Durrës, nëse nuk je me PD-në, s’ka punë në arsim

437

SKANDALI/ Punësimi si në kohën e Partisë së Punës. Nga pikët dhe rezultatet në konkurse, nuk varet asgjë nëse s’ke teserë partie

Këtë e tregon, një luftë e ashpër është ndezur në institucionet arsimore të Durrësit, ku çdo punësim i ri kalon vetëm nëpërmjet zyrës së partisë. Situata është ndezur me fillimin e vitit të ri arsimor dhe atij universitar, ku çdo mësues që kërkon të fillojë punë, duhet të kalojë jo nëpërmjet filtrave të konkurseve, ashtu siç e kërkon praktika ligjore, por nëpërmjet, zakonit të hershëm që vjen prej sistemit komunist, nga zyrat e Komitetit të Partisë, që tani janë shndërruar në zyrat e partisë në pushtet.

Situata

Me qindra kërkesa nga arsimtarët e rinj, janë dyndur në Drejtorinë Arsimore të rrethit, por interes, shumë të madh në këtë fillim viti universitar, kanë edhe pedagogët për t’u punësuar në Universitetin e Durrësit, pasi kanë përfunduar edhe universitetin edhe masterat profesional apo shkencorë, në kërkim të një vendi pune. Mësues të shumtë qëndrojnë kohë pas kohe në zyrat e Drejtorisë Arsimore, për të gjetur një vend pune dhe po kështu edhe në Universitetin e Durrësit, për të filluar punë, ku herë pas here, për hir të së vërtetës, bëhen edhe konkurse në të dy këto institucione. Nga pikët dhe rezultatet në konkurse, nuk varet punësimi i tyre, por vetëm nëse fillimisht kanë tesera partie, kanë dhënë kontribut apo jo në fushatat elektorale, apo kanë dhënë shuma të majme duke gjetur miq, për vendin e punës. Këto janë kreditet e sigurta që të sigurojnë vendin e punës. “Konkurset, rezultatet e arritura, masterat, këto janë vetëm broçkulla, që nuk i ha as edhe një fëmijë i klasës së parë!”, tha një prej mësuesve që disa herë i është drejtuar Drejtorisë Arsimore për t’u punësuar, i cili do të mbetet anonim.

Korrupsioni

Burime të sigurta janë shprehur për “Telegraf”, se vështirë që të gjesh një vend pune, nëse, nuk ke marrë aprovimin nga drejtuesit e partisë së qytetit. Madje, ka edhe mësues që kundrejt shumave nga 3 deri në 5 mijë euro kërkojnë një vend pune, që nis nga shuma e parave, e cila shtohet, nga periferitë drejt qendrës së qytetit. Madje në të njëjtën situatë janë edhe edukatoret e kopshteve, të çerdheve, punonjëset e kuzhinave sanitaret e deri edhe tek rojet e këtyre institucioneve, ku zë fill e merr udhë edukimi i brezit të ri, i brezit, që këta njerëz, të arsimuar e më pak të arsimuar, do të edukojnë për të dalë në jetë. Por ajo që nuk dihet është se kush i merr këto shuma parash, kur emërimet bëhen nga selia e partisë dhe firma hidhet nga drejtuesit e arsimit.

_____________________________________________________________________________________

MËSUESIT: KËSAJ I THONË TË BLESH VENDIN E PUNËS

Mësues të ndryshëm për “Telegraf” janë shprehur se asnjë person sado i kualifikuar të jetë, nuk mund të futet në punë, pa marrë më parë “ok”- in nga strukturat e partisë, madje edhe që të marrë “ok” duhet që aty të gjejë miq të fortë dhe të besueshëm. Të besueshëm, sepse atë vend pune, e “blen” dikush tjetër që është edhe më i pasur, pavarësisht kualifikimit. Selitë e partive në këtë periudhë janë kthyer edhe në selitë e psherëtimave, ku qytetarët duhet të qajnë hallin para atyre që kanë zgjedhur, me votën e tyre, qoftë drejtpërsëdrejti nga populli, qoftë me votë politike. Dhe janë pikërisht këta të zgjedhur, që i kanë kthyer selitë dhe pozicionet e tyre politike apo publike, si shtëpitë e tyre, ku mund të bëjnë çfarë të duan, duke harruar që janë vetëm të zgjedhur për mandate që shkojnë drejt përfundimit të tyre. Janë këta të zgjedhur që mbajnë këto pozicione, sepse janë votuar nga besimi i atyre që tashmë u psherëtijnë dhe i presin me orë të tëra nëpër korridore, janë këta të zgjedhur që paguhen me paratë e taksapaguesve durrsakë, janë këta të zgjedhur, që janë kthyer në metodologjinë e emërtesave të kohës se komunizmit, atij sistemi që një punë e një shtëpi ta gjente, ndërsa tash, të papunët, të uriturit dhe ata pa shtëpi, duhet të ngopen me fjalët plot, e lugën bosh të kryetarit.

_____________________________________________________________________________________

ABSURDITETI

Madje, metoda e përqendrimit komunist të emërtesave në punë  ka shkuar deri në absurditet. Në zyrat e  PD vijnë edhe kërkesat nga firmat private për punëtorë të çdo lloji dhe duhet të kalojnë edhe ato, si  në kohën e PP, në selinë e partisë, ku u bëhet “nder” punëkërkuesve të papunë, të shumtë në numër, që paraqiten çdo ditë .Kërkesat që vijnë nga firmat private për punëtorë të çdo lloji, deri edhe kamerierë, nga selia, u  jepet një dorë “nder” këtyre punëkërkuesve,  hallexhinjve, që shtrëngojnë dhëmbët , për fjalët që do përmendin dhe i kanë mësuar për muaj e javë të tëra, përmendësh, si  shenjë besnikërie, jo vetëm për të marrë ndihmë, ndaj kontributit që kanë dhënë për të ngjitur posterat elektoralë nëpër mure e nëpër rrugë, sa herë që ka zgjedhje.  Kriteri kryesor, është se në çfarë zone mbulon, dhe cila ka qenë e kaluara, politike, sa fushatë ke bërë, sa postera ke ngjitur, dhe në kosh të plehrave bien arsimi, masterat, universiteti.  Një militant me diplomë të blerë i hedh ne kosh titujt shkencorë të kujtdo.