Dyshohet se i moshuari i qëlloi me armë, shpëtojnë mrekullisht tre të rinjtë! Ç’ndodhi në mesnatë në Shkodër

27
Sigal

Tre të rinj kanë shpëtuar mrekullisht pak pas mesnatës në lagjen “Rus” të Shkodrës, pasi një i moshuar dyshohet se ka qëlluar me armë drejt tyre.

Ata mësohet se ndodheshin në rrugë duke biseduar, kur 83-vjeçari F. H., dyshohet se ka dalë i armatosur në ballkonin e katit të pestë të banesës së tij në orën 00:30 (9 Janar) dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.

Fatmirësisht plumbat nuk prekur asnjërin prej tre të rinjve ndërsa u dëmtua një automjet i parkuar.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë futur nga balkoni i shtëpisë së 83-vjeçarit pasi i hodhën një zhurmuese, duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.

I moshuari para se të qëllonte mësohet se ka telefonuar policinë duke i kërkuar ndihmë pasi sipas tij jashtë kishte zhurma që po e shqetësonin. Disa minuta më pas mori çiften dhe qëlloi në drejtim të të rinjve.

Efektivët i bënë thirrje disa herë që të dorëzohet, por 83-vjeçari Fasli Hyka nuk ka pranuar duke mbushur çiften në shenjë rezistence.

Edhe pas ardhjes së Forcave të Ndërhyrjes ssë Shpejtë, sërish i moshuari nuk pranoi të dorëzohej. Pas pak minutash mbërriti edhe djali i autorit të dyshuar, F. H., por 83-vjeçari refuzoi edhe të birin me të cilin nuk kishte komunikim të mirë 3-4 vitet e fundit.

Në këto kushte forcat e FNSH hodhën zhurmuesen brenda banesës dhe arritën të futeshin brenda duke arrestuar të moshuarin F. H., pas një operacioni që zgjati për afro 3 orë e gjysëm.

83-vjeçarit pas arrestimit iu gjet çiftja me të cilën qëlloi në drejtim të tre të rinjve, si dhe një armë tjetër automatik kallashnikov që e mbante në shtëpi të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale

Çiften deri në vitin 2012 e kishte me leje ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje në banesë. Ndërkohë mësohet se Fasli Hyka vuan nga problemet e shëndetetit mendor ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera, si dhe ka humbur shikimin tek njëri sy.

Komshinjtë dhe tregtarët e lagjes Rus thanë se 83-vjeçari është një person problematik, i cili sipas tyre i ka kërcënuar edhe herë të tjera.

Në momentin kur F. H., qëlloi në banesë gjendej edhe bashkëshortja e tij e moshuar, e cila ndodhej e shtrirë në shtrat pasi edhe ajo është e sëmurë.

Tre të rinjtë u shoqëruan në polici për të dhënë një dëshmi ndërsa 83 vjeçari u arrestua.

Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 50 forca policie ndërsa i pranishëm ishte edhe drejtori i policisë vendore të Shkodrës Edmond Sulaj. Policia po heton për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.