Përfundon masa ndaj kryebashkiakut të Lushnjës dhe 10 të arrestuarve, gjykata tërhiqet për vendimin

47
Sigal

Përfundon seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Lushnjes dhe 10 të arrestuarve të tjerë.

Pas një seance maratonë të nisur në orën 9:00 të mëngjesit gjyqtarja e Posaçme, Danjela Shirka është tërhequr për vendim.

Kujtojmë se SPAK ka kërkuar 7 masa arresti me burg dhe 4 arrest shtëpie.

Dosja e SPAK:

Në dosjen e SPAK për arrestimet në Bashkinë e Lushnjes, duket se dhe vetë kryetari i bashkisë Fatos Tushe, është i përfshirë në korrupsion banal, siç është dhe dhënia e naftës për djemtë e biznesmenëve që iu jepte tendera.

Më konkretisht Tushe dhe punonjësi në varësi të tij Flamur Golemi, mbushnin me naftë makinat e djemve dhe punonjësve të biznesmenëve Ibrahim Lami dhe Bujar Murati.

Tushe shihet duke marrë pjesë në biseda aktive që Ibrahim Lami dhe djali i tij ta kishin plot me naftë serbatorin e makinës, dhe të mos fusnin asnjëherë dorën në xhep.

Marrëdhënia mes Tushes dhe Lamit duket e afërt, pasi në një moment tjetër të dosjes biznesmeni ndërhyn për një provim që vajza e kryebashkiakut ka në Tiranë.

Sipas akuzës, Flamur Peqini me detyrë drejtori i ndërmarrjes së pasurive publike në Bashkinë e Lushnjes, komunikon me menaxherin e një karburanti, ku e porosit që të furnizojë me naftë makina të ndryshme, një pjesë e të cilave nuk janë pronë e Bashkisë.

Në disa prej komunikimeve, Peqini urdhëron punonjësin e një karburanti, Daniel Nushi që të furnizojë me karburant shtetas që nuk janë të punësuar në bashki. Vetë kryebashkiaku Fatos Tushe, telefonon Peqinin duke i thënë: O Mule thuaji içik atij ti hedhi çunave me tre teta.

Pas kësaj telefonate Peqini telefonon Danielin dhe i thotë: Po vjen një makinë tjetër, hidhi asaj me tre teta o burrë i dheut. Shpejto tani tani direkt, atë me tre teta, është çuni i shefit. Pas kësaj telefonate Fatos Tushe ka telefonuar Flamurin dhe i thotë ”janë çunat aty re Mule, nuk i the gjë atij, ai i ka thënë jo nuk ka thënë gjë Flamuri”. Personi që ka furnizuar me karburant makinën është Brigel Lami, djali i biznesmenit Ibrahim Lami.

Danjeli i thotë se i ka hedhur ”85 litra vëlla”, Flamuri e pyet “Po ajo tjetra sa mori”, ”83″ i përgjigjet Danieli.

Më pas në orën 17:11, Danjeli telefonon Flamurin dhe i thotë ”kam këtë çunin e shefit këtu o…”, Flamuri i thotë: çunin e shefit? Okej mbushe dhe më ço mu mesazh sa litra i hodhe.

Një tjetër rast është kur shtetasi F.F telefonon kryetarin e Bashkisë Lushnje, dhe i thotë që ”nesër në mëngjes do iki për pushime, do futem në Lushnje nga ora 07:30″, Fatosi i thotë që ”do nxjerr drejtorin e burimeve njerëzore, pasi vetë do të jem në Karaburun”.

Ndër të tjera kryebashkiaku Tushe i thotë se ai e di vendin dhe të shkojë atje, e mos ta vrasë mendjen.

