë polic… E mora me mend. Aty ishte “Hani rrumpallës”, siç thotë shoku im Jani. Atë çast nxora biçakun, mpreha kalemin dhe varda: “Kronika e një feste, ku të heqin kokën me gjithë feste”. Po ç’emër t’i vija kronikës? Asaj atmosfere i shkonte për shtat titulli: “Në mbretërinë e qorrave kërcet huri dhe sundon ai që ka një sy…” Ja, kështu që thoni ju, u mbyll viti që shkoi e vate. Vate me gjithë të ligat e veta. Vaftë e mos ardhtë, po “litarin” e paska lënë jashtë… Të fala e me shëndet: Çeço Çobani, d.v.