Dyshimet për ndërhyrje në sistem, kandidatët për prokurorë në protestë kërkojnë anulimin e testit

108
Sigal

Ata që do të shërbejnë për drejtësinë e nesërme u hodhën në protestë të martën pasi dyshojnë se në sistemin e shpalljes së fituesve të fazës së parë të testimit ka patur hile. Më herët një grup kandidatësh për prokurorë në shkollën e Magjistraturës u mbledhën në protestë, ndërsa protestuan përpara godinës së Polit të Drejtësisë ku kërkojnë anulimin e fazës së parë të provimit pasi konstatuan disa gabime që sipas tyre duhet të çojnë në anullimin e testit që u krye të hënën. Sipas tyre problemet nisën që me kohën e testimit të kandidatëve, pasi fillimisht provimi ishte paralajmëruar për në orën 08:00 të mëngjesit, ndërsa provimi ka nisur në orën 12:00 në mesditë pra 4 orë me vonesë. Po ashtu sipas tyre gjysmë ore pas nisjes së tezës, pedagogët kanë tërhequr të gjitha fletët e provimit, duke shpërndarë një tezë tjetër. Pas përfundimit të provimit, kandidatët janë futur brenda për t’u njohur me përgjigjet e testit, i cili skanohet nëpërmjet një pajisje të quajtur Skantron, nga e cila kanë dalë fitues 74 kandidatë nga 440 kandidatë në garë. Por të martën Shkolla e Magjistraturës ka shpallur fitues 121 kandidatë nga 74 që u shpallën një ditë më parë me pretendimin se pajisja nuk ka funksionuar. Për të fituar të drejtën e studimit në Shkollën e Magjistraturës, një kandidat duhet të fitojë minimumi 60 pikë. Kujtojmë se “Poli i Drejtësisë” shërben si godinë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Shkollën e Magjistraturës.