Të nesërmen Fatosi telefonon Flamurin dhe ndër të tjera e pyet nëse ”a erdhi F… se i thashë Turit”

Flamuri thotë që i ka thënë Turi, por ka menduar se po tallej. Flamuri ndër të tjera i thotë që ndodhet te karburanti dhe po pret “Braçen”. Sipas raportit të vëzhgimit mjeti në fjalë ka marrë karburant dhe nuk ka paguar. Flamurin e telefonon djali i Ibrahimit dhe i thotë: Mule si kalove, djali i Braçes jam, numri është i shoferit, po më tha babi dhe jam këtu te karburanti” Flamuri i thotë që ti kalojë punëtorin e karburantit të cilit i thotë “mbushe dhe më thuaj sa mori, Po Gersi sa mori?”, punëtori përgjigjet “40 mori”. Ndërkohë që djali i biznesmenit rezulton se ka marrë 84 litra.

Të tjera përgjime dalin në dritë nga dosja e SPAK, ku punonjësit e Bashkisë së Lushnjes në një moment të përgjimeve del që ata kanë qenë në dijeni të hetimeve të SPAK.

Sipas përgjimeve disa prej punonjësve thonë se Fatos Tushe u ka dalë garant se nuk do ti gjente asgjë nga SPAK, dhe ata do të vinin të merreshin në pyetje në Tiranë, në kuadër të personave që kishin dijeni mbi tenderin.

Punonjësit duken të qetë në komunikimin mes tyre, pasi thonë se drejtori i kishte rregulluar të gjitha.

Biseda mes punonjesve:

Punonjësi 1: Është një polic që ka sjellë shkresa si persona që mund të kenë në dijeni

Punonjësi 2: Kush do pyetet tjetër

Punonjësi 1: Unë, Ilva dhe Inxhinieri

Punonjësi 2: Po ajo çne

Punonjësi 1: Është njësi ajo

Punonjësi 1: Po, po, por duhet të shkoj në Tiranë

Punonjësi 2: Ti?

Punonjësi 1: Në të tre që na kanë thirrur si persona që mund të kemi dijeni, të mërkurën në orën 11 te SPAKU, mua thjesht s’më vjen mirë, po s’kam gjë, jam e qetë për punën që kam bërë

Punonjësi 2: Ajo ka rëndësi, habitem ç’ne që ju ngeli vetëm ju përgjegjësia

Punonjësi 1: Ne nuk jemi nën hetim, jemi persona që mund të kemi dijeni, pastaj thirren ata se mund të kenë qenë në përgjim

Punonjësi 2: Ashtu po, po dijeni për çfarë se nuk dihet se për ça ju pyesin atje më kupton

Punonjësi 1: Thanë mos kini merak, mos e diskutoni as në familje thanë të mos shqetësohen kot

Punonjësi 2: Kush tha

Punonjësi 1: Drejtori dhe ai miku jot

Punonjësi 2: Epo mirë

Punonjësi 1: Na kanë bërë 20 herë mbledhje gjoja ça të themi atje

Punonjësi 1: … Neve na ka dalë Fatosi garant, garant.

“Më ta i tregove të fejuarit , po atyre të shtëpisë. I thashë normal ai ishte i pari që e ka marrë vesh, që atë ditë që erdhën për dosjen. Epo kjo si ka thënë të shtëpisë së vet ngaqë ashtu e urdhëroi Gesti. Pz, që këtë që të shkruajta i thashë. Më pyeti për ça është se ti merr vesh, dhe ja shpjegova akuza. Kur na bën mbledhje na thanë mos e diskutoni me familjarët dhe asnjë këtu te puna. Pa a shumë këto, nene na ka dalë Fatosi garant, garant”, thuhet mes të tjerave në dosje.

Mes të tjerave në dosje thuhet se kompania Euro alb, që fitoi tenderin nuk kishte mjete për të kryer rehabilitimin e kanalit, dhe punimet në terren janë kryer nga kompania e kushëririt të tij, biznesmenit Ibrahim Lami.

Hetimet nisën pasi një nga kompanitë në garë Avdyli SHPK, ka ankimuar vendimin e Bashkisë që shpalli fitues të tenderit Euro Alb.