Dyshohet se shpërndante kanabis, arrestohet 47-vjeçari

37
Sigal

Një 47-vjeçar është arrestuar në Lushnje, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike.

Dyshohet se shtetasi me iniciale A. C., shpërndante kanabis në doza, në afërsi të vendit të quajtur “Pushimi i shoferit” ndërkohë që po udhëtonte me automjetin e tij.

Policia i ka sekuestruar dozat e lëndës narkotike, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, 7 aparate celulare dhe automjeti tip “Volkswagen”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas një hetimi disamujor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Delivery”.

Shpërndante doza kanabisi, në Lushnjë dhe në fshatrat e Divjakës, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 47-vjeçari.

Sekuestrohen 1000 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, që u gjetën në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Sektorit Operacional të DVP Fier, pas një hetimi disamujor me metoda proaktive, të një rasti të shitjes në doza, të lëndës narkotike kanabis, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Delivery”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi A. C., 47 vjeç, banues në Lushnjë. Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, ndërkohë që po udhëtonte me automjetin e tij, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në qindra doza, gati për shitje.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjetën edhe qindra doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, 7 aparate celulare dhe automjeti tip “Volksëagen”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 47-vjeçari e ushtronte aktivitetin e tij kriminal në Lushnjë dhe në fshatrat e Divjakës.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të metejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.