Dyshohet se i vuri zjarrin noterisë në Sarandë, lihet në burg 41-vjeçari, ja çfarë tha në gjykatë

126
Sigal

Ka dalë sot para togave të zeza të Gjykatës së Sarandës, 41-vjeçari Marjo Sinani i arrestuar tre ditë më parë si i dyshuar për vendosjen e zjarrit në zyrën noteriale të Aleko Anagnostit në Sarandë.

Në seancën e drejtuar nga Fatmir Ndreu, 41-vjeçari ka pranuar të jetë autori i zjarrvënies në zyrën e Anagnostit, i cili ndodhet gjithashtu në paraburgim. Megjithatë ai nuk e ka treguar emrin e porositësit.

“Më ka vendosur një person për të vënë zjarrin, por nuk e njoh atë”, mësohet të jetë shprehur Sinani.

Prokurori Ilir Hoxha ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest në burg” e cila është lënë në fuqi edhe nga Gjyqtari Fatmir Ndreu.

Sinani rezulton i dënuar me parë për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie. Nga veprimet hetimore, dyshohet se 41-vjeçari e ka vënë zjarrin edhe në zyrën noteriale të Anagnostit.

Për pasojë janë djegur një pjesë e dokumentacionit (arkivës) që mbahej nga avokati në ambientet e zyrës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshmbathje dhe sasi benzine që dyshohet se janë përdorur nga 41-vjeçari, gjatë kësaj ngjarjeje.